Turqia, Irani dhe dy vende të Gjirit kanë nënshkruar një deklaratë për të forcuar lidhjet tregtare përmes një korridori të ri ekonomik në vlerë të miliardë dollarëve, për ndërtim të rrugëve dhe hekurudhave.
Përfaqësuesit e këtyre shteteve kanë nënshkruar një deklaratë për jetësim të këtij synimi përgjatë vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan të hënën në Irak, ka thënë zyra e kryeministrit irakian, Mohammed al-Sudani, të martën.
Ministrat prej Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e kanë nënshkruar, po ashtu, deklaratën.
Dy vendet e pasura të Gjirit janë mbështetëse potenciale të projektit, i cili besohet se do të kapë shifrën e 20 miliardë dollarëve.
Projekti njihet si “Rruga Zhvillimore”, apo “Kanali i thatë”.
Puna në të besohet të përfundohet më 2038, kur një rrjet rrugësh dhe hekurudhash të lidhin një port të ri në Basra, në jug të Irakut, me Turqinë në veri.
Prej atje, korridori pritet të zgjerohet deri te porti turk Mersin në Mesdhe, dhe përmes Stambollit në Evropë.
Erdogani e ka përshkruar projektin si ‘Rruga e re e Mëndafshtë’.
Porti i ri në Basra është duke u ndërtuar prej një kompanie jugkoreane, dhe pritet të jetë një prej më të mëdhave në Lindje të Mesme.
Irani shpreson që të shndërrojë këtë port në një qendër biznesi në mes të Azisë dhe Evropës.
Megjithatë, situata e brishtë e sigurisë në Irak, tensionet politike dhe korrupsioni i përhapur, kanë ngritur pikëpyetje nëse ky port dhe infrastruktura përcjellëse do të përfundohen në afatet e përcaktuara./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co