Konferenca Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Pirdeni: Transparenca mbi punën e administratës, ushqyes i pazëvendësueshëm i besimit

konferenca kombetare per te drejten e informimit pirdeni transparenca mbi punen e administrates ushqyes i pazevendesueshem i besimit
konferenca kombetare per te drejten e informimit pirdeni transparenca mbi punen e administrates ushqyes i pazevendesueshem i besimit

Po mbahet Konferenca Kombëtare për të drejtën e Informimit

Në fjalën e saj ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, ka deklaruar se kemi kaluar nga një e shkuar ku kishte sytë mbi gjithçka e gjithkënd, tek një sistem ku gradualisht sytë e gjithkujt drejtohen nga shteti.

Ajo shtoi se në transparenca mbi punën e administratës është një ushqyes i pazëvendësueshëm i besimit, ndërsa shtoi se i është kushtuar vëmendje inovacionit për akses në informacion.

Pirdeni ka kujtuar se një vit më parë, në 2023 u miratua ligji për të dhënat e hapura përmes portalit opendata.gov.al. portal i cili do të jetë më i pasuruar dhe me variant të ri.

Fjala e plotë: 

Më lejoni që t’ju uroj mirëseardhjen edhe nga ana ime në këtë Konferencë dedikuar transparencës, konferencë bashkëinicuar me Komisionerin Dervishi, të cilin gjej rastin ta falenderoj për dëshirën e mirë për të sjellë sot një panoramë të aktualizuar të progresit të transparencës institucionale, të problematikave që kanë shoqëruar ndër vite hapjen graduale të institucioneve drejt standardeve të transparencës, por edhe rrugëtimin që kemi ende përpara, nga perspektiva e disa aktorëve shtetërorë e joshtetërorë.

[embedded content]

Në kontekstin shqiptar diskutimi publik mbi transparencën merr ngjyrimet e diktuara nga gjurmët e tranzicionit, nga trashëgimia e një të shkuare orvelliane ku shteti kishte sytë mbi gjithçka e gjithkënd, ku aparati shtetëror ishte krijues por njëherësh dhe konsumues i vetëm i dokumentacionit zyrtar, tek një sistem ku gradualisht sytë e kujtdo drejtohen nga shteti. Kështu bashkë me zhvillimin aspakt të lehtë të demokracisë u lidh pazgjidhshmërisht në Kushtetutë e ligj liria për t’u informuar mbi veprimtarinë publike me përgjegjësinë për të dhënë informacion, si një shërbim publik i dedikuar dhe detyrim i trupëzuar tek çdo organ publik.
Ky vit shenjon dekadën e miratimit të Ligjit  Për të drejtën e informimit” dhe nisjen e një procesi kuptimi, pranimi dhe zbatimi të një qasje të re, më efektive, dhe më të shpejtë ndaj transparencës. Me kalimin e viteve pati një proces gradual të shtimit të autoriteteve publike që kanë detyrim të zbatojnë programin e transparencës nga 145 institucione në vitin 2015 në 332 në vitin 2023, sikurse edhe prej vitit 2018 u vu në funksionim regjistrit qendror i kërkesave dhe përgjigjeve, i cili sot është funksional në 222 autoritete publike, duke vendosur kështu themelet e një shtrirje kapilare të sistemit të dhënies së informacionit.

Me fokus forcimin e efektivitetit të zbatimit të transparencës në praktikë, në 2023 u mundësua përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat që buronin nga  realiteti institucional relativisht kompleks. Amendimet e ligjit adresuan gjetjet e Komisionit Evropian për t’i dhënë zgjidhje praktike procesit të dhënies së informacionit, duke ngarkuar me përgjegjësi themelore titullarin e institucionit për vonesa ose mosdhënie informacioni, për të mos ia ngarkuar këtë përgjegjësi vetëm koordinatorit i cili mbetet pika e kontaktit me qytetarin. Ligji njeh një trajtim të veçantë për koordinatorin përmes akordimit të shtesës në pagë, për t’iu qasur këtij detyrimi me më shumë motivim.

Paralelisht, po në vitin 2023 Shqipëria bëri një hap tjetër cilësor përpara, përmes miratimit të ligjit për të dhënat e hapura dhe për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, për të vënë në dispozicion të publikut përmes portalit opendata.gov.al një koleksion të gjerë informacioni për sektorë të ndryshëm, duke nisur nga shëndetësia, arsimi, biznesi, buxhetimi, përmes publikimit deri më sot nga AKSHI të 92 grupe të dhënash nga 8 ministri dhe 5 institucione varësie me rëndësi për të dhënat që gjenerojnë dhe ruajnë.

Në kuadër të zbatimit të programit GovTech në bashkëpunim me Bankën Botërore, AKSHI do të synojë jo vetëm përmirësimin e cilësisë dhe përdorshmërisë por do të synojë promovimit për të gjithë përdoruesit potencial të. Një varianti të ri dhe shumë më të pasuruar të këtij portali. Për analogji me zbatimin e legjislacionit të së drejtës për informim, Komisioneri është institucion rojtar i detyrimeve që burojnë nga ligji, pasi zbatimi i tij është nën lupën rigoroze të këtij institucioni.

Këto zhvillime, nuk e zbehin megjithatë nevojën për të mos shkëputur vëmedjen nga pikat nevralgjike që minojnë performancën institucionale të administratës sonë shtetërore në këtë drejtim të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies. Ndaj edhe praktikat e përmendura nga Komisioneri janë një përvojë e pamohueshme e rasteve të cilat nuk i bëjnë drejtësi, misionit që aspiron kuadri ligjor për transparencë dhe më shumë integritet në ushtrimin e funksioneve publike.
Duke hedhur për ditë e më shumë dritë mbi punën e adminsitratës, krijojmë një premisë për të sheshuar skepticizat në perceptim, paragjykime në vendimmarrje, dhe mbi të gjitha, çdo dyshim në integritet. Transparenca mbi punën mbetet një ushqyes i pazëvendësueshëm i besimit, por, ky besim mund të ushqehet vetëm nga angazhimi proaktiv i të gjithëve ne për t’a bërë pjesë të përditshmërisë tonë në punë praktikat e hapjes së institucioneve dhe niveli i këtij angazhimi, nuk mundet të ndikohet nga vetëm nga kërcënimi i gjobës, por nga brendësimi i një kulture se aksesi tek publikja u përket të gjithëve.

Sot, paraqitet si nevojë absolute që të reduktojmë problematikat krejtësisht të shmangshme në transparencën e informacionit për publikun, të cilat gërryejnë në mënyrë të panevojshme imazhin e dhe punën e zyrtarëve publikë.
Sot më shumë se kurdoherë tjetër tjetër, falë bekimit të teknologjisë duket jo vetëm të tejkalojmë këto problematika, por paralelisht duhet të kushtojmë vëmendje modernizimit dhe inovacionit në funksion të lehtësisë së marrjes së informacionit, perfeksionimit i mënyrave për t’a bërë atë më të aksesueshëm për të gjithë, pa pasur nevojën shpesh herë për të investuar institucionin përmes koordinatorit, por duke pasuruar faqet e internetit, programin e transparencës, portalin e opendata, portalin e konsultimit publik, e çdo platformë tjetër që u vjen në ndihmë qytetarëve, organizatave dhe medias.
Paralelisht, për të ngritur këtë nivel vetëdijësimi po punojmë për ridimensionimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, për t’a shndërruar atë të një qendër ekselence, ku ndër të tjerash, përmes rishikimit të sistemit të trajnimeve të dedikuara për certifikimin e koordinatorëve për të drejtën e informimit gradualisht kemi ambicie për të rritur nga 115 në 341 numrin e koordinatorëve të certifikuar, numri aktual i koordinatorëve në institucione të nivelit qendror dhe vendor.
Po aq esenciale, mbeten ndërhyrjet cilësore në progresin e nivelit të zbatimit efektiv të procesit të konsultimit publik, jo vetëm si një hallkë që i shton thjesht vlerë procesit vendimmarrës, por mbi të gjitha si një element që vesh procesin
vendimmarrës me një tjetër shtesë legjitimiteti demokratik. Vlen të theksohet se nga viti në vit, sikurse vlerësohet edhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2023, transparenca qeveritare është rritur falë publikimit të draft-dokumenteve qeveritare, përfshirë njoftimet, raportet e vlerësimit të ndikimit ligjor dhe raportet e konsultimeve publike në platformën e dedikuar online. Një hap i rëndësishëm për procesin ka qenë veçanërisht hartimi dhe hyrja në fuqi e Udhëzuesit të ri për Konsultimin Publik në vitin 2021, i cili parashion kontrolle më rigoroze për cilësinë e procesit.

