Bota

“Këto pasuri prej një kohe të gjatë, ndodhen nën sekuestro, në pritje të…” / Zbulohet dokumenti i rrallë i vitit 1947, si konfiskoheshin pronat dhe pasuritë e “armiqve të popullit”?

keto pasuri prej nje kohe te gjate ndodhen nen sekuestro ne pritje te zbulohet dokumenti i rralle i vitit 1947 si konfiskoheshin pronat dhe pasurite e armiqve
keto pasuri prej nje kohe te gjate ndodhen nen sekuestro ne pritje te zbulohet dokumenti i rralle i vitit 1947 si konfiskoheshin pronat dhe pasurite e armiqve

Ku përfundonin pasuritë që iu konfiskoheshin të etiketuarve si “armiq të popullit” dhe “kriminelë lufte”? Kush i administronte? Ç’pjesë iu lihej familjarëve të tyre dhe si veprohej me dosjet e këtyre konfiskimeve? Një varg dokumentesh të periudhës janar-mars 1947, dëshmojnë se kjo histori kishte shumë anë të errëta. Dhe nuk flitet këtu për ligjshmërinë e këtij akti që merrej thjeshtë dhe vetëm për arsye politike (pjesa dërrmuese, ishin kundërshtarë të regjimit komunist).

Edhe pse kishin kaluar më shumë se dy vjet dhe ishin mbyllur pjesa dërrmuese e gjyqeve politike, regjimi komunist nuk kishte hedhur ende hapa seriozë, për regjistrimin e këtyre pasurive, shtetëzimin e tyre dhe administrimin e rregullt të kësaj pasurie. Komisionet lokale të ngritura që në vitin 1945 për konfiskimet, nuk funksiononin në rregull dhe një pjesa e mirë e pasurive nën sekuestro, ishte dëmtuar apo zhdukur.

Në një shkresë të 18 janarit 1947, Ministria e Financave vë në dukje se; “administrimi i kësaj pasunije ndën sekuestro, sjell ndërlikime të mbëdha dhe i ka çelur nji punë tepër të madhe Seksioneve Financiare periferike, të cilët detyrohen t’administrojnë dhe të mbajnë llogari individuale për secilin person. Për pos kësaj, mos sistemimi definitiv i kësaj pasunije, ka pasur si pasojë damtimin dhe çdukjen e nji pjese të konsiderueshme të saj”.

Për këtë arsye kjo ministri, kishte nxjerrë një qarkore për pjesën dërrmuese të prefekturave të Shqipërisë, ku parashtronte në 13 pika, se si duhej të administrohej kjo pasuri, që ju ishte marrë kundërshtarëve të regjimit.

Qarkorja pasohet me një varg shkresash të tjera, deri në mars të vitit 1947, duke dëshmuar forcimin e këtij aksioni shtetëror, për të zbardhur e regjistruar e njëkohësisht për të përligjur një prej grabitjeve më të paprecedenta të pronës private, në historinë e vendit.

Më poshtë sjellim dy dokumentet e para, për të vijuar botimin e dokumenteve të tjera, më pas.

Dokumenti 1

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISE

V.F. L. P.

MINISTRIJA E FINANCAVET

DREJTORIA E T’ARDHUNAVE

Nr. 3/18

Tiranë, më 18/I/1947

Landa: Mbi mos funksionimin e Komisioneve për konfiskimin e pasunive private.

KRYEMINISTRIS

T i r a n ë

Me ligjën Nr. 40 datë 14.1.1945 modifikue me Dekret-Ligjën Nr. 249 dt. 27.V.1946, asht parapa krijimi dhe funksionimi i Komisioneve lokale, për konfiskimin e Pasunive private kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit.

Nga dita e çlirimit e këndej, gjyqet e ndryshme kanë dhënë një numur të math vendimesh ndëshkimore, në të cillat parashifet dhe konfiskimi i tanshëm ose i pjesëshëm i pasurivet të lujtëshme dhe të paluejtëshëm të këtyne personavet. Këto pasuri prej nji kohe të gjatë, ndodhen nën sekuestro, në pritje që të vendoset konfiskimi i tyne, nga ana e Komisioneve të nalt-përmenduna.

