Për faktin se viti 2024 është shpallur si viti i Gjuhës Shqipe, është çelet sot në Berat, ashtu si në të gjithë vendin, faza e parë e konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe, me iniciativë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Zyra Vendore Arsimore Berat ka marrë masa për organizimin dhe zhvillimin e këtij konkursi në 10 shkollat publike dhe jopublike të saj që janë: shkolla e mesme e bashkuar artistike “Ajet Xhindole”, shkolla 9-vjeçare “Thimi Tani”, shkolla 9-vjeçare “1 Maji”, shkolla 9-vjeçare “Xhemal Çekini” Uznovë, shkolla 9-vjeçare “ 22 Tetori”, shkolla 9-vjeçare “Zihni Toska”, shkolla 9-vjeçare Paftal, shkolla e mesme e bashkuar Lapardha, shkolla e mesme e bashkuar Roshnik dhe shkolla jopublike “Irfan Ngjeqari”.
Konkursi me temë: “Gjuha shqipe si identitet kombëtar, kulturë dhe komunikim në epokën e teknologjisë”, është një konkurs gjithëpërfshirës, pasi në të angazhohen të gjithë nxënësit e klasave të nënta. Ai krijon mundësi që nxënësit të thellojnë dashurinë për gjuhën shqipe dhe nëpërmjet saj edhe dashurinë dhe përkushtimin për atdheun.
Ky konkurs ka rëndësi të jashtëzakonshme për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve dhe synon të nxisë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë tek fëmijët që në moshë të vogël, duke motivuar të zbulojnë thellësitë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Përmes këtij konkursi stimulohen aftësitë krijuese dhe shprehëse të pjesëmarrësve, ndërkohë që promovohet përdorimi i pasur i gjuhës shqipe. Zhvillimi i tij gjallëron jetën artistike në shkollë dhe frymën e garës së shëndetshme mes nxënësve. Konkursi nxit edhe zbulimin e talenteve të reja, që shërbejnë si modele të përkushtimit dhe frymëzimit të brezave pasardhës.
Ky proces kontribuon në avancimin e gjuhës shqipe në fusha të ndryshme, nga letërsia dhe poezia deri të shkrimi shkencor. Konkursi ka për qëllim të inkurajojë të rinjtë dhe të gjithë ata që janë pjesë e tij që të zhvillojnë aftësitë e tyre intelektuale dhe krijuese në gjuhën shqipe, duke krijuar një ambient të frytshëm për shkëmbimin e ideve dhe kulturave, nxit promovimin e aftësisë së analizës dhe të mendimit kritik, punës në grup, përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimin efektiv, e mbi të gjitha ruajtjen e identitetit kombëtar.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co