Prokurori i Vlorës, Xhemal Saliaj u shkarkua të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pas problemeve dhe barrave të provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin.
Saliaj i kundërshtoi gjetje e KPK-së dhe pati kërkuar konfirmim në detyrë, por trupa e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen, i ka gjetur problemet e konstatuara të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Xhemal Saliaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokuror në Prokurorinë e Beratit, ku ka ushtruar dhe funksionin e drejtuesit.
Prej vitit 2013, ai e ushtron detyrën në Prokurorinë e Rrethit Vlorë. /BIRN