Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, thotë se është frymëzuar nga golat e pamëshirshëm të Kristiano Ronaldos, teksa përgatitet të luajë ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e kombëtares.
Sulmuesi 31-vjeçar do të festojë ndeshjen e tij jubilare në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Finlandës sonte në “Wembley”. Golashënuesi rekordmen i Anglisë mori kritika për paraqitjet e tij gjatë Europianit të kësaj vere, por sulmuesi i Bajernit të Mynihut thotë se Ronaldo, i cili shënoi golin e tij të 901-të në karrierë në moshën 39-vjeçare të dielën në mbrëmje kundër Skocisë, tregon se Kejn mund të vazhdojë të luajë dhe të shënojë në nivelin më të lartë për shumë vite ende.
“Ndihem në formë shumë të mirë, fizikisht dhe mendërisht në kulmin e karrierën time”, tha Kejn në konferencë. “Duke parë Ronaldon të shënojë golin e tij të 901-të në moshën 39- vjeçare, më frymëzon të luaj për aq kohë sa të jetë e mundur. Më pëlqen të përfaqësoj Anglinë më shumë se çdo gjë dhe nuk dua që kjo të përfundojë së shpejti. Ka të bëjë vetëm që të vazhdoj të përmirësohem dhe të jem i qëndrueshëm. Kush e di se sa ndeshje apo gola mund të shënoj, por jam i uritur për më shumë”.
I pyetur nëse Ronaldo ishte një frymëzim, Kejn tha: “Ronaldo dhe Mesi ishin njerëz që unë i shikoja duke u rritur, ata ishin në kulmin e tyre kur unë isha në vitet e mia të adoleshencës. Të dy ishin frymëzim për mua, duke pasur atë uri, dëshirë dhe vendosmëri dhe ndjenjën për të vazhduar t’u provosh njerëzve se e kanë gabim dhe t’i tregosh vetes se mund të jesh më i miri i mundshëm. Unë përpiqem të përdor lojtarë të ndryshëm për të më motivuar. Të shënosh mbi 900 gola në karrierën tënde është një rekord i jashtëzakonshëm, të luash deri në moshën e tij është vërtet frymëzuese”.
Kejn vlerësoi edhe trajnerin provizor të “Tre Luanëve”, Li Karslej, i cili debutoi të shtunën kundër Irlandës: “Ka qenë shumë mirë. Është një energji e re në skuadër, sidomos pas përfundimit zhgënjyes të verës. Ka qenë fantastike të punosh me trajnerin deri më tani. Ai ka sjellë idetë e tij, se si dëshiron që ne të luajmë. Mendoj se djemtë e kanë shijuar. Ne kemi një përzierje të mirë të rinisë dhe përvojës në ekip. Ju po shihni fytyrat e emocionuara të disa prej lojtarëve të rinj”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co