“Janë cenuar parimet kushtetuese”- Avokati Sajmir Laçej për dyfishimin e akcizës së birrës: Ka rënie prodhimi! Të ardhurat shtesë të pretenduara nuk janë grumbulluar sepse…

jane cenuar parimet kushtetuese avokati sajmir lacej per dyfishimin e akcizes se birres ka renie prodhimi te ardhurat shtese te pretenduara nuk jane grumbulluar sepse

































Për avokatin Sajmir Laçej, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, ndryshimet në ligjin e akcizës kanë cenuar jo vetëm parimet kushtetuese të lirisë ekonomike, proporcionalitetit dhe sigurisë juridike, por edhe përafrimin e legjislacionit fiskal sipas Marrëveshjes së MSA-së.

Saimir-Lacej-770x426

Ai thotë se vendimi pritet të merret brenda muajit qershor nga Gjykata Kushtetuese. Z. Laçej parashikon se nëse vendimi nuk është në mbështetje të bizneseve prodhuese krijon precedent në shkeljen e ligjit për investimet e huaja, ku shumë kompani eksportuese në BE me kapacitet prodhues nën 200 mijë HL do të kërkojnë dëmshpërblim.

Cilat janë arsyet që Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase ka kërkuar shfuqizimin të pjesshëm të ligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”? Cilat parime të Kushtetutës shkelen nga ndryshimet ligjore?

Më 1 janar 2023, hyri në fuqi amendimi i ligjit 61/2012 “Për Akcizën në Republikën e Shqipërisë”, që dyfishoi nivelin e akcizës për prodhuesit vendas dhe të huaj të birrës me kapacitet prodhimi më pak se 200 mijë Hl në vit.

Ndryshim ishte i beftë, i pastudiuar, joproporcional dhe në dëm të prodhuesve vendas të birrës, duke zhbërë një model taksimi të harmonizuar plotësisht me legjislacionin dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, që buron nga neni 4 i Direktivës 92/83/EEC mbi harmonizimin e strukturës së taksimit me akcizë të pijeve alkoolike, transpozuar në Ligjin 61/2012 “Për Akcizën në Republikën e Shqipërisë”.

Ky amendim ligjor është bërë bazuar në argumentin e gabuar se po kërkohej të shmangej diskriminimi i importit krahasuar me prodhimin vendas, duke barazuar nivelin e taksimit me akcizë.

Në të vërtetë, prej datës 1 Tetor 2012 deri 31 Dhjetor 2012, taksimi me akcizë i birrës së importit dhe prodhimit vendas ka qenë trajtuar në mënyrë të barabartë, sipas sasisë së prodhimit vjetor, 360 lekë për HL/shkallë alkoolmetrike për importin dhe prodhimin vendas në fabrika me kapacitet prodhimi jo më shumë se 200 mijë Hl në vit dhe 710 lekë për HL/shkallë alkoolmetrike për importin dhe prodhimin vendas nga fabrika me kapacitet mbi 200 mijë Hl.

Me ndryshimet e akcizës, janë cenuar jo vetëm parimet Kushtetuese të lirisë ekonomike, proporcionalitetit dhe sigurisë juridike të parashikuara në nenet 11, 17, 41, por janë edhe në kundërshtim me nenin 34 “Ndalimi i diskriminimit fiskal” dhe nenin 70 “Mbi përafrimin e legjislacionit” të Marrëveshjes së MSA-së, mes Shqipëri dhe vendeve të BE-së.

A ka një analizë nga shoqata juaj, se cilat janë efektet e zbatimit të ligjit për dyfishimin e akcizës nga 1 janari 2023 tek industria e birrës?

Ndryshimet në taksim zakonisht justifikohen me respektimin e interesit publik dhe rritjen e të ardhurave buxhetore. Interesi publik duhet të matet 360 gradë.

Po t’i referohemi relacionit të projektligjit, përveç vlerës shtesë të llogaritur në të ardhurat nga akciza prej 260 milionë lekësh, (rreth 0.04% e buxhetit të shtetit të vitit 2023), është pretenduar se heqja e fashës 200 mijë HL bëhet për të nxitur rritjen e prodhimit vendas, sepse nuk janë të motivuar të rriten, pasi paguajnë më shumë taksa dhe për të luftuar evazionin.

Asnjë nga pretendimet e propozuesve të ndryshimit ligjor nuk ka ndodhur:

Së pari, është “reverse” modeli i përafruar i taksimit të birrës sipas Nenit 4 të Direktivës 92/83/EEC.

Së dyti, pas 14 muajsh është ulur prodhimi vendas deri me 7%.

Së treti, të ardhurat shtesë të pretenduara në vlerën e 260 milionë lekëve nuk janë mbledhur, për shkak të rënies së numrit të punësuarve rreth 12% dhe rënies së tatimfitimit dhe të ardhurave nga TVSH nga prodhimi vendas rezultati total është negativ. Interesi publik nuk mbrojtur, por është përkeqësuar.

A ka një propozim konkret, se cila është norma e re tatimore që propozohet prej apo kërkohet të kthehen normat e mëparshme të akcizës?

Gjykata Kushtetuese shprehet duke pranuar kërkesën ose duke e rrëzuar atë, që do të thotë në rast pranimi rikthehet modeli i taksimit të diferencuar, sipas sasisë së prodhimit që ka qenë në fuqi 2012-2022.

Modeli i taksimit sipas Direktivës 92/83/EEC nuk duhet të cenohet, duke mbrojtur prodhuesit e vegjël nën 200 mijë HL në Shqipëri, apo në Bashkimin Europian, ku dëshirojmë të jemi vend anëtar.

Për sa i përket nivelit të taksimit, duke mbrojtur taksimin e diferencuar, mund të indeksohet sipas nevojave të buxhetit të shtetit.

Tashmë në Gjykatën Kushtetuese është zhvilluar seanca për ankesën e depozituar prej jush, cilat janë pritshmëritë për vendimmarrjen e trupës gjykuese?

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar me shumë profesionalizëm të gjitha argumentet e paraqitura, gjithmonë brenda kornizës së parimeve kushtetuese. Brenda muajit qershor pritet vendimi përfundimtar që shpresojmë të jetë i favorshëm.

Kjo jo vetëm për interesat e kompanive prodhuese që Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase përfaqëson, por edhe kundër një precedenti të dëmshëm për çdo sipërmarrje biznesi vendas dhe të huaj. Edhe nëse do të ishte një ndryshim i drejtë në taksim, nuk mund të jetë i menjëhershëm, drastik (200%) dhe pa analizuar pasojat zinxhir që krijohen.

Për të kuptuar përse mbrohen prodhuesit nën 200 mijë HL mjafton t’i referoheni një krahasimi: “Heineken” operon me 165 fabrika birre në mbi 70 vende të botës ku prodhon mbi 188 milionë HL birrë në vit.

Në Shqipëri, gjatë vitit 2023, janë prodhuar 360 mijë HL, sa 0,19% e prodhimit vjetor të vetëm të markës “Heineken”.

Si mund të mbijetojë një prodhues nën 200 mijë HL në vit, në Shqipëri apo BE duke konkurruar me marka që përfaqësojmë modelin më të avancuar të ekonomisë së shkallës me kosto lëndësh të para, shpërndarje dhe marketingu 20-25% më të ulëta për njësi.

Në rast se do të kemi vendim për mosshfuqizimin e tyre, çfarë do të krijonte kjo për ekonominë, analizuar në këndvështrimin juridik, por edhe ekonomik?

Ne këndvështrimin juridik, kam bindje se Gjykata Kushtetuese do të luajë rolin që i njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, përtej çdo ndikimi. Analiza e munguar e pasojave ekonomike gjatë miratimit të ndryshimeve ligjore është kompensuar me një proces shumë të detajuar gjykimi të fakteve dhe argumenteve ligjore dhe ekonomike.

Por në respekt të pyetjes parashikoj që rënia e konstatuar e prodhimit vendas do të intensifikohet, duke “shijuar” çdo vit e më shumë pasojat e globalizmit edhe në këtë sektor nga të rrallët që ka mbijetuar falë edhe politikave mbështetëse nga Bashkimi Europian që prej vitit 1992.

Në aspektin juridik krijohet një precedent jo i favorshëm për imazhin e Shqipërisë dhe të reformës në drejtësi dhe krijohen premisa që në zbatim të neneve 34 dhe 70 të MSA-së dhe Ligjit “Për Investimet e Huaja të kërkohen në mënyrë masive zhdëmtime nga kompanitë eksportuese të BE me kapacitete prodhuese nën 200 mijë HL, për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe stabilitetit fiskal.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →