Normat globale të vaksinimit të fëmijëve mbetën nën nivelet para-pandemike vitin e kaluar, raportuan të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Në vitin 2023, 84% e fëmijëve në gjithë botën u vaksinuan plotësisht kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së keqe – një vaksinim ky i trefishtë që konsiderohet si tregues kryesor i shkallës së vaksinimit të fëmijëve.
Shifra paraqet rënie të lehtë, në krahasim me nivelet para pandemisë së koronavirusit, të regjistruara në vitin 2019, thuhet në raport.
Numri i fëmijëve pa një dozë të vaksinimit të trefishtë u rrit në 14.5 milionë, vitin e kaluar, nga 12.8 milionë para fillimit të pandemisë, nxjerr në pah raporti.
Gjatë pandemisë, shumë vende pësuan vonesa apo ndërprerje në programet e tyre të vaksinimit.Në disa vende, numri i atyre që nuk u besojnë vaksinave, u rrit pas pandemisë, tha ekspertja e OBSH-së, Katherine O’Brien.
Ky zhvillim “po rezulton në vdekje të fëmijëve”, theksoi ajo.
Sipas OBSH-së dhe UNICEF-it, konfliktet e armatosura janë një tjetër pengesë për vaksinimin.
Raporti vlerëson se më shumë se gjysma e të gjithë fëmijëve të paimunizuar, jetojnë në vende të karakterizuara nga paqëndrueshmëritë dhe dhuna.
Të dyja organizatat thanë, gjithashtu, se më shumë se 100 vende të botës janë prekur nga shpërthimet e fruthit në pesë vjetët e fundit./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co