Aleks Iuobi duket se e kujton gjithmonë shprehjen e famshme “kurrë mos harro nga vjen”. Futbollisti i Premier Ligës, mund të kalonte shumë mirë festën e Krishtlindjeve ashtu si kolegët e tij milionerë, me pushime në vende luksoze. Por ylli i Fullhem, ka zgjedhur një mënyrë krejt ndryshe për të kaluar këtë festë.
Iuobi ka lindur në Nigeri, por është transferuar që i vogël në Kaning Taun, një lagje në Londër që njihet për numrin e lartë të të varfërve. Iuobi ia ka dalë të largohet nga varfëria falë talentit në futboll, por nuk ka harruar vuajtjet e njerëzve të tij në këtë lagje. Ndaj këto ditë, ai ka hapur një minimarket të vogël në këtë lagje, “Alexpress”, në të cilin personat në nevojë mund të marrin falas ushqime, pije dhe gjëra për shtëpinë, për të kaluar në mënyrë pak më të këndshme këtë festë.
“Më pëlqen të bëjë diçka në çdo Krishtlindje që të mundohem të kthej diçka. Kemi hapur këtë dyqan, një minimarket i vogël, që të mundohemi që t’iu shpërndajmë ushqime familjeve që nuk mund t’i blejnë. Nëse mund t’i ndihmoj që ta festojnë në mënyrë dinjitoze, pse të mos e bëj këtë? Shembullin ma kanë dhënë prindërit e mi. Falë tyre, duke u gjendur në pozitën ku jam sot, bëj çdo gjë që mundem për t’i dhënë një dorë atyre që kanë më pak se unë”, tha Iuobi për BBC.
PANORAMASPORT.AL