VOLTIZA DURO/ Sektori mbi të drejtat e pronësisë, tatimet, doganave, prokurimeve publike, shëndetësia dhe arsimi janë disa nga sektorët më të prekur nga korrupsioni në vendin tonë.
Edhe raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi plagën e korrupsionit gjerësisht të hapur në sektorët e administratës shtetërore. Posaçërisht për të luftuar dhe goditur këtë fenomen, qeveria ka hartuar një strategji ku janë parashikuar një sërë ndërhyrjesh në legjislacion, si dhe digjitalizimi i shërbimeve. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi dje përpara 30 institucioneve shtetërore draftin për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024- 2030 duke çelur një seri Konsultimesh Publike që do të vijojnë me grupe të ndryshme interesi në ditët në vijim.
“Qëllimi i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024- 2030 është që përmes një qasje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim dhe ndërgjegjësim të adresojë sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit. Kjo strategji ka në fokus të veçantë sektorët vulnerabël ndaj korrupsionit, përfshirë prona, shëndetësi, tatime, dogana dhe arsim. Synimi i Strategjisë është të ofrojë një kuadër të përmirësuar ndjeshëm të koordinimit të të gjithë institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit”, tha Adea Pirdeni, ministre e Shtetit Për Administratën dhe Korrupsionin.
Strategjia do të shtrihet edhe në nivel vendor. Por hetimi kundër korrupsionit parashikohet të mos ndalet vetëm në nivel publik, por dhe privat.
“Fusha të konsideruara me risk në sektorin privat për të cilat nuk është marrë ndonjëherë masa janë dhe sektori i minierave, turizmit, transportit, sportit, farmaceutikës dhe shëndetësisë private”, tha Pirdeni.
Strategjia ka një çmim 1.2 miliardë lekë do shkojnë për fazën kryesore atë të parandalimit të korrupsionit. Për ndëshkimin e tij janë përcaktuar 282 milionë lekë, ndërsa 42.4 milionë lekë do të përdoren për ndërgjegjësim. Fatura finale luftës së re antikorrupsion do të mbulohet nga buxheti i shtetit, por edhe grantet private. Qëllimi i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024- 2030, është që përmes një qasje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim, dhe ndërgjegjësim të adresojë sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit.
Synimi i Strategjisë është të ofrojë një kuadër të përmirësuar ndjeshëm të koordinimit të të gjithë institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë Strategjia shtrihet dhe zbatohet dhe ndaj institucioneve të qeverisjes vendore dhe ka në fokus gjithashtu promovimin e integritetit në sektorin privat. Krahas, vëmendjes së shtuar të edukimit me etikën dhe integritetin me të gjithë zyrtarët publik, kjo strategji synon rishikimin e të gjithë kurrikulës së arsimit parauniversitar me qëllim, edukimin me kulturën e integritetin që në moshë të hershme tek fëmijët dhe të rinjtë.
ÇFARË PËRFSHIN STRATEGJIA?
Të gjitha këto masa janë tërësisht të linjëzuara me Agjendën e Shqipërisë 2030, si dhe adresojnë të gjithë zotimet që burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian, për institucione më solide që krijojnë dita ditës rezistencë të shtuar ndaj çdo cenimi të integritetit. Ministrja Pirdeni teksa renditi risitë që sjell Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 u shpreh se miratimi i kësaj Strategjie do të garantojë vijueshmërinë e ndërhyrjes me masa sistemike për një vend pa korrupsion dhe një shoqëri në të cilën vlerat si integriteti, transparenca dhe përgjegjësia udhëheqin veprimet e qytetarëve dhe performancën e institucioneve.
Po ashtu, në SNKK 2024- 2030 janë evidentuar sektorët më të riskuar ndaj të cilëve do të kërkohet llogaridhënie më e madhe dhe transparencë e plotë në kryerjen e detyrave nga institucionet. Ato janë: pronat, tatimet dhe doganat, shëndetësia, kontratat publike (prokurimet dhe koncesionet) dhe arsimi. Ministrja Pirdeni bëri me dije se gjatë vitit 2024 do të nisë një vlerësim dhe do adresohen gjithë risqet e korrupsionit në sektorin e Pronave dhe Prokurimit Publik. Po ashtu, Pirdeni shtoi se në bazë të problemeve të identifikuara dhe sfidave të paraqitura janë propozuara masat, mjetet dhe metodat e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në vendin tonë.
Gjithashtu, ministrja Pirdeni falënderoi delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, të cilët kanë asistuar në procesin e hartimit të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 nëpërmjet projektit EU4GG Good Governance, si një partner i gjendur i qeverisë shqiptare për të çuar përpara agjendën Evropiane. Diskutimet e hapura për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024- 2030 do të zhvillohen gjatë kësaj jave me përfaqësues të bizneseve dhe me dhomat e tregtisë, me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe akademikë si dhe do të ketë diskutime me përfaqësues të vetëqeverisjes Vendore.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co