Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar për 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Në një mbledhje të qeverisë, Kurti mbajti një fjalim për ditën e shënuar të Kosovës, teksa kujtoi të gjithë mundin e tyre për të qenë të lirë, të pavarur, e një shtet demokrati.
“Kushtetuta jonë vërtet është e re, por kultura jonë është ajo e një populli të lashtë e autokton. E rrënjosur thellë në historinë tonë të lavdishme. Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë. Nga heronjtë, dëshmorët, e martirët që dhanë jetën e tyre, te invalidët e veteranët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, te veprimtarët dhe mbarë qytetarët që qëndruan të palëkundur përballë sfidave; që të gjithëve u jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyre.”, u shpreh Kurti.
Kreu i LVV, u shpreh se të gjitha arritjet e Kosovës janë në përputhje me amanetin e dëshmorëve të kombit si dhe me të drejtat e popullit, dëshirave të rinisë dhe ëndrrave të fëmijëve.
“Urime dhe gëzuar dita e pavarësisë! Rroftë Republika e Kosovës!”, përmbylli Kurti.
Fjala e plotë e Albin Kurtit:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar zv.kryeministre, ministra dhe zv.ministra të Qeverisë së Republikës të Kosovës.
Të nderuar gazetarë, të nderuar kolegë të tjerë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga administrata jonë këtu,
Urime 17 vjetori i Pavarësisë.
Teksa festojmë, kujtojmë me krenari rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.
Kushtetuta jonë vërtet është e re, por kultura jonë është ajo e një populli të lashtë e autokton. E rrënjosur thellë në historinë tonë të lavdishme.
Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë. Nga heronjtë, dëshmorët, e martirët që dhanë jetën e tyre, te invalidët e veteranët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, te veprimtarët dhe mbarë qytetarët që qëndruan të palëkundur përballë sfidave; që të gjithëve u jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyre.
Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve. Demokracia nga ana tjetër kërkon institucione të forta, institucione që mbrojnë sundimin e ligjit, garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme, dhe sigurojnë që pushteti u shërben qytetarëve.
Pa institucione që garantojnë të drejtat e njeriut, të pakicave dhe ato civile, drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien, demokracia mbetet veçse një ide.
Republika jonë sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë. jo vetëm sepse kemi investuar në sigurinë dhe në mbrojtjen, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre që t’i shërbejnë para të gjithash, e mbi të gjithash, qytetarëve të Republikës.
Ekonomia rritet vit pas viti, shpejt dhe qëndrueshëm.
Nga solidarizimi i qytetarëve për shtet, kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët.
Me pasaportën e Republikës udhëtojmë lirshëm pa viza e me dinjitet, në 38 shtete.
Vendi ynë është mes vendeve me indeksin më të lartë të rendit të ligjit dhe ndër vendet më të sigurta në botë për të ecur vetëm rrugës.
Sipas indekseve ndërkombëtare për demokraci zgjedhore dhe liberale, Kosova është demokracia me përmirësimin më të madh në Ballkanin Perëndimor në 4 vitet e fundit.
Të gjitha këto janë dëshmi e procesit tonë të përbashkët, por gjithashtu edhe e procesit tonë të pandalshëm, të popullit, të institucioneve, si dhe të miqve e të partnerëve tanë evropianë e amerikanë.
Arritje që i festojmë sot e duhet t’i mbrojmë çdo ditë të gjithë.
Suksesi ynë është dëshmi që kemi punuar në përputhje me amanetin e idealit, e dëshmorëve të kombit dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve.
Urime dhe gëzuar dita e pavarësisë! Rroftë Republika e Kosovës!
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co