448 policë të rinj janë diplomuar këtë të premte në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti i cili ishte i pranishëm në ceremoni, tha se policia po shton dhe forcon radhët e veta duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.
Kurti theksoi se Policia e Kosovës shënon këtë vit 25 vjetorin e themelimit, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë.
“Policia jonë po shton e forcon radhët e saj, duke qenë kështu në nivelin më të lartë të detyrës në zbatim të misionit të saj për mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit dhe të ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë. Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25 vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerekshekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se falë profesionalizimit , Policia e Kosovës ishte kthyer në institucionin më të besueshëm për qytetarët
“Policia jonë me ritme të shpejta po plotëson dhe forcon radhët e saj duke u hapur dyert qindra djemve dhe vajzave nga secili komunitet që kanë ëndërruar e punuar për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës. Shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë rezistencën dhe sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri dhe për shtet ndërtim”, tha ministri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre të tejkaluar të gjitha sfidat ndërsa e cilësoi punën policore si një mision të shenjtë dhe fisnik.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co