Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Paqen dhe Rritjen e Qëndrueshme, që u mbajt në Athinë.
Ministri Hasani theksoi se integrimi i Shqipërisë dhe rajonit ka mbetur në stanjacion prej vitesh, teksa nënvizoi se qasja, ritmi dhe angazhimi i BE-së për këtë proces duhet të ndryshojë.
“Për shkak të një mjedisi sigurie të prekur, zgjerimi është sërish në qendër të skenës, si një imperativ strategjik kritik që ka implikime të rëndësishme për stabilitetin, prosperitetin dhe unitetin e Evropës në të ardhmen”, tha kryediplomati shqiptar Hasani.
Sipas tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të hapë mundësi të reja për rritje ekonomike.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor është thelbësor për stabilitetin, sigurinë dhe paqen e rajonit dhe Evropës në tërësi. Hapat gradual të integrimit, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes, do të hapin dyert për tregun e vetëm, duke katalizuar zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimet infrastrukturore, duke reduktuar kështu pabarazitë ekonomike brenda Evropës”.
Ministri Hasani u shpreh se procesi integrues duhet të jetë efikas dhe i besueshëm dhe se çdo gjë më pak do të thoshte kthim pas në kohë dhe përpjekje.
“Ne treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë për të mbrojtur parimet dhe vlerat tona ndërsa kryesuam OSBE-në dhe shërbyem në Këshillin e Sigurimit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shohim zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor jo thjesht një zgjerim të kufijve të Unionit, por një hap thelbësor drejt një Evrope më të qëndrueshme, më të begatë dhe kohezive”, nënvizoi ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co