Fillimi fenomenal i Erling Halandit në sezonin 2024-25 vazhdoi në fitoren 3-1 të Mançester Sitit ndaj Uest Hemit.Norvegjezi shënoi një trigolësh fantastik në stadiumin e Londrës, në një fitore tjetër për skuadrën e Pep Guardiolës. Duke fituar tre pikë në kryeqytet, “qytetarët” ruajtën rekordin e tyre perfekt të sezonit pas tre ndeshjesh, ku më herët kishin mposhtur Çelsin dhe Ipsuiçin. Tripleta e norvegjezit ishte e 11-ta e tij që kur iu bashkua klubit në verën e vitit 2022, duke e arritur këtë shifër të pabesueshme në vetëm 102 ndeshje.
E PARA – Tregolëshi i parë i Halandit për Sitin erdhi pas një tjetër përmbysjeje, në atë rast ishte kundër Kristal Palasit, ndërsa Siti ngriti kokën pas dy golave të pësuar, duke fituar 4-2 në fillim të sezonit 2022-23. Nga 11 tregolëshat e Halandit për Sitin, ndoshta nuk është befasuese që shumica e tyre kanë ardhur në Premier Ligë. Në total, ai ka shënuar tetë në Premier Ligë, dy në Kupën FA dhe një në Ligën e Kampioneve. Duke llogaritur topat e ndeshjeve që ka marrë si suvenir, Erling ka shënuar 38 në total në ato ndeshje, ndërsa në dy ndeshje ka shënuar pesë gola, kundër Lajpcigut në Champions dhe Lutonit. Por ai ka shënuar edhe një “poker” ndaj Uolvesit. 24- vjeçari tani është i katërti në listën e numrit të tregolëshave të shënuar në historinë e Premier Ligës, pasi e dërgoi numrin e tij në tetë.
Ai tani ka barazuar totalin e Herri Kejnit, Tieri Henrisë dhe Majkëll Ouenit dhe është vetëm pas Robi Faulerit (nëntë), Alan Shirerit (11) dhe Serxho Agueros (12). Kur i shënon – Është interesante të shohësh edhe gjeografinë e tregolëshave të Halandit, të cilët pothuajse janë ndarë në mënyrë të barabartë në pjesën e parë dhe të dytë. Nga 38 golat e tij në këto 11 tripleta, 20 kanë ardhur para pjesës së parë dhe 18 pas pushimit. Ai është një nga lojtarët më vdekjeprurës të futbollit botëror brenda zone. Këtë e tregojnë 36 nga 38 golat e tij, të cilët janë shënuar nga brenda zonës. Ndeshja e dytë e Ligës së Kampioneve e Sitit ndaj Lajpcigut ishte një tjetër natë për t’u kujtuar për Halandin, kur ai shënoi pesë gola në një sukses 7-0 ndërsa ata u kualifikuan në çerekfinale.
Duke bërë këtë, ai u bë lojtari më i shpejtë që arrin 30 gola në kompeticion. Lionel Mesi dhe braziliani Luiz Adriano janë të vetmit lojtarë të tjerë që kanë shënuar pesë gola në një ndeshje të Ligës së Kampioneve. Vetëm gjashtë nga 38 golat e tij janë shënuar me penallti. Kjo është një mesatare prej pak më shumë se 15% e golave të tij të tripletave vijnë nga pika e bardhë. Uolves është aktualisht skuadra e vetme që Haland që i ka shënuar dy tregolësha gjatë karrierës së tij. Në një sukses vendimtar 5-1 ndaj skuadrës së Geri O’Nillit, teksa ata fituan kurorën e katërt radhazi të Premier Ligës, ai shënoi katër gola, ndërsa tre erdhën përpara pjesës së parë.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co