Shtetet e Bashkuara po i kërkojë Turqisë dhe aleatëve të tjerë, të cilët kanë raporte me Iranin, që ta bindin atë të ulë tensionet në Lindjen e Mesme, tha ambasadori amerikan në Turqi.
Ambasadori Jeff Flake i bëri këto komente teksa rajoni i Lindjes së Mesme po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.
Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran të Iranit dhe për vrasjen e tij Irani dhe Hamasi fajësuan Izraelin, i cili po lufton me grupin radikal palestinez në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit politik të Hamasit. “Ne u kërkojmë të gjithë aleatëve tanë që kanë raporte me Iranin që ta bindin që të ulë tensionet dhe këtu përfshihet edhe Turqia”, tha Flake gjatë një debati në Stamboll. “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që situata të mos përshkallëzohet”, tha ai.
SHBA-ja dhe Turqia kanë pasur raporte të tendosura viteve të fundit, për shkak të aleancës së SHBA-së me kurdët sirianë që Turqia i cilëson terroristë, por edhe për shkak të blerjes së sistemeve ruse S-400 nga Ankaraja, që shtyri Uashingtonin të largonte Turqinë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35.
Megjithatë, Flake tha se raportet SHBA-Turqi tash janë “më të mira”. Ai vuri në dukje “rolin produktiv” që Turqia ka luajtur në atë që është konsideruar si këmbimi më i madh i të burgosurve mes SHBA-së dhe Turqisë që nga Lufta e Ftohtët, që u realizua përmes Ankarasë në fillim të gushtit.
“Ata nuk ishin të përfshirë në negociata, por në anën logjistike dhe luajtën rol të rëndësishëm”, tha Flake. Në qershor, në një intervistë për Reuters Flake kishe deklaruar se Turqia qëndron fuqishëm me Perëndimin dhe partneritetin e saj me SHBA-në.
Por, gjatë debatit në Stamboll Flake tha se situata në Gazë është “shumë e vështirë”, dhe retorika e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kundër Izraelit e ka bërë më të vështirë për Ankaranë që të luajë rolin e ndërmjetësueses. Ai tha se dallimet mes Ankarasë dhe Uashingtonit sa i përket Gazës janë zvogëluar pasi SHBA-ja “në mënyrë aktive” nisi të bëjë thirrje për armëpushim, por pranoi se ende ka mospajtime./Rel/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co