Administrimi i kësaj pasunije ndën sekuestro, sjell ndërlikime të mbëdha dhe i ka çelur nji punë tepër të madhe Seksjoneve Financiare periferike, të cilët detyrohen t’administrojnë dhe të mbajnë llogari individuale, për sejcilin person.

Për pos kësaj, mos sistemimi definitiv i kësaj pasunije, ka pasur si pasojë damtimin dhe çdukjen e nji pjese të konsiderueshme të saj.

Nga sa i rezulton kësaj Ministrije, gjithë dosjet përkatëse u janë referue këtyne Komisioneve qysh prej kohe, por këta s’i kanë dhanë randësin e duhun çashtjes dhe kështu puna ka ardhë tue u grumbullue vazhdimisht.

Me urdhëna të përsërituna kjo Ministri, ka kërkue prej Komiteteve Ekzekutive të Prefekturavet, që këto Komisione të fillojnë nga puna me nji herë dhe t’i japin sa ma parë fund këtyne veprimeve, por deri sot, për pos disa vendime sporadike të Komisioneve në Prefekturat e Tiranës, të Peshkopis, Vlorës, Gjinokastrës dhe Beratit, asnji nga Prefekturat e tjera, s’kanë fillue akoma nga puna.

Që të mundet kjo pasuri jo e vogël, të gjejë sistemin e duhun d.m.th., të ndahet ajo që do të konfiskohet në favor të Shtetit, nga ajo që do t’u lihet familjeve të të dënuarve, kështu që Zyrat e Pasunis së Shtetit, të marrin nën administrim pjesën që i takon Shtetit, lutemi që t’intervenoni pranë Komisionit Qendruer dhe Komisioneve lokale, për konfiskimin e pasunivet të privatëvet, që të japin sa ma parë fund këtyne veprimeve, tue caktue mundësisht edhe nji afat brenda të cilit, të marrë fund shqyrtimi i dosjeve relative.

MINISTRI I FINANCAVET:

(firma, vula)

Dokumenti 2

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

V.F.L. P.

MINISTRIA E FINANCAVET

Drejtorija e t’Ardhunavet

Nr. 3/19

Tiranë, me 21.I.1947

Q A R K O R E

                                             KOMITETIT EKZEKUTIV TË PREFEKTURËS

                                                          – Seksionit Financiar –

Durrës-Tiranë-Shkodër-Korçë-Vlorë-Berat-Elbasan-Gjinokastër-Kukës-Peshkopi

L a n d a : Instruksione mbi sistemimin e pasunive të sekuestrueme.

Këto kohët e fundit Komisionet Lokale për konfiskimin e pasunivet private të disa Prefekturavet, kanë fillue nga shqyrtimi i dosjeve përkatëse mbi konfiskimin e pasunis së kriminelave të luftës dhe anmiqt të popullit.

Përfundimi i kësaj pune, imponohet një orë e ma parë, pse përveç konsideratavet të tjera, damton rëndë interesat e Arkës së Shtetit dhe pengon mundësit për një administrim mà të mirë dhe ekonomik të pasurivet, që me këtë rast i kalojnë Shtetit.

Për këto arsye, kërkojmë që t’i nepen gjithë ndihmat dhe nxitjet e duhura Komisioneve në fjalë, që të shpejtojnë marrjen e vendimeve të konfiskimit. Theksojmë se deri më sot këto Komisione, nuk kanë ecë me ritmin e duhur, prandaj është nevoja të shpejtohen veprimet, tue na mbajtë në korent dhe tue na konkretizue, shkaqet q’eventualisht pengojnë këtë punë.

Ullishtat, pemishtat, tokat e bukës, që i kapë ligji i Reformës Agrare, nuk duhet të figurojnë në Vendimet e konfiskimit, porse këto do të konfiskohen dhe do t’i njoftohen Zyrës së Reformës Agrare, e cila u a ndan fshatarëve q’e punojnë.

Për t’evituar korrespondencë të tepërtë, këndej e tutje e shofim të nevojshme t’apim në mënyrë të përmbledhur, të gjitha udhëzimet rreth veprimeve që duhet të kryeni, me kalimin e kësaj pasunije n’administrimin t’uaj definitiv. Prandaj sa herë që të merrni kopje vendimesh konfiskimi nga Komisioni Lokal për konfiskimin e pasunivet private, do të veproni si më poshtë:

1– Për të gjithë pasunin e patundëshme, do të kërkoni nga Zyrat e Ipotekavet transkriptimin në favor të Shtetit dhe në bazë të këtyre notë-transkriptimeve, do të bëni rregjistrimin në librat themeltare të pasunivet Shtetnore dhe do të lidhni kontratat e duhura.

2– Pasunija e lujtëshme si: mobilje, orendi shtëpijake etj., vogëlsina të kësaj natyre, duhet t’i shiten dyqaneve të Shtetit. Për atë pjesë që nuk merret prej dyqaneve të Shtetit, të zhvillohet shitja me ankant publik.

3– Sasit e ndryshme të dhrithnavet, q’eventualisht mund të konfiskohen, t’i shiten, kundër pagese, N.T.SH.-s të grumbullimit të dhrithnavet.

4 – Bagëtit do t’u shiten Fermave Shtetnore ma t’afërme, mbasi të jetë caktue vlefta e tyre nga një Komision, ku të përfaqësohet Financa dhe Ferma. Ato bagëti që nuk i blejnë Fermat, të shiten n’ankant publik.

5.– Mullijt e dridhit ose të vajit, në qoftë se nuk i merr nën administrin e saj Ministrija e Ekonomis, t’administrohet prej zyravet të Pasunis së Shtetit n’ekonomi.

6.– Makinast e ndryshme (Kamiona, kamionçina, vetura, etj.) t’i dorëzohen Agjensis s’A.T.A.SH.-it me proces-verbal të rregulltë dhe mbasi të fakturohet vlefta e tyre.

7– Pjesët e ndryshme të makinarivet, që mund të konfiskohen, t’u dorëzohen, gjithëmonë me proces-verbal e, mbasi t’u jetë fakturue vlefta, atyre Enteve Shtetnore që kanë n’administrimin atë-lloj makinerije, p.sh., materiali kinematografik, i dorëzohet Agjensis së Filmave, etj.

8.– Ulliri kokër, do t’i dorëzohet kundër-pagese, Entit për grumbullimin e ullijvet dhe pemët e tjera, do të shiten me ankant publik.

9.– Plaçkat e përdoruna shtëpijake, si dyshekë, jorgana, çarçafë, enë kuzhine, etj., do t’u dorëzohen dyqaneve të Shtetit, kundër-pagesë, dhe në qoftë se ato nuk i marrin, do të shiten me ankant.

10.– Në rastet se personi, pasunija e të cilit konfiskohet ka detyrime ndaj personave të tretë dhe kur këto detyrime janë përmend shprehimisht në vendimin e konfiskimit, atëherë nga t’ardhurat e pasunis së tij, do të bëni likuidimin

11.– T’ardhurat nga shitja e pasuris së lujtëshme ose nga likuiditetet, si dhe t’ardhurat gjatë kohës s’administrimit në sekuestro, mbasi të zbriten shpenzimet prej datës së sekuestrimit e deri në datën e konfiskimit, këto do të derdhen në Titullin I Kap.I, Art.3 të budxhetit Kombëtar.

12.– Për gjithë periudhën e administrimit nën sekuestro të pasunis së ç’do një prej personavet të naltë-përmendun, do t’i dërgoni kësaj Ministrie një proces-verbal në formë raporti, në të cilën do të jepni llogari të hollësishme për t’ardhurat e nxjerruna, dhe shpenzimet e bamuna, tue i dokumentue rregullisht. Njëkohësisht do të na dërgoni edhe proces-verbalet e shitjeve eventuale, për të gjithë pasunin e lujtëshme, mbrënda njëkohe sa më të shkurtër

13.– Për të kompletue rregjistrimet përkatëse, në librat themeltare të Seksionit të Pasunis së Shtetit pranë këtij Dikasteri dhe për të qënë konformë me librat që mbajnë Zyrat e Pasunis së Shtetit në të gjitha qarqet, krye ç’do gjashtë muajsh, do të na dërgoni formularët Mod.16/I bis, ku të figurojnë të rregjistrueme të gjitha pasunit e palujtëshme të konfiskueme e të transkriptueme, n’emër të Shtetit. Memorie.al

Ministri i Financavet :

(firma, vula)

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts