Katërmbëdhjetë trupa të pajetë u gjetën të hënën në një periferi të pasur të Port-au-Prince, ku anëtarët e bandës sulmuan në agim, ndërsa haitianët janë ende në pritje të krijimit të një këshilli kalimtar, finalizimi i të cilit pritet menjëherë, sipas SHBA.
Një fotoreporter i AFP numëroi 14 trupa në Petion-Ville, një periferi të kryeqytetit. Dy banorë thanë se të paktën dhjetë persona u vranë, duke mos ditur rrethanat e vdekjes së tyre.
Megjithatë, ata theksuan se “banditë të armatosur” kishin përhapur terror që nga agimi në Laboul dhe Thomasin, dy zona të rrethit. Ata sulmuan një degë banke, pikë karburanti dhe shtëpi. “Ata erdhën të gjithë të veshur me kapuç, me makina, motoçikleta, ambulancën e tyre, më pas masakruan popullsinë e Petion-Ville,”, tha një banor, Vincent Jean Robert.
Ndër shtëpitë që u vandalizuan ishte edhe ajo e një gjyqtari të Këshillit Shtetëror të Haitit, i cili mundi të largohej në kohë falë ndërhyrjes së policisë. Rreth 80% e kryeqytetit haitian kontrollohet nga bandat, të akuzuara për një mori mizorish – vrasje, përdhunim, plaçkitje, rrëmbim për shpërblim. Haiti, i cili po përjeton një krizë të thellë sigurie dhe politike, është përballur me një përshkallëzim të shpejtë të dhunës që nga fillimi i muajit, kur bandat bashkuan forcat dhe filluan të sulmojnë vendet strategjike në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Ariel Henri.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co