NGA XHEVAT MUSTAFA
Kryeministri Edi Rama më 26 tetor 2024 rinisi turin e tij të takimeve me taborë përgjithësisht e masivisht enveristoedramiste në diasporë, të gjetur e zgjedhur si me qiri nga Taulant Balla e diplomatë të Shqipërisë në Uashington dhe New York. Slogani apo motoja e këtyre “sfilatave” të reja të Rama-qeverisjes në diasporë është “Krenarë për Shqipërinë!” Natyrisht, Edi Rama me shoqe e shokë kanë plot arsye për t’u ndjerë krenarë.
Ata vetë gjatë këtyre 11 viteve në pushtet janë bërë bosë të mëdhenj në politikë, qeverisje, për pasurim shumëformësh e për prona të shumta. Edhe më 26 tetor 2024, në takimin e New York-ut, me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA, kryeministri Edi Rama bëri me qesh edhe të shurdhërit, kur tha se partia dhe qeveria që drejton ka realizuar me sukses e sipas standardeve bashkëkohore “reformën në drejtësi”. Sipas tij, poshtë “Olimpit” e në gjirin e kryesive të partive të opozitës, nuk është askush i paprekshëm prej SPAK-ut dhe GJKKO-së!? Domethënë, edhe këtë herë “harroi” se nga “Piramida Rama”, deri më sot, duken si të paprekshëm nga SPAK-u, ai, dora vetë, Linda, Olsi, Erion Veliaj, Olta Xhaçka, Linda Balluku, Frida Krifca, Taulant Balla, Blendi Gonxhe… Dihet mirë edhe nga fëmijët: fjalët i merr era sapo dalin nga goja! Ndërsa veprat mbesin, mund të shikohen dhe numërohen! Dhe për nga veprat duket dhe kuptohet sapo zbret në Rinas se jemi larg e prapa Evropës Perëndimore moderne dhe me nivele të larta zhvillimi, pagash, pensionesh, mirëqenieje, demokratizimi, shteti ligjor funksional…, të paktën 50 vjet. Apo në mënyrë figurative, sa janë larg Surreli nga Berna, Vjena, Berlini, Parisi, Kopenhagen, Amsterdami, Brukseli…
Shumë më tepër se nga fjalët dhe radhët e deklarimeve e të premtimeve dhe nga shifrat e tejfryra nëpër konferenca, mitingje elektorale, kongrese, samite, rrjete sociale, Rama-parti- qeverinë bëjmë mirë si qytetarë që ta gjykojmë për nga të mirat, dobitë, veprat, “frutat”…që na mbeten apo hyjnë në shtëpi nga dera, në kuleta, në tavolinat e ngrënies, në rafte ushqimesh e frigoriferë…! Parë dhe analizuar me këtë logjikë e llogari, shumica e SHQIPTARËVE mendojnë dhe ndjehen ndryshe nga Edi Rama dhe pushtetarët më të lartë “rilindas”! Shumica e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri ndjehen të privilegjuar nga natyra dhe Zoti apo borxhlinj ndaj tyre, për gjithçka u kanë dhuruar! Në të kundërt, ndjehen të zhgënjyer, të keqardhur, të turpëruar, të keqpërdorur e mashtruar për gjithçka kanë bërë qeverisjet në këta 112 vjet e sidomos në këta 80 dhe 33 vjet si dhe vetë, me mendtë, duart, teserat, bindjet, votat, kazmat dhe armët…, e veta! Për më keq dhe paradoksalisht, shumëçka është bërë me mend e duar shqiptare dhe jo rastësisht ka lumturuar më shumë armiqtë historikë të Shqipërisë, afër e larg, se sa shqiptarët!? Merret me mend se u vrasin sytë e nuk u japin pikë kënaqësie e krenarie kullat 20-40 katëshe, me ortakëri shumëngjyrëshe e të dyshimtë, shqiptare e ndërkombëtare, shumica me themele mbi lulishte, mbi objekte me vlera historike e urbanistike, mbi teatro, mbi prona shtetërore, të shitura thuajse falas për çmimet e vërteta e të tregut të sotëm ndërtimor…!?
Disa fakte e shifra u japin të drejtë qytetarëve dhe nxjerrin mashtrues e të pasinqertë pushtetarët edramistë! Shqipëria prej rreth 11 vitesh është braktisur nga rreth 1 milion banorë, shumica dërrmuese në mosha të reja e me përgatitje të mirë arsimore e profesionale! Sipas një studimi të Eurostat përditësuar më 20 korrik 2023, në Shqipëri paga minimale zyrtare dhe jo ajo reale është 375 euro. Në Mal të Zi, 532 euro, më e larta në rajon, në Serbi 460 euro…E matur sipas fuqisë blerëse (PPS), që nënkupton të ardhurat të përshtatura me nivelin e çmimeve, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë, me 549 PPS!? Po sipas të dhënave nga Eurostat, publikuar më 14 e 15 tetor 2024, mbi 46 për qind e popullsisë në Shqipëri është në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor!? Kështu, Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30%…Sipas një raporti të UNICEF 2024, publikuar më 25 tetor 2024, Shqipëria me 47% të fëmijëve nën 5 vjeç në varfëri ushqimore, lë pas vetëm Taxhikistanin në Azinë Qendrore.
Duke kaluar në fushën e drejtësisë, sipas një vlerësimi dhe klasifikimi të World Justice Project 2004, mes 142 vendeve në botë, Shqipëria e Edi Ramës, por edhe e jona, edhe pas “kryerjes së reformës në drejtësi”, zhurmshëm të propaganduar dhe me konsulencën e “Amerikës Xhorxh dhe Alex Soros”, renditet në këto vende në disa fusha të drejtësisë. – Për nivelin e korrupsionit, Shqipëria renditet e 107-ta, Kolumbia e 100- ta, Kosova e 65-ta! -Për lirinë e shprehjes, Shqipëria renditet në vendin e 92, Kosova në të 60. -Për të drejtën dhe lirinë e protestës, Shqipëria është në vendin e 114, ndërsa Kosova në të 82.
-Për rregullsinë dhe operativitetin e proceseve administrative, Shqipëria renditet në vendin 101, Vietnami 96, Kosova 89. -Për pavarësinë nga qeveria të vendimeve gjyqësore civile, Shqipëria renditet në vendin e 110, kurse Kosova në vendin e 66…Ndërsa për drejtësinë në vendimet gjyqësore për çështjet penale Shqipëria renditet në vendin e 96, Bjellorusia 88, Kosova, 62…Kurse për ndërhyrjen apo ndikimin e qeverisë në drejtësinë penale Shqipëria renditet në vendin e 106, Vietnami të 98 e Kosova të 65.
Ky bum faktesh dhe shifrash jep arsye dhe nxitje për t’u ndjerë krenarë apo të turpëruar? Është lehtësisht e kuptueshme se këto shifra e lakuriqësojnë, siç i kanë pjellë nënat, Rama- qeverisjen, por edhe individualisht Edin dhe ministreshat e ministrat e tij!? Por, paradoksalisht që “nuk i besojnë” enveristo- edramistët në Shqipëri, BidenBlinken në Uashington, Ursula von der Leuen në Bruksel, Giorgia Meloni në Romë, Aleksandar Vuçiç në Beograd, Vladimir Putin në Moskë!? Nuk mund të besohen dhe pranohen si fakte të pakundërshtueshëm zhvillimi dhe rritjeje të mirëqenies së përgjithshme e si burime mburrjeje dhe krenarie kullat rreth 30- 50 katesh në kryeqytet si dhe komplekset turistike në bregdetin shqiptar, prona të bosëve politikë, turistikë, ekonomiko-tregtarë, oligarkëve, “investitorëve strategjikë” shqiptarë e ndërkombëtarë.
Se përfitojnë shumica e qytetarëve prej këtyre pasurive e shpreh një informacion nga vetë Instati qeveritar. Rreth 5. 000 subjekte turizmi gjatë vitit 2023 nuk derdhën 1 lek në formë taksash në buxhetin e shtetit nga fitimet e tyre!? Për më tepër, kur në ata me 4-5 yje me çmime apartamentesh e dhomash për 1 natë rreth 150- 250 euro dhe me “çmime të çmendura” në restorante, merret me mend se nuk mund të shkojnë as në dimër shumica e qytetarëve me paga mujore minimale, në rreth 15.000- 35.000 lekë! Pastaj, dihet se kulla dhe komplekse turistike si tek ne, pa ndikim në rritjen e ndjeshme të nivelit të mirëqenies së shumicës së popullit, janë ndërtuar shumë vite më herët edhe në Sicilinë e Ndrangheta-ve, në Kolumbinë e Pablo Escobar; në Panamanë e Manuel Antonio Noriegës; në Ecuadorin e Adolfo Macias; në Meksikën e Rafael CaroQuinteros!
Nuk është e vështirë për t’i gjetur e kuptuar arsyet e këtyre hapave si të breshkës në fushën e rritjes së pagave, të pensioneve, të nivelit të përgjithshëm të mirëqenies, të emancipimit demokratik, e në të kundërtën, ndër të parët, për rritjen në “nivele stratosferike” të korrupsionit, të plotpushtetizimit, autokratizimit, arrogancës…të pushtetarëve më të lartë socialisto-rilindas si dhe të çmimeve, papunësisë, varfërisë, emigracionit, kriminalitetit, informalitetit në 11 vitet e “epokës Ramarilindja”. Rama me tufën që e rrethon dhe mbështet, bëjnë sikur “harrojnë” se në Shqipërinë e viteve të Rilindje- qeverisë, nën hundën apo me symbylljen e qeverive e të institucioneve të drejtësisë si dhe të ambasadave të SHBA-së e të BE-së, janë milionizuar dhe miliardizuar disa qindra politikanë, deputetë, ministra, kryebashkiakë, drejtorë, bosë, oligarkë, “investitorë strategjikë”, shumica nga korrupsioni i pafre shumëformësh e shumëngjyrësh!?
Ndërsa populli i thjeshtë nga rritja e çmimeve deri në dy dhe tre fish dhe e pagave e pensioneve me pikatore, nga 300-800 lekë( 3- 7 euro) një herë në vit, si “traditë” më 1 prill, “ditën e rrenave” apo më 1 tetor, “Ditën e Festës Kombëtare të Kinë”, është në varfërim masiv, të vazhdueshëm, të pandalshëm e me mendje dhe sy për nga Porti i Durrësit dhe Aeroporti “Nënë Tereza”! Në këto kushte, përmbytur nga hallet e mbijetesës allashqiptarçe, me 100- 400 euro, sa janë shumica e pagave dhe e pensioneve në Shqipërinë e sotme, me këto çmime e qira të çmendura, shumicës së popullit të thjeshtë e të varfër nuk u mbetet kohë e fuqi për të ndjerë qoftë edhe një pikë krenarie për atdheun e për “bumet”, që ua gëzojnë frytet pushtetarët dhe ortakët e tyre! Kjo panoramë me kontraste polare jep arsye e të drejtë të mendosh me vete dhe të shprehesh me zë të lartë, edhe publikisht: të ndjesh krenari e të mburresh me “suksese” dhe “rritje” masivisht të pa përjetueshme është ngjashëm si “të fluturosh me presh në b….”! Apo, të gënjesh, së pari veten e pastaj botën!
/Gazeta Panorama