Krimi në një javë sjell bilanc lufte, 7 persona të vrarë e 6 të plagosur! Nga Velipoja në Pogradec, ngjarjet që tronditën vendin

krimi ne nje jave sjell bilanc lufte 7 persona te vrare e 6 te plagosur nga velipoja ne pogradec ngjarjet qe tronditen vendin





































NIKOLETA KOVAÇI/ Një konflikt që u paraqit si banal ka bërë që një punonjës i Policisë së Kufirit, i identifikuar si Erjon Goxharaj, të qëllojë me 6 plumba mbi një 45-vjeçar.

te shtena velipoje

Dita e djeshme nisi me dy informacione paraprake të Policisë së Lezhës dhe Gjirokastrës. Në njërin lajmërohej se një burrë ishte gjetur i pajetë nga e bija në shtëpinë e tij, në Orosh të Mirditës, ndërsa rasti i vdekjes së një tjetër burri nga Memaliaj u përcoll fillimisht si vdekje natyrale, por në fakt të dyja rezultuan vrasje, madje ngjarja e Memaliajt mund të konsiderohet si një prej akteve më të rënda të ndodhura kohëve të fundit.

Pa kaluar as 24 orë nga e hëna e përgjakshme dhe një javë nga vrasja që tronditi vendin nga Pogradeci, policia shënon dhe raporton edhe dy akte të tjera të rënda ditën e djeshme, që e çon numrin e viktimave në 7 dhe disa të plagosur. Po ndërsa për aktin horror të Memaliajt, policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar dhe njëherësh të skeduar më herët si kultivues droge, policia e Mirditës dhe e Lezhës nuk kanë asnjë pistë dhe asnjë të dyshuar për ekzekutimin në gjumë të Frederik Radit në fshatin Lajthizë të Oroshit të Mirditës.

Sipas të dhënave të policore, ka dyshime që si vrasja në Mirditë, ashtu edhe ajo në Tepelenë të kenë ndodhur të paktën dy ditë më parë. Dy vrasjet që u zbuluan ditën e djeshme pasojnë një ditë me krime tronditëse, të cilat policia në fakt i ka të zbardhura, por ende nuk ka mundur të vërë në pranga autorët e saj.

Efektivi i policisë së Kufirit vijon arratinë, pasi qëlloi me 6 plumba mbi kolegun e bashkëshortes së tij, edhe pse policia hodhi 10 mijë euro për të siguruar informacion të saktë për vendndodhjen e tij. Po ashtu, edhe dy autorët e vrasjes në Velipojë vijojnë të jenë në arrati, ndërkohë që akti makabër i shtetasit amerikan, i kryer mesditën e së hënës, nuk ka më përgjegjës.

VRASJA NË MEMALIAJ

Faik Hajdini, 72 vjeç, kishte humbur kontaktet me familjen që ditën e diel. Familjarët kanë nisur kërkimet ndërkohë që është vënë në dijeni edhe Policia e Tepelenës. Kërkimet kanë vazhduar për orë të tëra, derisa kalimtarë të rastit kanë shquar trupin e pajetë në një humnerë.

Policia vendëse ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe e ka konsideruar ngjarjen si rënie nga lartësia e për pasojë i moshuari kishte ndërruar jote, por ka qenë Policia e Gjirokastrës, që ka ngritur grupin e punës për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Për pasojë janë vërejtur edhe goditjet fatale në qafë dhe në kokë, që dyshohet që i kanë marrë jetën burrit. Madje, policia thotë se viktima është vrarë në vend tjetër dhe autori, tashmë i identifikuar, e ka marrë dhe e ka hedhur në atë vend, pikërisht për të humbur gjurmët e krimit. Sipas të dhënave, ka qenë terreni shumë i vështirë në përrua ku gjendet trupi i të ndjerit, ka bërë që në vendngjarje të shkojnë specialistët e grupit hetimor për të dalë në përfundime konkrete.

Ndërkohë policia njofton se ka arritur të identifikojë se cili është autori i kësaj ngjarjeje, por nuk bën të ditur gjeneralitetet për arsye hetimore. “Me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe kapjen e autorit të dyshuar nuk po bëjmë publike gjenealitetet e tij, deri në momentin e kapjes dhe arrestimit. Nga veprimet e deritanishme hetimore dhe nga ekspertiza paraprake mjekësore, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës. Shërbimet e policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente ku dyshohet se mund të fshihet autori i krimit”. Sipas pistës fillestare, Faik Hajdini është qëlluar për vdekje dhe për të humbur gjurmët, vrasësi e ka hedhur në humnerë. Fillimisht u raportua se i moshuari kishte rënë nga humnera dhe për pasojë kishte humbur jetën. Por kanë qenë ekspertët e kriminalistikës që evidentuan goditjet në kokë dhe në qafë që kanë shkaktuar vdekjen e Faik Hajdinit. Ndërkaq alarmin për humbjen e gjurmëve të të moshuarit e kanë dhënë familjarët e tij, të cilët kishin më shumë se 48 orë pa asnjë kontakt me të.

EKZEKUTIMI NË MIRDITË

Policia tha dje se një 68- vjeçar u gjet i vrarë me armë zjarri brenda banesës së tij në fshatin Lajthizë të Njësisë Administrative të Oroshit në Mirditë. Viktima është Frederik Radi, i cili po kalonte muajt e verës i vetëm pranë banesës së vjetër në vendlindje dhe prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen. Ka qenë vajza e tij, shtetasja Leonora Radi, e cila pasi nuk ka arritur të lidhet me babanë e saj, ka udhëtuar drejt fshatit të thellë malor dhe e ka gjetur 68-vjeçarin të vdekur brenda shtëpisë së vjetër. Ajo ka sinjalizuar policinë dhe menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68- vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte dhe si pasojë ka humbur jetën. Ai është qëlluar me breshëri plumbash, ndërsa vrasja dyshohet të ketë ndodhur dy ditë me parë, 18 gusht. Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar dhe po merr në pyetje disa persona, banorë të fshatit Lajthizë, por nuk ka asnjë person të ndaluar si autor i dyshuar i kësaj ngjarje. 68-vjeçari nuk njihej si person problematik dhe me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa pista kryesore e hetimeve është përqendruar te ndonjë konflikt që mund të ketë pasur me banorë në fshat, çka mund të ketë çuar në vrasjen e tij. Frederik Radi ishte babai i katër fëmijëve dhe jetonte në një fshat të Kurbinit, por gjatë dy viteve të fundit muajit e verës i kalonte në shtëpinë e tij të vjetër në Lajthize të Mirditës.

POLICIA NË KËRKIM TË POLICIT

Erjon Goxhara, efektivi i Policisë së Kufirit që plagosi me 5 plumba Lorenc Kostën në “Komunën e Parisit”, vijon arratinë. Ai nuk iu është bindur titullarëve të institucionit që kanë komunikuar me të që të dorëzohet, ndërkohë dje Policia e Tiranës njoftoi se në këmbim të një informacioni të saktë ka vënë në dispozicion 10 mijë euro.

Blutë e kryeqytetit kanë tentuar të sqarojnë dinamikën e ngjarjes duke thënë se Goxhara ka qenë jashtë shërbimit në momentin që ka kryer krimin. Ndonëse jo zyrtarisht, po policia ka bërë me dije se Goxhara e ka qëlluar në këmbë dhe kofshë me armë 45-vjeçarin, pasi dyshohet se ky i fundit ka një histori me bashkëshorten e tij, por ende nuk janë bërë publike të dhënat që ka grumbulluar policia për sa i përket dëshmisë së personave që janë të përfshirë në atë histori dhe që kanë dijeni për konfliktet e vazhdueshme mes çiftit.

Sakaq, Lorenc Kosta mësohet se është dërguar te Spitali i Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa edhe gjendja e tij paraqitet stabël. Lidhur me këtë ngjarje, policia thotë se janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike të administruara nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitarë okularë dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.

Polici Goxhara akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Policia e Tiranës saktësoi se: “Menjëherë pas ngjarjes, i dëmtuari Lorenc Kosta është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar Erjon Goxhara është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur ndjekjes policore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronzi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronzi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut etj.. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor me prova të kësaj ngjarjeje kriminale, lokalizimin dhe kapjen e autorit Erjon Goxhara, i cili është shpallur në kërkim.

Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetur nga Forcat Speciale RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare janë angazhuar në një operacion të gjerë kërkimi, lokalizimi dhe kapjen e personit të kërkuar, kryesisht në periferi të Tiranës ku dyshohet se autori është larguar pas ngjarjes. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për cilindo që jep informacion të saktë për vendohen e personit të kërkuar Erjon Goxhara, vë në dispozicion si shpërblim shumën prej 10.000 euro, si dhe numrin kontaktit celular 0694111546, duke siguruar anonimatin e plotë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →