Kredi me zero interes, Koçiu viziton shtëpinë e re të mjekes në Tiranë: Kemi hapur programin e dytë për 45 kuota, përfitues edhe infermierët

kredi me zero interes kociu viziton shtepine e re te mjekes ne tirane kemi hapur programin e dyte per 45 kuota perfitues edhe infermieret
kredi me zero interes kociu viziton shtepine e re te mjekes ne tirane kemi hapur programin e dyte per 45 kuota perfitues edhe infermieret

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një vizitë në shtëpinë e re të mjekes Blerina Merja, e cila ka përfituar nga programi i qeverisë për dhënie kredie me zero interes për familjet e reja të mjekëve, duke u mundësuar blerjen e banesës së tyre.

Kjo nismë vjen si mbështetje dhe angazhim i qeverisë për një trajtim dinjitoz dhe cilësor të punës dhe shërbimit të këtyre punonjësve dhe aplikohet për herë të parë këtë vit.

Ministrja Koçiu uroi doktoreshë Blertën dhe bashkëshortin e saj Armandon, të cilët pak ditë më parë janë bërë edhe prindërit e dy binjakëve të mrekullueshëm, Sear dhe Serea dhe tashmë falë edhe mbështetjes nga ky program, do mund t’i rrisin fëmijët e tyre në një shtëpi të re. “Vitin e shkuar hapëm për herë të parë programin e kredive për blerjen e banesës me kredi me 0% interes nga shteti. Nga 100 kuota, 85 mjekë që aplikuan përfituan nga ky program”, informoi ministrja Koçiu.

Ministrja theksoi se programi i kredive me zero interes është një mundësi e mirë për të mbështetur sa më shumë profesionistët e rinj, ata të cilët janë në hapat e parë të krijimit të një familje për të patur banesën e tyre. “Pikërisht për t’i rikthyer akoma më shumë dinjitetin mjekut dhe infermierit, të gjithë profesionistëve të sektorit të shëndetësisë, janë duke u ndërmarrë hapa të njëpasnjëshëm, ashtu siç ishte rritja e pagave në korrik, një rritje e konsiderueshme për mjekët e përgjithshëm edhe për infermierët. Janë rreth 20 mijë punonjës të sistemit të shëndetësisë që përfitojnë nga kjo rritje e re e pagave, me 15 mijë lekë të reja për infermierët dhe 20 mijë lekë të reja për mjekët e përgjithshëm mbi pagën aktuale”, deklaroi ajo.
Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu bëri të ditur se janë hapur sërish aplikimet për kredi me 0% interes për blerjen e banesës, e ku përfitues në këtë faze nuk do jenë vetëm mjekët, por edhe infermierët. “Kemi rihapur sërish këtë vit aplikimet me 45 kuota, ku nuk janë vetëm mjekët, por dhe infermierët që mund të aplikojnë”, u shpreh ajo.

Koçiu theksoi se për programin e dytë të kredive me interes 0% që sapo është hapur, aplikimi bëhet online nëpërmjet e-Albania.
“Aplikimet janë të hapura deri më 14 gusht, kështu që mjekët dhe infermierët që punojnë në sistemin publik shëndetësor janë të ftuar që të shohin kriteret në shpalljen publike që është bërë në portalin e-albania, ndërkohë edhe në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’u njohur pastaj me gjithë dokumentacionin që do duhet për të bërë aplikimin, sipas kritereve të parashikuara aty, me qëllim që pse jo, edhe ata të gëzojnë një banesë të re dhe kaq të bukur sa kjo e juaja”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →