Konferenca e Pezës dhe rishkrimi i Historisë/ Dy pushtime të huaja njëra pas tjetrës dhe më pas uzurpimi komunist

konferenca e pezes dhe rishkrimi i historise dy pushtime te huaja njera pas tjetres dhe me pas uzurpimi komunist





































ROMEO GURAKUQI/ Lufta e Dytë Botërore është një periudhë komplekse, posaçërisht e vështirë për t’u studiuar në Shqipëri, për shkak të rezistencës së faktorëve politikë diktatorialë, hendekut të madh në mes një historiografie vendase së ngurtësuar mbi shabllone njëdimensionale, me arritjet bashkëkohore në Perëndim, lidhur kjo me tipin e Shkollës që rezistoi me kokëfortësi antishkencore në tranzicion ndër ne, bazuar mbi gjysmë të vërteta, me fiksime njëdimensionale dhe me pamundësitë praktike për një kohë të gjatë në aksesimin e arkivave dhe bibliotekave të huaja.

6.-ceta-e-pare-antifashiste-e-pezes-c1200x600-c1200x600

Në artikullin e sotëm do paraqes 1.një përkufizim mbi Kohën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri; 2. të shpjegoj pse kjo kohë ka pasur një rendësi vendimtare dhe afatgjatë në jetën shtetërore, në aspektin nacional, të lirisë për të gjithë, vlerave demokratike të promovuara nga Aleatët Perëndimorë gjatë dhe pas luftës, ndërprerjes së zhvillimit normal të shtetit, shoqërisë, arsimit, kulturës, shkencës dhe konsijancës brendshme të nacionit, të përjetuar në këtë kohë shndërrimesh të pangjashme për Shqipërinë e pazhvilluar; 3. të tregoj pyetjet kërkimore mbi të cilat ndahen studiuesit sot dhe arsyet pse përgjigjet e këtyre pyetjeve normale në studimet bashkëkohore në Perëndim, shmangen nga historiografia deskriptive e vëtëzyrtarizuar ndër anët tona; 4. Çfarë duhet të bëjmë ne për ta pasur një Hartë të Pranueshme nga pikëpamja shkencore të Kuptimeve të Historisë së Luftës së Dytë Botërore?

SFIDA E SHPJEGIMIT TË LDB

Shqipëria në LDB ishte viktimë e dy agresioneve të shteteve fashiste dhe uzurpimi ushtarak të pushtetit, përkundër linjës shtetformuese të ndërtimit të autoritetit shtetëror. Në këtë kohë, Shqipëria humbi subjektivitetin në të drejtën ndërkombëtare dhe për rrjedhojë edhe përgjegjësinë. Përndryshe, rikthimi i kësaj njohjeje, pas luftës prej anës së uzurpuesve komunistë të pushtetit, ka qenë një sipërmarrje që është ripërtërirë me vështirësi dhe asnjëherë nuk ia ka dalë të përftojë legjitimitet nga dy Aleatët Perëndimorë Antifashistë, SHBA dhe Britania e Madhe.

Koha e LDB në Shqipëri është koha e thyerjes së zhvillimit dhe e evolucionit normal të shoqërisë shqiptare, kryer nga dy pushtime të njëpasnjëshme të huaja dhe nga uzurpimi komunist i pushtetit në Tiranë dhe kryeqendrat e trevave shqiptare periferike, pas nëntorit 1944 dhe në vijim. Është koha e Luftës Antifashiste, por edhe një ballafaqimi civil ardhur për shkak të qasjeve të ndryshme politike mbi përballimin e sfidës; është koha e një prapësimi regresist, ndërrimit kualitativ të brezit ndërtimor të institucioneve.

Thyerja historike ka qenë shumëdimensionale dhe është përjetuar ndër komunitetet përbërëse të kombit shqiptar, në elitën e tij qendrore dhe rajonale, me pozicionime politike jo të qëndrueshme, shpesh herë të përkundërta, brenda të njëjtëve grupe sociale dhe të njëjtëve personalitete, për shkak se bëhej fjalë për një periudhë shndërrimesh të dhunshme të rendit politiko-intetuese, të pësojë në fund fare një ndryshim radikal dhe të pangjashëm sistemi, të kundërt me marrëveshjen ndërkomunitare mbi Shtetin.

