Jehonë për Partizanin në Serbi, të kuqtë kanë marrë tre trajnerë

jehone per partizanin ne serbi te kuqte kane marre tre trajnere

“Nuk kam frikë nga asgjë, sepse nëse do të kisha, do të isha në shtëpi duke pirë birra”, u shpreh Aleksandar Veselinoviç gjatë prezantimit të tij si trajneri i ri i Partizanit. Ama gjatë deklaratës së tij, serbi nuk e fshehu aspak faktin se në krye të skuadrës e presin sfida të vështira dhe të rëndësishme për t’u kaluar.

VËSHTIRËSITË – Fakti që vjen te Partizani pas nisjes së kampionatit dhe nuk e ka shansin të ambientohet dhe të kryejë një fazë të plotë përgatitore me ekipin, ia komplikon jo pak gjërat Veselinoviç. Në harkun e pak ditëve ai duhet të njihet me lojtarët dhe t’i injektojë ekipit idetë e tij në lidhje me mënyrën sesi kërkon të luhet. Përveç kësaj, Aleksandar nuk gjen një Partizan po me aq emra sa vjet. Nga klubi janë larguar lojtarë të rëndësishëm si Sota, Atanaskoski, Murataj, Skuka apo Maget dhe zëvendësuesit nuk janë emra aq “pompozë” sa të lartpërmendurit. Trajnerit i duhet të krijojë dhe të rrisë liderë të rinj për ekipin e kuq dhe kjo është padyshim një detyrë tejet e vështirë. Gjithashtu, për tri ditë mbyllet merkatoja dhe ndërhyrja për të përmirësuar ekipin është e kufizuar.

NDRYSHIME – “Çdo trajner ka idetë dhe filozofinë e vet për futbollin” u shpreh mes të tjerash Veselinoviç që gjithashtu paralajmëroi ndryshime në 11-she dhe në hierarkinë e ekipit të kuq mbi titullarët dhe lojtarët e stolit. Në ndeshjen me Teutën me siguri gjërat do të jenë më të qarta mbi preferencat e trajnerit të ri të Partizanit.

TRE TRAJNERË – “Demat” nuk kanë marrë vetëm një trajner, por tre të tillë, pasi edhe dy ndihmësit e Veselinoviç kanë një eksperiencë të konsiderueshme si trajnerë të parë, megjithëse jo në nivele elitare. Ndihmësi i parë i Zekiçit, Dragan Aniçiç, pak para se të zbarkonte në Tiranë ishte emëruar si trajner i sllovenëve të Ruma në ligën e dytë për nga rëndësia. Në të shkuarën ai ka drejtuar edhe Novi Pazar në 4 ndeshje. Edhe ndihmësi i dytë, Goran Lazareviç, ka një karrierë të gjatë dhe të pasur. Gjatë karrierës ai ka drejtuar kryesisht në ligën e dytë për nga rëndësia në Serbi, ku eksperiencën më të gjatë e regjistron me ekipin e Traial me 70 ndeshje. Lazareviç deri para pak ditësh ishte trajner i Radniçki Pirot në ligat e ulëta serbe.

JEHONA – Lajmi i emërimit të Aleksandar Veselinoviç si trajner i Partizanit ka marrë vëmendje të konsiderueshme nga ana e mediave serbe. Një numër i madh portalesh dhe jo vetëm kanë reklamuar emërimin e Veselinoviç dhe faktin se ai bëhet trajneri i dytë serb në elitën e futbollit tonë, pas Gvozdenoviç. “Aleksandar Veselinoviç është trajneri i Partizanit të Tiranës. Ftesa e 17 herë kampionëve të Shqipërisë ka rezultuar e parefuzueshme nga ana e tij. Eksperti elokuent do të ketë për detyrë të rikthejë Partizanin te titulli kampion. Ivan Gvozdenoviç, një tjetër serb, punon në elitën e futbollit shqiptar”, shkruanin media si “Sportklub” apo “Informer”.

123
123
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →