Në Kosovë janë mbyllur mbi 6 mijë biznese, ka bërë të ditur hulumtimi “Trendi i Ndërmarrësisë dhe Punësimit për periudhën 1 janar 2020 – 1 janar 2024” nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), raporton Anadolu.
Në një konferencë për media, kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se një gjë e tillë është shqetësuese për AKB-në.
“Në Kosovë janë mbyllur zyrtarisht 6.783 biznese, kurse sipas të dhënave që AKB i ka marrë nga zyrat regjionale në tërë Republikën e Kosovës, mesatarisht, për çdo vit mbyllen, çregjistrohen, pasivizohen, falimentojnë ose janë joaktive rreth 4.500 biznese në nivel vjetor”, theksoi Shahini.
Sipas tij, bazuar në të dhënat regjionale, rreth 18 mijë kompani të ndryshme janë pasivizuar apo kanë falimentuar, të cilat mesatarisht kanë pasur rreth 20 mijë të punësuar.
Sa i përket trendit të hapjes së kompanive të reja, Shahini tha se po ashtu ka qenë në rritje.
“Trendi i hapjes së kompanive të reja ka qenë një trend shumë i madh ku brenda katër vitesh janë hapur rreth 42.957 biznese që supozohen se kanë punësuar rreth 55.440 punëtorë, ose çdo katër kompani kanë punësuar pesë punëtorë”, shtoi ai.
Në Kosovë, konsiderohet se mbi 60 për qind e qytetarëve në moshë pune janë ekonomikisht joaktivë, të cilët nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co