2. LDB asht koha e një lëvizje nacional-çlirimtare me spektër të gjerë antifashist, si aspiratë e rinisë shqiptare të asaj kohe, formimit të disa lëvizjeve me këtë qëllim, duke filluar nga LANÇ, e nisur në start, me 16 shtator 1942, si organizatë gjithpërfshirëse, pjesë e vetofruar e koalicionit antifashist botëror, e zhveshur në rrugën e vet gradualisht, me kujdes dhe programim, nga ky objektiv për të sjellë lirinë për të gjithë, drejt një organizate sektare, e drejtuar kundër çdo arritjeje pozitive që me mundim dhe largëpamësi elita pararëndëse kishte krijuar, si edhe gradualisht kundër Aleatëve Perëndimorë Antifashistë.

(është fjala për përdorimin e pushtetit komunist në Shqipëri nga sovjetikët përmes jugosllavëve, në Incidentin e Kanalit të Korfuzit ishte përplasja e parë e përgjakshme mes Lindjes dhe Perëndimit, realizuar me dorën e Enver Hoxhës). LDB, është koha e formësimit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare që mbajti barrën kryesore të luftës për liri, por edhe e lëvizjeve të tjera nacionaliste, një pjesë e të cilave vijuan rrugën e nisur gjatë pushtimit fashist italian edhe në kohën e okupacionit gjerman, deri kur armët e vëllezërve u drejtuan kundër tyre.

Në rrjedhën e fundit të luftës, PKSH, duke punuar nëpërmjet LNÇ/ FNÇ, ia doli ta shndërronte forcën e vet politike, në të vetmen lëvizje efektive të qëndresës në Shqipëri, për shkak të ngurrimeve të nacionalistëve dhe bashkëpunimit të disa prej tyre me gjermanët. Aleatët, të dhënë pas luftës për të mposhtur Gjermaninë, ndihmuan lëvizjen aktive të rezistencës, partizanët e LNÇ të kontrolluar nga PKJ.

3. Dështimi i nacionalistëve për t’u bashkuar aktivisht në luftë në kohën e pushtimit gjerman, me Aleatët, i hapi rrugën PKSH për të ardhur në pushtet përmes FNÇ-së, organizatës së pastruar në vitin 1944 nga nacionalistët, dhe për të rizvogëluar shtetin në kufijtë e vitit 1921 (duke lejuar rishkëputjen e “Tokave të Lirueme” nga shteti), dhe duke rindërtuar shtetin e vogël por me parime të kundërta, me ata që vendosën etërit e vërtetë të Shqipërisë 1912- 1921.

4. Kjo periudhë është e rëndësishme nga pikëpamja studimit të fenomenit të rrënimit të strukturës së një shteti të ekuilibruar kulturalisht e krahinarisht, mbi një konsensus të faktorëve përbërës të nacionit, shuarjes të vlerave perëndimore të kushtetutës dhe kartës së lirive civile, laicizmit perfekt, ideologjisë rilindase mbi të cilën ishte vendosur sistemi i edukimit;

5. Siç çdo thyerje e rëndë ndërkombëtare, zhvillimet e luftës me pasoja mbi Shqipërinë, çelën spontanisht një përpjekjeje shprese për ribërjen e shtetit në kufijtë nacionale. Kishte brenda saj një tingëllim të “Orës së Shqipnisë”, si aspiratë e një kombi të penguar historikisht nga faktorë të jashtëm dhe jo vetëm, në rrugën për të jetuar në një shtet nacional si të gjithë vendet e tjera ballkanike; Fatkeqësisht ndërtimi i shtetit nacional më 1941, qe veç një ëndërr e shkurtër 4 vjeçare.

Përpjekja e organizuar të Klasës Intelektuale shqiptare, e përfaqësuar nga Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte, për mbrojtjen e Shqipërisë së Vërtetë, të themeluar atë kohë, në Konferencën e Paqes, për shkak të pilotimit të udhëheqësisë vendase ushtarakisht dhe diplomatikisht nga jugosllavët dhe sovjetikë, u rrënua menjëherë: Kosova, Dibra, Malësia dhe Ulqini u lëshua nga klika e Enver Hoxhës.

