Kremlini i ka bërë thirrje pronarit të Telegram, Pavel Durov që të jetë më vigjilent pasi aplikacioni i mesazheve dyshohet se është përdorur për të rekrutuar persona të armatosur që sulmuan gjatë koncertit në periferi të Moskës.
Aplikacioni Telegram, i cili është i bazuar në Dubai, u themelua nga Durov, i cili u largua nga Rusia në 2014 pasi humbi kontrollin e kompanisë së tij të mëparshme.
39-vjeçari Durov, i cili ka lindur në Rusi, jeton në Dubai dhe ka shtetësi të dyfishtë, ate të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Francës – sipas Telegram.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i tha websajtit rus të lajmeve Life se nuk kishte plane për të bllokuar aplikacionin, i cili është një shpërndarës kryesor i lajmeve në Rusi dhe në mbarë botën, por se Durov duhet të jetë më i kujdesshëm.
“Do të prisnim më shumë vëmendje nga Pavel Durov, sepse ky burim unik dhe i shkëlqyer, nga pikëpamja teknologjike, që është zhvilluar, në fakt, para brezit tonë, po bëhet gjithnjë e më shumë një mjet në duart e terroristëve”, tha Peskov.
Agjencia e lajmeve RIA raportoi se sulmuesit u rekrutuan përmes një rrjeti radikal në Telegram që i përkiste grupit të Shtetit Islamik të Provincës Khorasan (ISIS-K).
Durov vlerësohet të ketë një pasuri 15.5 miliardë dollarë, sipas Forbes.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co