Banorët e mbetur në fshatin Shipitullë të Obiliqit, zonë me interes të veçantë për nxjerrjen e qymyrit në Kosovë, po kërkojnë që shtëpitë e tokat t’u shpronësohen dhe ata të zhvendosen nga jetesa afër ekskavatorëve.
Ekskavatorë dhe makineri të tjera të rënda, janë ndër gjërat e para që sheh Fatmir Mjekiqi në horizontin përballë shtëpisë së tij, ku jeton me familjen 7-anëtarëshe.
I lindur dhe rritur në fshatin Shipitullë, një zonë e pasur me qymyr, ai thotë se ndër vite i është dashur të shohë teksa tokat e pronat e gjithë fshatit shpronësohen për t’i lënë vend mihjes së qymyrit.
Ky qymyr përdoret nga ndërmarrja publike Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për dy termocentrale që prodhojnë energji elektrike.
Në vitin 2020, Fatmirit iu shpronësua një tokë prej 71 arësh ngjitur me shtëpinë dhe kap edhe një pjesë të kopshtit e objekteve përcjellëse.
“Posa të dal, t’i bëj katër hapa në anën e majtë nga dera kryesore e shtëpisë, unë dal në pronë të KEK-ut”, thotë ai.
Tani, ai, së bashku me banorë të tjerë të këtij fshati, kërkojnë që të gjitha shtëpitë e pronat e tyre t’u shpronësohen njëherësh pasi mihja që po afrohet, po ua bën jetën të vështirë aty.
Shtëpia e Fatmirit është ndër shtëpitë më të afërta me mihjen aktive ku, siç thotë ai, ka zhurma të shpeshta dhe të paparashikueshme të makinerive të rënda.
“Krisma është shumë e madhe natën. Unë që jetoj këtu zgjohem shpesh natën. Nëse dikush vjen mysafir, zgjohet si të ishte i çmendur”, thotë ai.
Hajda dhe Shipitulla, dy fshatra të Obiliqit, pjesa qendrore e Kosovës, ishin shpallur zona me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës në vitin 2004, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009.
Sipas këtyre shpalljeve, në këto zona ishte ndaluar të bëheshin ndërtime të reja nga banorët, në mënyrë që të mos krijoheshin kosto shtesë të shpronësimit.
Prodhimi vendor i energjisë elektrike në Kosovë është në shumicë i varur nga puna e dy termocentraleve që gjenden në zonën e Obiliqit.
Ndërkaq, puna e termocentraleve varet nga mihja e qymyrit, që bëhet kryesisht në atë zonë.
Shpronësimi i pronave private për mihje bëhet nëpër faza disavjeçare, sipas nevojave të KEK-ut, me vendime nga disa institucione, përfshirë Qeverinë.
Rreth vitit 2017, mihja u zgjerua në zonën e Shipitullës fillimisht me shpronësim të tokave pa ndërtime.
“Ne kemi qenë shumë mirë. Nuk do ta ndërroja me Parisin”, thotë Hafir Mjekiqi, banor tjetër i Shipitullës, i cili kujton me nostalgji se si dukej fshati para se mihja të afrohej.
“Por, ka ardhur koha që nuk mund të durohet. Nuk mund të rrish e të jetosh këtu. Nuk ka përparim këtu. Zhurmë, pluhur e të gjitha të zezat i kemi këtu”, shton Hafiri.
Korporata Energjetike e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me ankesat e këtyre banorëve.
Por, në komunikata publike më 28 qershor dhe 2 korrik, KEK-u ka thënë se përvetësimi (shpronësimi) i tokës për nevoja xehetare bëhet vetëm “bazuar në planin xehetar dhe kornizat ligjore lidhur me të”.
“Prandaj, sa i përket përvetësimit të tokave dhe zgjerimit të minierave (për arsye të tjera), që nuk janë në përputhje me Planin kryesor xehetar, dhe plane tjera operative, është përtej kompetencave dhe interesit të KEK-ut”, thuhet në komunikatë.
Ata nuk kanë sqaruar tutje se çfarë do të thotë kjo për banorët e Shipitullës, nëse ata janë në plan të shpronësimit apo kur do të mund të bëhet kjo.
As Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me ankesat e kërkesat e këtyre banorëve.
Nga mihja e qymyrit, banorëve të Shipitullës u është shpronësuar shumica e tokës bujqësore, duke i lënë vetëm rreth 50 shtëpi me oborre.
Kjo, siç thonë ata, ua ka pamundësuar të zhvillojnë bujqësinë e blegtorinë, nga të cilat vareshin financiarisht.
“Një javë nuk ka mundur kombajna të kalojë këndej (nga madhësia e tokës së mbjellë me grurë). E këtë ushqim tonë, bukën tonë ia kemi dhënë KEK-ut, edhe tash ai duhet të na bëjë një zgjidhje”, thotë Hafiri.
Kërkesat për shpronësim, banorët i bënë edhe fizikisht duke protestuar para zyreve të KEK-ut dhe institucioneve të tjera në Prishtinë.
Hafiri, që ishte pjesëmarrës në protestë, thotë se ende janë në pritje të një përgjigjeje konkrete mbi shpronësimin e tyre.
Në maj të këtij viti, fshatit Shipitullë i ishte mbyllur edhe rruga kryesore që e lidhte me qytetin e Obiliqit.
Sipas njoftimit publik të KEK-ut, kjo mbyllje ishte bërë “si pasojë e deformimeve të shfaqura në këtë segment dhe rrezikshmërisë për qarkullim të sigurt të komunitetit”.
Ata thonë se kanë siguruar një rrugë alternative për lidhjen e fshatit me Obiliqin, e për të cilën banorët ankohen se është disa kilometra më e gjatë sesa rruga paraprake.
Mihjen e zhurmshme dhe peshën e makinerive të rënda që nxjerrin qymyr e kishte ndier më së shumti shkolla e dikurshme e fshatit, që tani është mbyllur.
Muret e shkollës fillore të quajtur “Migjeni”, tani janë të çara e të plasaritura.
Komuna e Obiliqit i ka thënë REL-it se shkolla është mbyllur në vitin 2019.
“Arsyeja e mbylljes së shkollës në fshatin Shipitullë ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe numrit të banorëve të fshatit, të cilët për shkak të shpronësimeve ndër vite (si pasojë e politikave të Korporatës dhe zonës me interes), janë detyruar ta lëshojnë fshatin”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Obiliqit për Radion Evropa e Lirë.
Lulzim Mjekiqi, fëmijët e të cilit kishin ndjekur mësimet aty, thotë se zhurma dhe dridhjet nga mihja e kishin bërë të pamundur shfrytëzimin e objektit të shkollës.
“Kjo shkollë nuk i ka zënë nxënësit. Kanë qenë dy paralele. Më së paku një klasë i ka pasur rreth 40 nxënës”, tregon Lulzimi Mjekiqi.
Fëmijët që më parë mësonin në këtë shkollë, janë bartur në paralelen e kësaj shkolle në fshatin e afërt, Graboc.
Ky 53-vjeçar ndihet i zhgënjyer me shndërrimin e fshatit të tij “në një vend pa perspektivë”.
“Ka qenë fshat i zhvilluar, kemi punuar në blegtori, bujqësi. Absolutisht asgjë nuk kemi për momentin. Jetë e padurueshme”, thotë Lulzimi.
Procesi i shpronësimit, në zonat e Obiliqit është përcjellë në vazhdimësi me probleme, sipas Dajana Berishës, drejtoreshë ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ).
Berisha që kishte hulumtuar procesin e zhvendosjes së banorëve të fshatrave të Obiliqit për nevojat e KEK-ut, thotë se “asnjëherë nuk është zbatuar një strategji e plotë e mirëfilltë zhvendosjeje”.
“Standardet e politikave ndërkombëtare për zhvendosje bëjnë thirrje për procese konsultimi me banorët e prekur, gjë e cila nuk është bërë”, thotë ajo.
Ajo vlerëson se shumë benefite të parapara për banorët e prekur nga zhvendosja, si kompensimet financiare, punësimet e mundësi për zhvillim, nuk janë plotësuar.
Tutje, sa i përket fshatit Shipitullë, Berisha thekson se zgjerimi i mihjes që po vazhdon çdo herë e më thellë në drejtim të fshatit “paraqet rrezik serioz për jetën e banorëve të rritur, e më shumë për fëmijët”.
Ndërkohë, Fatmir Mjekiqi thotë se nuk ka zgjidhje përpos të vazhdojë jetën në shtëpinë në Shipitullë edhe nëse mihja i afrohet edhe më.
“Ma kanë marrë tokën deri te dyert. Tash si jeton ti, është problem i yti”, thotë ai./Rel/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co