Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u zotuan të hënën për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve duke e vlerësuar bashkëpunimin rajonal si thelbësor për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ata i bënë këto komente në një konferencë shtypi pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e cila u zhvillua në Prishtinë.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, tha se rajoni ka humbur shumë kohë me probleme politike duke lënë pas dore siç tha ai, problemet e përditshmërisë së qytetarëve.
“Jemi të bindur se ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se nëpërmjet angazhimit të përbashkët mund t’i tejkalojmë sfidat dhe të sigurojmë zhvillim e qëndrueshmëri për qytetarët tanë”, tha ai.
“Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur, jo vetëm përmes gjeografisë, por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlera e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në prag të mbledhjes së sotme tha se pret që “qeveria e Kosovës të ngris çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e veriut”.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, posaçërisht neni nëntë, i cili thekson se “në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve dhe alfabeti i saj”.
Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Maqedonisë së Veriut.
“Besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje i cili nuk bën as përjashtime as diskriminim dhe i cili respekton shumëgjuhësinë që ekziston në Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri Kurti.
“Përse pikërisht tani po aktualizohet kjo çështje? Të gjithë politikanët të cilët kanë ngelur si hije të errëta nga e kaluara, meqë nuk mund t’i dëgjoni duke folur për propozime e reforma në ekonomi, arsim, energji e të tjera, kartën e vetme mbi të cilën e kanë themeluar karrierën e tyre të gjatë politike ishte krim, korrupsion dhe konflikte etnike. Ne tani themi se do ta largojmë atë mjegull dhe qartë do të shohim drejt ardhmërisë”, tha kryeministri Mickoski.
I pyetur rreth arrestimit të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të urdhërarresteve të lëshuara nga Serbia, kryeministri Mickoski, tha se “të gjithë ata që nuk e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, janë të lirë të qëndrojnë dhe lëvizin nëpër këtë shtet”.
Gjatë mbledhjes së përbashkët, të dy qeveritë nënshkruan disa marrëveshje në fushën e lëvizjes së lirë, energjisë dhe arsimit.
Nga fillimi i vitit të ardhshëm, në vendkalimet që lidhin të dy shtetet do të ketë kontrolle të përbashkëta kufitare.
“Ky model kontrolli kufitar bëhet vetëm hyrje – hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar dhe duke shkurtuar kohën e pritjes në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve. Gjithashtu do ta rrisë shkëmbimin e informatave ndërmjet zyrtarëve duke e bërë kufirin më të sigurt”, tha kryeministri Kurti.
Në fushën e energjisë, vëmendje e posaçme siç u tha i kushtohet shkëmbimit të energjisë ndërmjet dy vendeve për të siguruar kosto më të përballueshme për qytetarët dhe për të siguruar ardhmëri të qëndrueshme për të dyja vendet. Ndërkaq në fushën e arsimit marrëveshja synon angazhimin e përbashkët për fuqizim të cilësisë së arsimit dhe aftësimit profesional.
Kjo është mbledhja e dytë e përbashkët e qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë së Veriut, e cila pason mbledhjen e shtatorit të vitit 2021. Takimi i sotëm përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve./voa
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co