Presidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden, ka thënë se do të marrë pjesë në betimin e Presidentit të zgjedhur të vendit Donald Trump, që pritet të zhvillohet më 20 janar.
Teksa konfirmoi pjesëmarrjen në betimin e Trump si president i SHBA-ve, Joe Biden theksoi se nuk do të ndjekë “aktet prej fëmije” të Donald Trump, i cili kur humbi zgjedhjet nuk mori pjesë në betimin e presidentit të ri.
“Sigurisht që do ta bëj,” tha Biden në një intervistë të transmetuar sot në rrjetin ‘Meidas Touch’ kur u pyet nëse planifikon të marrë pjesë në ceremoninë e betimit.
“I vetmi president që ka shmangur betimin është ai që do të betohet… Fakti që ai nuk ndjek rregullat e demokracisë që ne kemi krijuar nuk është puna ime. Detyra ime është të bëj një tranzicion të realizueshëm dhe të disponueshëm… Ne nuk mund ta vazhdojmë këtë. Nuk mund ta vazhdojmë këtë akt fëmijëror, duke ikur kur dhe duke mos bashkëpunuar”, tha Biden.
Kujtojmë se Trump nuk mori pjesë në betimin e Biden si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara më 20 janar 2021, duke u bërë presidenti i parë në 150 vjet që theu një traditë politike që shihet si afirmim i transferimit paqësor të pushtetit në Shtetet e Bashkuara.
Trump nuk e ka pranuar kurrë humbjen e tij ndaj Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të bëjë akuza të pabaza për mashtrim.
Refuzimi i tij për të pranuar humbjen çoi në një tranzicion kaotik të funksioneve të qeverisë në administratën e Biden, duke vonuar financimin dhe aksesin në shërbimet federale.