6. Fundi i LDB është koha e ardhjes së një lirie të çuditshme me 29 nëntor 1944, e shoqëruar me ndëshkim fizik dhe moral të pa dallim të, ndaj Shqipërisë që Priste në Heshtje Ristabilizimin, Ruajtjen e shtetit nacional si një e drejtë e përcaktuar, Vijimësinë e Elitës Shtëtformuese, Ruajtjen e balancave dhe strukturës së burimeve njerëzore administrative dhe politiko-përfaqësuese; Brenda pak javëve në fundin e vitit 1944, ndodhi rrënimi i udhëheqësisë shtetërore të paraluftës, si dhe përforcimi në krye të së majtës shqiptare në luftë, i një lidershipi të ndërvarur robërisht nga Netowork-u Moskvit dhe agjenda sovjetiko- jugosllave, e cila determinoi plotësisht kahun, rrugën që ndoqi ky vend në fundin e vitit 1944 dhe gjatë vitit 1945, në planin nacional, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.

7. Është koha e rishkëputjes së Kosovës nga Shteti dhe e Ribashkimit të tretë me Serbinë, me kontribut të pafshehur dhe të dokumentuar edhe nga rekordet e sotme të AQSH, të Divizioneve të UNÇSH; Shqipëria nëntorit të vitit 1944, do jetë një Shqipëri me perspektivë krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput më 7 prill 1939, e ajo që u përpoq të rindërtohej në vjeshtën 1943, nga Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi dhe Rexhep Mitrovica, njerëzit më atdhetarë të Shqipërisë: ajo do të jetë tanimë një Shqipëri pa Kosovën, pa Dibrën, pa Ulqinin, Hotin dhe Grudën, që bash në këtë kohë i kaluan tinëzisht Jugosllavisë si detyrim përulës i ekipit që erdhi në fuqi në Tiranë, ndaj Beogradit, një Shqipëri me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, me nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile në zhvillim e sipër, e cila do të vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas deri në shtator 1946.

Koncepti i Kombit në përfundim të kësaj lufte, me zhdukjen nga referenca ndërtimore e konventave themeluese shtetërore dhe lënien e pambrojtur të trevave të banuara nga shqiptarët në Ballkan prej anës së “fitimtarëve”, pëson hapa prapa në aspektin e emancipimit dhe unitetit.

8. Lufta civile do ta mbisundonte dhe kapërthente idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo periudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturën e vet tradicionale, pa elitën pararendëse dhe nën një pozicion krejtësisht të nënvendosur politik, përfaqësues dhe vendimmarrës. Epiqendra e pushtetit pas 29 nëntorit të vitit 1944 u vendos nën kontrollin e grupimit politik krahinor të Enver Hoxhës

9. Në mënyrë të veçantë goditja e ngadhënjyesve ka qenë më e mprehtë dhe rrënimtare mbi komunitetin katolik dhe udhëheqësit kishtarë e laikë, ndaj të cilëve, shteti i drejtuar nga Enver Hoxha ndërmori një plan të posaçëm goditjeje të diferencuar rrënuese, të ngjashëm me një plan të ‘goditjes e zgjidhjes finale’ asgjësuese, në tejkalim të nevojave për ruajtjen e pushtetit dhe sigurimit të mbijetesës së rendit legal, që vendosën me forcë në fuqi. Bëhet fjalë për një krim të kulluar, të paprovokuar, të kryer me objektiv të qartë dhe të planifikuar paraprakisht, ndaj pjesës më të emancipuar të shoqërisë, lidershipit të Rilindjes, Shtetformimit, Arsimit, Kulturës, Shkencës dhe Vetëdijës Nacionale;

10. Nga rrjedha e luftës në Shqipëri dhe brenda kohës së LDB, me pahir, jo si zgjedhje demokratike, afërmendsh si zgjedhje e anës së duhur të historisë, filloi aderimi i shtetit tonë tanimë të cunguar sërish, në një aks shtetesh që komandoheshin në Moskë: ndodhi e pabesueshmja: Rusia doli tanimë në Kanalin e Otrantos me satelitin e saj të ri, Shqipërinë e Çliruar nga Fashizimi, por e kapërthyer nga një grup rishtarësh që nuk ndaleshin para asgjëje. Bëhej fjalë për një dalje ushtarake, por edhe për formësimin e një modeli shteti sovjetik mu përballë frontit ndarës që po kristalizohej, në mes Lindjes dhe Perëndimit; Dhe kjo jo si programim ndërkombëtar siç mund të pretendohet nga disa studiues përherë zyrtarë, por si vetofrim i diktatorit të pilotuar në kushtet ndërkombëtare që e lejonin.

