Të paktën 70 persona, përfshirë fëmijë janë vrarë pasi një bandë e armatosur sulmoi një qytet të vogël në Haiti të enjten me kohën lokale, raporton BBC.
16 persona u plagosën rëndë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ndërsa anëtarët e bandës “Gran Grif” mësynë qytetin Pont-Sonde në rajonin qendror Artibonite rreth 71 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë grupe njerëzish që ikin nga dhuna me motoçikleta dhe në këmbë. Një prokuror i qeverisë e përshkroi sulmin si “masakër”.
Bandat e armatosura kanë marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Haitit dhe një mision policie i mbështetur nga OKB-ja, i udhëhequr me oficerë nga Kenia, filloi në qershor në përpjekje për të rikthyer kontrollin.