Koreja e Jugut u bëri thirrje mjekëve praktikantë që të kthehen në punë, duke thënë se ata do të kursehen nga veprimet ndëshkuese nëse kthehen në spitale, përderisa protesta lidhur me reformat shëndetësore ka hyrë në javën e dytë. Mijëra mjekë të rinj kanë dhënë dorëheqje dhe nuk kanë dalë në vendet e tyre të punës si pjesë e një veprimi kundër planeve të Qeverisë që të rrisë në mënyrë të ndjeshme numrin e personave që do të pranohen në shkollat e mjekësisë, përderisa vendi po përballet me mungesa të kuadrit shëndetësor.
Ndërprerja masive e punës ka rezultuar në anulimin dhe shtyrjen e ndërhyrjeve kirurgjikale për pacientët me kancer dhe për lindjet me operacion, me Qeverinë që ka ngritur alarmin në nivelin më të lartë për shëndetin publik. Mjekët konsiderohen punëtorë esencialë në Korenë e Jugut dhe me ligj janë të kufizuar që të hyjnë në grevë. Qeveria jugkoreane vazhdimisht ka përsëritur pretendimet se dorëheqjet masive janë të paligjshme dhe ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj personave që kanë dhënë dorëheqje ose do të pezullojë licencat e tyre mjekësore, ka raportuar agjencia e lajmeve, Yonhap.
Të hënën, Qeveria bëri “një apel final” për mjekët që të kthehen në punë gjatë kësaj jave, tha ministri i Brendshëm, Lee Sang-min, gjatë një mbledhjeje për menaxhimin e krizës. “Nëse ju ktheheni në spitale deri më 29 shkurt, nuk do të mbaheni përgjegjës për atë që ka ndodhur në të kaluarën”, tha ai. Lee tha se veprimi i zgjatur kolektiv paraqet “kërcënim për jetën dhe shëndetin e pacientëve”. “Spitali ishte vendi ku ëndrra e juaj për të trajtuar pacientët e sëmurë realizohej çdo ditë”, u tha ai mjekëve që janë në grevë, duke shtuar se “shpresoj që do të ktheheni në vendet e juaja të punës dhe të përfshiheni në dialogun për një mjedis më të mirë shëndetësor”.
Spitalet në mbarë shtetin janë përballur me mungesë të mjekëve në javën e kaluar dhe mediat lokale raportuan të hënën se edhe më shumë mjekë i janë bashkëngjitur protestës. Seuli ka thënë se ka një prej raporteve më të ulëta mjek-popullatë në mesin e shteteve të zhvilluara dhe Qeveria po synon që të pranojë 2.000 studentë të rinj në fushën e shëndetësisë në vit, duke nisur nga viti i kaluar. Mjekët e kanë kundërshtuar planin e Qeverisë, duke pretenduar se një gjë e tillë do të dëmtojë cilësinë e shërbimit. Përkrahësit e referomë kanë thënë se shqetësimet kryesore të mjekëve për reformën janë se ajo do të prekë pagat e tyre dhe statusin e tyre shoqëror. Sipas sondazheve, 75 për qind e publikut në Korenë e Jugut mbështet rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë, teksa ata që jetojnë në zona të largëta përballen me mungesë të qasjes në kujdes cilësor shëndetësor.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co