Shqipëria ishte një vend i parëndësishëm deri atëherë për Aleatët Perëndimore, që u la spontanisht të shkonte në Lindje. Të gjitha këto rezultate që ju ofrova, që janë produkt i punës kërkimore të studiuesve perëndimorë, i gjeni në çdo studim bashkëkohor, po qe së aksesoni në një Bibliotekë Perëndimore për disa muaj, nuk ia kanë dalë të pranohen zyrtarisht nga historiografia shqiptare, me debat shkencor të munguar, me Këshilla Shkencore jo funksionale dhe të përdoruara me meskinitet, mediokritet dhe përdorim privat, përkundër arsyes publike. Sa më sipër tregon se, në vendin tonë nuk ka ekzistuar vullneti për korrigjim shkencor të themeltë.

Temat e Luftës së Dytë Botërore dhe e fillimeve të kohës së Luftës së Ftohtë janë ende sot në Shqipërinë bashkëkohore, një debat kryesisht politik i radhës së parë dhe krejt më pak një debat studimor, për shkak të regjimentimit të shoqërisë sonë, por edhe nivelit të prapësuar të studimeve historike në përgjithësi, në krahasim edhe me vendet rreth e qark nesh, që ia kanë dalë të hyjnë prej së vërteti dhe gjerësisht ndër burimet arkivore dhe studiojnë literaturën bashkëkohore, që të hap sytë për të kuptuar gjendjen ku ndodhemi, kapërthimin formalist të shkencës, prapambetjen ulëritëse të shkollës që përgatit studiuesit.

Sot jemi me 16 shtator 2024, në 80 vjetorin e Konferencës Antifashiste të Pezës, në vigjilje të 80 vjetorit të largimit të ushtrive gjermane nga Shqipëria, çlirimit të vendit dhe vendosjes së diktaturës njëkohësisht, dhe mund të themi, se Kornizat e vjetra të njohjes së periudhës së LDB, përcaktuar symbyllazi nga historiografia komuniste shqiptare, duhet të konsiderohen të thyera me mbylljen edhe të brezit politik që ishte përpjekur t’i vuloste hermetikisht ata pa ndërrim.

Ka ardhur momenti për të kuptuar se struktura e brendshme e shkrimit të historisë në Shqipërinë shkencore të izoluar nga perëndimi, rezultoi të jetë vetëm e përkohshme: e gjithë struktura e ndërtuar asokohe, pasi hyri fillimisht në krizë, ka rënë gradualisht dhe sot ne po kërkojmë riformatim, riorganizim, rizbulim dhe rishpjegim mbasi kërkohet një reference bashkëkohore për t’u mësuar nga brezat e ardhshëm të nxënësve shqiptarë Gjithsesi, hapësira publike shqiptare ende nuk është e lirë, por është edhe e pa sponsorizuar për kërkim indipendent shkencor. Ajo hapësirë karakterizohet nga llogorizimi politik i debatuesve, mbetja nën paradigmat e komunizmit, ose të revizionizmit sipërfaqësor të një pjesë të “historianëve të përjetshëm zyrtarë”. Kjo ka krijuar konfuzion dhe vështirësi për publikun që priret nga e vërteta dhe posaçërisht për nxënësit shqiptarë në mësimin e historisë.

Pyetja që bëjnë njerëzit sot është se, a ekziston një histori e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore dhe e vendosjes së diktaturës për Shqipërinë?

Publiku kërkon shkrimin e një historie të drejtë, që priret të shpjegojë realitetin shqiptar në tërësi, Luftën Nacional Çlirimtare, Luftën Civile, Kolaboracionizmin në përmasën reale, në tipologjitë, në thelbet e veta dhe variacionet; Procesin çlirimtar partizan, por edhe tejkalimin e pajustifikueshëm të objektivave të rezistencës, që në kohën e luftës nga ana e LNÇ; Përdorimin e të drejtës së rezistencës kundër fashizmit dhe aspiratës për liri, kryesisht për objektiva të pushtetit, për eliminimin e elitës së vjetër dhe shkatërrimin e plotë të shoqërisë drejtuese të Shqipërisë, të kryeqendrave të saj tradicionale. Instituti i Historisë Akademia e Shkencave (vijon në artikullin e ardhshëm) /Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →