Policia e Kosovës ka bërë me dije se cilat janë gjobat për shoferët të cilën përdorin telefonat në momentin që ata janë duke lëvizur me automjetet e tyre në trafikun rrugor dhe për këmbësorët të cilët përdorin telefonin dhe mbajnë kufje në vesh, kur janë duke kaluar rrugën apo shiritin për biçikleta.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Policia e Kosovës ka shkruar se shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera, të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit. Sipas tyre, mosrespektimi i kësaj rregulloreje ndëshkohet me masë dhe gjobë.
“Një pikë negative dhe gjobë prej 100 eurosh, kur vepron për herë të parë në shkelje të rregullit, dy pikë negative, muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 200 euro gjobë kur vepron për herë të dytë tre pikë negative, gjashtë muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 500 euro gjobë kur vepron për herë të tretë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu përmes postimit, policia ka bërë të ditur se edhe këmbësorëve iu ndalohet përdorimi i telefonit dhe kufjeve në vesh gjatë kalimit të rrugës, të shiritit, të shtegut të biçikletave.
“Këmbësorë: Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit, shfrytëzimi i dëgjueseve në vesh apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë. Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me gjobë (50) euro, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij rregulli. Mos përdor telefonin dhe mjete të tjera hutuese përderisa jeni pjesë e trafikut! Mos rrezikoni jetën tuaj dhe të të tjerëve”, shkruhet në postim.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co