Po aq domethënës për adresimin e gjetjeve të Komisionit Evropian për përmirësimin e procesit është përdorimi progresivisht i shtuar i metodave alternative të konsultimit publik, jo vetëm nëpërmjet njoftimit publik në platformën e dedikuar, por edhe nëpërmjet dëgjesave publike, takimeve konsultative dhe tryezave të rrumbullakëta, krahas dërgimit të njoftimeve automatike në vijim të publikimit për konsultim të projektakteve. Sot cdo individ ose OJF që ka paraqitur interes për të marrë informacion mbi publikimin për konsultim të një akti ose politike, merr një njoftim automatik duke u hapur rrugë kështu drejtpërdrejtë një dialogu me institucionin propozues. Vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2024 janë dërguar mbi 900 njoftime në formën e ftesave për t’u bërë pjesë e konsultimeve publike.

Teksa numri i organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të akademisë dhe aktorëve të medias në tablonë e përgjithshme kombëtare është i lartë, bashkëpunimi në proceset konsultative vjen kryesisht nga një numër relativisht i limituar aktorësh/“the usual suspects”, por sa do e përmendim në cdo takime konsultative, nuk do të jetë asnjëherë shprehja e mirënjohjes për të gjithë ata aktorë të shoqërisë civile, që i dedikojnë kohën, ekspertizën e tyre pjesëmarrjes në këto procese për ta bërë ligjbërjen bashkërisht më të mirë.

Në një këndvështrim vjetor për vitin 2023, Ministritë e linjës raportuan mbi 2500 pjesëmarrës në konsultime publike, përmes metodave të ndryshme të konsultimit dhe 382 prej tyre kontribuan me komente dhe sugjerime. Veçanërisht sa u përket shkëmbimeve konsultative periodike në fushën më të gjerë të shtetit të së drejtës, kemi krijuar një rrjet bashkëpunimi për çështjet antikorrupsion me 13 OSHC pjesëmarrëse, me të cilat shkëmbejmë rregullisht kontribute dhe ekspertizë dhe jemi tejet entizuastë që ky bashkëpunim merr jo vetëm formën e sugjerimeve dhe rekomandimeve, por shoqërohet edhe me bashkëorganizime të veprimtarive të përbashkëta, fryt i këtij partneriteti.

Në vitet në vijim planifikojmë të zgjerojmë proceset e konsultimit publik edhe për aktet e qeverisjes lokale. Ky vizion parashikon njëherësh me vizionin e Shqipërisë 2030 të procesit të konsultimit publik në legjislacionin dytësor me karakter normativ dhe në fushat me interes të lartë publik, ekonomia, çështjet sociale dhe mjedisi, sipas zotimeve të ndërmarra tashmë në kuadër të Udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike deri në vitin 2030, dërguar Komisionit Evropian në dhjetor 2023.

Zbatimi i këtij Udhërrëfyesi do të jetë në qender të punës edhe të Komisionit të Posacëm Parlamentar të krijuar rishtazi për thellimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Diskutimet e sotme vijnë në një linjë me dy nga shtyllat e punës së këtij Komisioni, përkatësisht mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, dhe natyrisht jemi të gatshëm që të furnizojmë Komisionin me çdo informacion gjykohet relevant, si dhe mirëpresim shikimin 360 gradë që Komisioni do të bëjë mbi cfarë kemi bërë dhe nga shumëçka mbetet ende për të bërë në përpjekjet drejt transparencës, llogaridhënies dhe integritetit si themele të mirëqeverisjes së Shqipërisë evropiane të 2030-ës.

Por për t’iu rikthyer vlerës së shtuar të këtij eventi të sotëm, transparenca është dhe mbetet thelbësore, si antidoti themelor ndaj çdo forme mosbesimi, për të mundësuar që  veprimet e institucioneve publike të jenë të dukshme në dritën e diellit, të parashikueshme dhe të përmirësueshme.  Ndaj dhe takimi i sotëm me një pikënisje me qasje sa kritike për të tashmen aq dhe optimiste për të ardhmen mbi sfidat e qeverisjes transparente, të cilat mund t’i shndërrojmë bashkërisht në mundësi.Faleminderit shumë!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →