“Jeta ime”, si një këngë kushtuar punës, lirisë dhe drejtësisë shoqërore/ Anton Çehov: Talentin e mora nga babai, ndërsa shpirtin nga nëna

jeta ime si nje kenge kushtuar punes lirise dhe drejtesise shoqerore anton cehov talentin e mora nga babai ndersa shpirtin nga nena

































anton cehovNGA SEJDO HARKA

Asgjë nuk i nevojitet njeriut më shumë se ndërgjegjja e lirisë – (Çehov)

Anton P. Çehov, ky emër i madh i letërsisë ruse dhe përtej saj, edhe sot vazhdon të ndriçojë mendjen dhe shpirtin e tërë njerëzimit me vlerat e filozofisë universale dhe mesazhet e ngrohta për jetën e lirinë dhe punën e drejtësinë shoqërore. Ky shkrimtar i papërsëritshëm, që kritika botërore e ka quajtur kolos të letrave ruse e botërore, ka ditur që përmes artit magjik t’i flasë mendjes dhe shpirtit të njerëzimit të të gjitha kohërave. Pikërisht, këtu qëndron sekreti që edhe pse Çehovi jetoi e shkroi në thellësitë e shekujve dhe të viteve, vazhdon të mbetet idhull edhe për njerëzimin e sotshëm dhe të ardhshëm.

-KUSH ËSHTË ANTON ÇEHOV

Ai lindi më 29 janar të vitit 1860, ditën e Shën Antonit të Madh, e cila i dhuroi emrin e bekuar “Anton”, në Taganrag të Rusisë Lindore. I ati i tij, Jergoroviç, ishte i biri i një ish-skllavi nga Paltava e Ukrainës së sotme. Ndërsa Jevergenja ishte e ëma, që shquhej për rrëfimet e bukura, me të cilat ajo argëtonte fëmijët. Në kujtimet e tij Çehovi tregon se, talentin e mori nga babai, ndërsa shpirtin nga e ëma.

Despotizmi i egër shoqëror e familjar dhe gënjeshtra e hipokrizia, thekson ai, më gjymtuan jetën e rinisë, të cilën e quante të frikshme. S’kam për të harruar – vazhdon ai – çastet kur babai, nga zemërimi i hidhte supës kripë. Arsimin e mesëm ai e mbaroi në gjimnazin grek. Kur i ati i tij falimentoi ekonomikisht, u detyrua që për të mbajtur familjen dhe për të vazhduar shkollën, herë të shiste orenditë e shtëpisë së tij dhe herë skicat, tregimet dhe skeçet, që kishte nisur t’i krijonte me aq mund e vështirësi. Ishte koha kur kishte nisur të lexonte krijimtarinë e emrave të mëdhenj të letërsisë botërore si: Servantesi, Turgenjevi, Shopenhaur dhe kur nisi të shkruante dramën e parë. Në vitin 1879, pasi kishte mbaruar gjimnazin, shkoi në Moskë për të vazhduar studimet për mjekësi. Por ajo që e bëri Çehovin të famshëm në botë ishte arti dhe letërsia. Hapat e para në fushën e krijimtarisë artistike ai e hodhi me skicat, tregimet dhe skeçet humoristike.

Ndërsa specializimi në fushën e fizikës i dha atij më shumë mundësi për përmirësimin e gjendjes ekonomike. Në vitet 1884-‘86, fatkeqësisht shëndeti i tij kishte nisur të përkeqësohej. Papritur, duke u kollitur, nisi të nxirrte sekrecione të gjakosura, për të cilën nuk u tregoi as familjarëve dhe as shokëve e miqve të tij më të afërt. Për të mbajtur familjen dhe veten u pajtua të shkruante në një gazetë të Petërburgut. Krijimtaria e tij po bëhej gjithnjë e më e pëlqyeshme. Në këtë kohë shkrimtari i madh D. Grigoroviç i shkruante Çehovit: “Ti ke një talent të vërtetë…”. Në vitin 1887 bëri një udhëtim përmes Ukrainës, mbresat e të cilit i shërbyen si frymëzim për shkrimin e novelës së parë të suksesshme. Në vitin 1897 ai i mbijetoi një hemorragjie të rëndë nga mushkëritë. Pas vdekjes së të atit, ai u vendos në Jaltë, ku shkroi dy drama për teatrin e kohës. Në vitin 1901 u martua me Olga Kniper. Ndërsa në vitin 1904, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, u vendos në Gjermani për t’u kuruar, por fatkeqësisht, në maj të këtij viti, ai nuk arriti ta mundë dot turbekulozin e rëndë, i cili kishte vite që i brente pa mëshirë mushkëritë. Trupi i tij u përcoll me nderime në Moskë. Krijimtarinë e tij, qarqet cariste të kohës kishin nisur ta censuronin, por kurrë nuk arritën t’i hiqnin shkëlqimin e saj të përjetshëm.

Çehovi u shqua në të gjitha llojet e nënllojet e krijimtarisë artistike. Ai lëvroi plot sukses jo vetëm tregimin e novelën, për të cilat është cilësuar si gjeni i letërsisë ruse, por edhe dramën, komedinë dhe përrallën. Disa nga veprat e tij më të njohura, të cilat kanë ardhur edhe në gjuhën shqipe janë: “Murgu zi”, “Njeriu në këllëf”, “Një shaka e vogël”, “Djallushi”, romani “Puthja” etj.. Famën më të madhe ai e mori pas vdekjes. Stanislavski, mes të të tjerash, thekson: “A. Çehov i shpreh mendimet e veta jo me fjalë të rëndomta, por përmes karaktereve, mendimit dhe gjuhës së tij të gjallë”. Krijimtaria e tij dallohet për karakterin unikal dhe problematikat paradoksale, pas të cilave zbulohet vërtetësia e ngjarjeve dhe karaktereve. Nga kritika botërore ai vlerësohet si shkrimtar komik special, që trajton ngjarje paradoksale. Janë të shumtë studiuesit e letërsisë botërore që shprehin mendimin se “Çehov është shkrimtari i dytë, më i famshëm në planetin tonë, që ia kalon vetëm Shekspiri”. Përmes krijimtarisë së tij dramatike dhe komike, ai fshikullon ashpër, jo vetëm despotizmin dhe mungesën e lirisë e të drejtësisë, por dhe rolin negative që luan në shoqëri etja e ethshme për para. Prandaj shkruan: “Paraja, ashtu si vodka, e bën njeriun të dehur dhe të çuditshëm”

NOVELA “JETA IME”, SI NJË KËNGË QË I KËNDON PUNËS, LIRISË DHE DREJTËSISË SHOQËRORE

Siç theksohet edhe më lartë, krijimtaria artistike e Çehovit shquhet, jo vetëm për problematikën e gjerë, por edhe për shumëllojshmërinë e gjinive, llojeve dhe nënllojeve të letërsisë. Ai u shqua, jo vetëm si dramaturg, por në mënyrë të veçantë në lëvrimin e novelës. Disa nga novelat e tij më të njohura në botë janë: “Veroçka”, “Dueli”, “Shtëpia me mazoine”. Por, më e bukura është ajo me emrin kuptimplotë “Jeta ime”, të cilën e kemi bërë objektin kryesor të shënimeve tona. Interesant është fakti që të katërta këto novela i bashkon jo vetëm elementi autobiografik e karakteret, por edhe brendia e problematika, me të cilat shpreh protestën ndaj shtypjes dhe padrejtësisë, injorancës dhe egërsisë despotike të sistemit carist të kohës. Novela “Jeta ime” fatkeqësisht, në vitin 1987, një vit pasi kishte dalë në qarkullim, kur u botua në revistën “Niva”, ndjeu kafshimin censurës cariste. Caristët, nuk mund t’ia falnin Çehovit fshikullimin e rëndë të sistemit të tyre. Ishte koha kur jo vetëm guximi, por edhe talenti i tij ishte maturuar, aq sa renditej i dyti në radhët e letërsisë ruse, pas Tolstoit të madh. Ai ishte bërë jo vetëm i famshëm, por edhe i ndërgjegjshëm për rolin që duhet të luante shkrimtari me misionin e tij për ndikimin e fuqishëm mbi masat.

Çehovi jetoi dhe shkroi në kohën kur në Rusi kishin vdekur idealet e vjetra dhe sapo kishin nisur të lindnin idetë e reja, të cilat e kishin të vështirë të zinin vend në shoqërinë e kohës. Disfatat e Narodnikëve dhe gjallërimi i reaksionit carist e patën dëshpëruar inteligjencën e kohës. Ideologët nuk ishin në gjendje të formulonin programe të qarta zhvillimi. Prandaj kohës iu desh një shkrimtar si Çehovi, që me artin e fjalës të përçonte te masat kauzat e reja për linë, punën dhe drejtësinë shoqërore. Ai, duke mohuar, si Narodnikët, ashtu dhe Liberalët, demaskon shtypjen despotike, për t’i hapur rrugë lirisë së vërtetë shoqërore. Përmes artit të fjalës, ai ironizoi edhe “Teorinë e punëve të vogla”, edhe pse ai për shkak të sëmundjes dhe të origjinës së tij mikroborgjeze nuk mori pjesë të drejtpërdrejtë në lëvizjet politike të kohës. Çehovi bëri përpjekje që këto ndryshime t’i projektonte nëpërmjet artit dhe letërsisë. Në qendër të brendisë së novelës “Jeta ime”, ai vë inteligjencën ruse të kohës, e cila edhe pse e çorientuar, bën përpjekje të dalë nga bataku që është fundosur, por u mungon vizioni. Ndryshimet e thella shoqërore s’mund të vinin me disa ndërtime shkollash dhe institucionesh kulturore, përmes platformës së ashtuquajtur “Punë të vogla”. Ato nuk mund të sillnin mirqenien e vërtetë, lirinë dhe drejtësinë shoqërore. Për dobinë e lirisë, drejtësisë dhe punës së lirë kanë shkruar shumë shkrimtarë, por Çehovi i paraqit ato në një këndvështrim origjinal. Këtë e thekson edhe Gorki kur shkruan: “Unë s’kam parë njeri si Çehovi, që ta ndjejë kaq thellë vlerën e punës dhe të lirisë në jetën e përditshme”. Për Çehovin, jeta do të ishte pa kuptim dhe e pamundur pa punë dhe liri dhe drejtësi. Ai revoltohet kur sheh se puna përdoret si mjet shfrytëzimi e skllavërimi i pakicës mbi shumicën.

Protagonisti i kësaj novele është Misaill Pollozov, bir i një arkitekti që rridhte nga një derë e vjetër fisnike. I velur nga jeta boshe e parazitare e mjedisit shoqëror dhe familjar, vendos të braktisë punën zyrtare intelektuale dhe jetën familjare, për të shkuar mes njerëzve të rëndomtë, për ta nxjerrë bukën e gojës me djersën e ballit. Por, gjatë punës, ai ndeshet me vështirësi, pengesa e stërmundime. Si për çudi, Misaill, në vend që të nderohet, tallet, përbuzet dhe injorohet nga të gjithë njerëzit që e rrethojnë, bile dhe nga i ati. Krahas vuajtjeve që i shkakton puna fizike, ai përjeton shtypjen dhe padrejtësitë e punëdhënësve dhe prek si me dorë humnerën që ndan të varfrit nga të pasurit, për shkak të së cilës, midis tyre ekziston një armiqësi e përjetshme. Tek varfëria e tejskajshme e shtresave të varfra protagonisti i kësaj novele lexon egërsinë dhe falsitetin e jetës së të pasurve. Ndoshta Çehovi, përmes braktisjes së punës intelektuale të protagonistit, do të nxitë përgjigjen e pyetjes retorike që lind natyrshëm: -A mundej që M. Pollozov ta ndryshonte mirëqenien brenda atij sistemi të degraduar vetëm duke braktisur punën zyrtare dhe jetën e zbrazët plot egërsi e vese të intelektualëve të kohës!? Është e vërtetë, që Çehovi nuk mund të na tregonte rrugën për ndryshimin e realitetit të kohës, po di të përcaktojë shkaqet kryesore të vuajtjeve e pabarazive shoqërore të atij sistemi të kalbur.

Ato janë mungesa e lirisë dhe padrejtësia, të cilat nuk e lënë njeriun të ngrejë kokë. Prandaj Gorki, pasi ka lexuar novelën “Jeta ime”, shkruan: “Çehovi, përmes kësaj novele hedh shkëndijat e para për përmbysjen e jetës monotone që përjetonte grahmat e shtypjes, padrejtësive dhe të armiqësisë mes të pasurve dhe të varfërve. Në llumin e kësaj shoqërie të kalbur ruse, thekson Çehov përmes ngjarjeve dhe bëmave të karaktereve, mbytet edhe dashuria mes Pollozovit dhe Maries. Ajo, pasi ka njohur realitetin e hidhur të jetës së kohës, braktis edhe dashurinë e saj. Largohet nga kjo jetë mizerje për të mos u kthyer kurrë. Ajo i quan marrëzi utopike përpjekjet e bashkëshortit të saj, Misaill, për ndryshimin e realitetit të degraduar të kohës. Dashuria e këtij çifti nuk mund të ndërtohej mbi themelet e gremisura të kësaj shoqërie dhe në atmosferën e saj të zymtë. Por, protesta dhe dëshpërimi Çehovit nuk është aq pesimist, saqë personazhet t’i përcjellë në greminë vetëvrasëse.

TIPA, KARAKTERE DHE MESAZHE, QË TROKASIN NË PORTËN E NDRYSHIMIT TË SHOQËRISË SË KOHËS

Po, cilët janë tipat dhe karakteret e novelës “Jeta ime”, që trokasin në portën e ndryshimit të shoqërisë ruse të kohës: Protagonisti i novelës është intelektuali Misaill Pollozov, i cili buron nga një familje e hershme fisnike. I velur nga punët intelektuale zyrtare, një ditë vendosi të largohet për të nxjerrë të ardhurat për jetën e tij me punë të rëndomta fizike. Kjo e dëshpëron thellë të atin e tij, i cili punonte si arkitekt i qytetit. Atij i vinte turp që i biri i tij i shkolluar do të punonte mes punëtorëve dhe muzhikëve të fshatit rus, plot vese e huqe për të siguruar bukën e gojës. Misaill-in, kudo që shkonte dhe punonte, kishin filluar ta përbuznin, shanin dhe shfrytëzonin egërsisht. Pas këtij karakteri të çuditshëm, edhe lexuesi më i zakonshëm e kupton që fshihet vetë Çehovi, gjë që shprehet dhe në fjalët e protagonistit: “Dikur e ëndërroja veten, herë inxhinier, herë mjek e herë shkrimtar, ndërsa tani s’jam gjë tjetër, veçse një punëtor i rëndomtë”. Ishin zbrazëtia e jetës së intelektualëve të kohës dhe e familjarëve të tij, që e detyroi atë t’i braktisë. Kudo që Misaill punoi dhe jetoi preku si me dorë shtypjen dhe shfrytëzimin e egër. Askush nuk sillej mirë me mua, tregon ai. Kur kaloja para bujtinës sime më lagnin me ujë dhe më qëllonin me shkopinj.

Të tjerët më thoshin se nuk u vinte keq për mua, por për babain, të cilin, sipas tyre, e kisha turpëruar. Protagonisti mendonte se, të gjithë njerëzit duhet të kontribuojnë në luftën për ekzistencë me punën dhe fuqitë e tyre fizike. Kjo është detyra më e domosdoshme për të gjithë.(49) Në procesin e punës së përditshme ai pa se, edhe sipërmarrësit, që dikur kishin vuajtur shtypjen dhe përbuzjen e sipërmarrësve të tyre, tashmë silleshin më egërsisht me punëtorët e tyre. Ai tregon sesi tregtarët u shisnin mish të prishur, miell të lagur, se si i shtypnin policët edhe në kisha dhe se si infermierët, kur nuk u jepnin bakshish, nuk i mjekonin mirë, edhe kuzhinierët, kur nuk u jepnin diçka, gjellën ua hidhnin në enë të palara. Madje, tregon Misaill, edhe qentë me ne silleshin me ligësi dhe egërsi të madhe. Një personazh tjetër interesant i kësaj novele është Marionte nga privilegjet. Por, për të, krahas punës fizike, njeriu duhet të përdorë edhe dijet e kulturën. Etja për para e të pasurve u kishte mbytur shpirtin dhe u kishte errësuar sytë. Edhe Maria ishte bija e një inxhinieri, i cili tregon Misaill, kur shkoja ta takoja në shtëpinë e saj, ai më përkëdhelte si qen, aq sa e ndjeja se, do të vinte një ditë që do të më flakte jashtë si një qenush i zgjebosur.

Aq të turbullt e të pazot e ndjente veten, sa siç thekson vetë, nuk e kuptonte, se ishte dashuruar me të bijën e inxhinierit, apo me përkëdhelitë e tij bajate. Shkonte të bënte punët më të vështira të bojaxhiut, apo të bujkut, por nuk e kuptonte, se kë urrente më shumë, punën e rëndë e të bezdisshme dhe llucën, apo njerëzit që e rrethonin dhe brutalitetin e tyre. Dëgjonte sipërmarrësit të thoshin, se muzhikët ishin kafshë që dinin vetëm të punonin, të pinin dhe të hanin si kafshët, që ishin nervozë, injorantë, dinakë, që fshiheshin pas pemëve si zogjtë, që kishin një imagjinatë të shtypur, dhe vriste mendjen të gjente shkaqet e kësaj zbrazësie, por nuk mundte dot. Rusia thuhej se e kishte nisur ndryshimin që në vitin 1860, por fatkeqësisht, edhe pas dekada vitesh, dukej, se kishte mbetur në vend. Dijet që kishin marrë brezat e rinj, nuk i kishin shërbyer, as individit, as shoqërisë. E kemi dashur lirinë, thonë personazhet e kësaj novele, por kurrë nuk e shijuam atë. Kemi përballuar çdo lloj pune, kemi kalitur durimin, po si mund të arrinim lumturinë e vërtetë, kur në shoqërinë tonë mbretëron shtypja, padrejtësia dhe injoranca, korrupsioni dhe degradimi moral e shpirtëror i njerëzimit!?

Pasi e përfundon së lexuari këtë libër, në memorie të nguliten disa mesazhe të tillë didaktike dhe edukative: Pa ndryshime të thella shoqërore, nuk mund të ketë zhvillim të individit dhe shoqërisë. Akoma më i bukur është mesazhi që Çehovi na dërgon nga thellësitë e shekujve përmes sentencës “Që të bëhesh i dobishëm, lufto të dalësh nga rrethi vicioz i aktivitetit të zakonshëm”. Dhe për të, arma më e fuqishme e njeriut për të dalë nga mërzia dhe rrethi vicioz, është arti i fjalës, shkrimtaria. Arti, për Çehovin, të jep krahë. Njeriu që është fyer e dëshpëruar, mund të gjejë rrugëdalje vetëm nëpërmjet artit të fjalës së ngrohtë, e cila e mrekullon dhe e bën me krahë. (98) Për Çehovin edhe dashuria midis Misaill dhe Mashës nuk mund të mbijetonte në atë mjedis të dëshpëruar dhe të egër, ku sundonte neveria, errësira dhe zbrazëtia shpirtërore e 300 viteve të mëparshme, kur edhe marangozët, edhe bujqit, edhe nëpunësit jetonin, punonin e mendonin si 3 shekuj më parë. Ndërsa lirisë i trembeshin dhe e urrenin si të ishte armiku i tyre(110). Ishin këto dukuri thelbësore të shoqërisë ruse të kohës që shkakton ndarjen e natyrshme të Maries me bashkëshortin e saj Misaill. Ja ç’i shkruan ajo të dashurit të saj: “I dashuri im zemërmirë. Sa më shpejt ta presim perin që na mban akoma lidhur, aq më mirë është. Ajo, që u njoha me ty, ishte një rreze dielli, e cila ndryshoi qenien time, por ajo që u martova me ty ishte një gabim.

Më telefono, që ta korrigjojmë gabimin sa më parë”(213). Mbreti David, thuhet më poshtë, ka pasur një unazë me mbishkrimin: “Gjithçka kalon”. Po cili është kuptimi i këtij mbishkrimi!? Ky mbishkrim kuptimplotë deshifrohet kështu: “Kur bie në melankoli, bëhesh më i gëzuar, ndërsa kur ndjen gëzim, bie në melankoli”. Përmes gojës së personazheve të kësaj novele, Çehov na përçon edhe sentenca të tilla filozofike, si: “Gjithçka kalon”, bile dhe jeta, nëpërmjet së cilës ai kërkon t’i thotë lexuesit, se “asgjë nuk i nevojitet njeriut më shumë sesa ndërgjegjja e lirisë”. Ndërsa përmes veprimit dhe fjalës së Kleopatrës, motrës së protagonistit, Çehovi përçon mesazhin se, për “njeriun që nuk punon e nuk pikëllohet, nuk do të ketë mbretëri qiellore. Mjerë të ngopurit, mjerë të fuqishmit, mjerë fajdexhinjtë, mjerë ata që janë pasuruar me djersën dhe gjakun e të varfërve”. Ata nuk kanë për ta prekur mbretërinë qiellore. Kështu ndodh gjithnjë. “Bagëtia ha barin, ndryshku bren hekurin, gënjeshtra ndryshk shpirtin”(115).

Personazhet dhe karakteret e kësaj novele, që për shkak se pas tyre fshihet vetë Çehovi simpatizohen prej tij, tashmë e kuptojnë se në Dubçenjë, edhe pse ata u stërmunduan duke ndërtuar shtëpi, shkolla e spitale, nuk gjeje dot asnjë njeri të ndershëm. Ai qytet kishte mbetur vendi i njerëzve të mallkuar, i padrejtësisë dhe i mungesës së lirisë njerëzore. Vlera e punës së njeriut peshohet me dobinë që i sjell individit dhe shoqërisë. Por, thekson protagonisti i novelës “Jeta ime”, Misaill, ç’dobi mund të sillte puna ime fizike, kur nga do që shkova e punova, fëmijët më thërrisnin “humbameno”. Prandaj, nëse tani do të porositja një unazë, do të zgjidhja këtë mbishkrim: “Asgjë nuk kalon” dhe vërtet besoj, se asgjë nuk kalon pa lënë gjurmë dhe se , çdo hap yni, sado i vogël, ka rëndësi të veçantë për të sotmen dhe të ardhmen”(122). Koha që ke jetuar nuk kalon kot. Lodhja, stërmundimi, dëshpërimi dhe dhimbjet e trishtimi, kanë lënë gjumë në jetën e karaktereve. Misaill e quan ndrysim të dukshëm faktin që tashti askush nuk i thërret më “humbameno” nuk e lagin më me ujë dhe nuk e përkëdhelin si qen. Njerëzit u mësuan që unë isha bërë punëtor e bëja punë të vështira. Bile kishin nisur të më thërrisnin “mjeshtër”. Po, a do të mjaftonin këto ndryshime të vogla që të justifikonin një stërmundim kaq të madh. Këtë, thekson Çehovi alegorikisht, do ta kuptoni kur të lexoni këtë novelë, sa të drejtpërdrejtë, aq dhe alegorike dhe do të përjetoni stërmundimin tim për të ndryshuar realitetin e hidhur të atyre kohërave të thella shtypjeje dhe shfrytëzimi të njeriut nga njeriu.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →