Kriza e universiteteve nuk janë vetëm studentët

kriza e universiteteve nuk jane vetem studentet





































bardhyl musaiPROF. BARDHYL MUSAI

Universitetet publike në Shqipëri po përjetojnë krizë të thellë. Numri i studentëve në rënie të shpejtë ka bërë që të mbyllen një numër i konsiderueshëm programesh. Konceptimi i gabuar dhe i cekët i programeve të studimit, të pa azhurnuar me zhvillimet e sotme të shpejta të tregut sot dhe të së nesërmes, e cila do të jetë krejt ndryshe, mungesa e teknologjisë dhe pajisjeve funksionale digjitale, bibliotekat e varfra që më shumë ngjajnë me magazina librash dhe metodologjia e vjetëruar e mësimdhënies, janë ndër shkaqet kryesore të kësaj krize, e cila sa vjen e thellohet.

STUDENTËT PAKËSOHEN, PROGRAMET SHTOHEN

Kemi një situatë paradoksale për sa i përket studentëve, numri i të cilëve është në rënie të ndjeshme ndërsa programet e studimit në rritje. Në vitin 2013 kishim në universitetet publike rreth 139 mijë studentë dhe 556 programe studimi në të tre ciklet, prej të cilëve 264 bachelor. Sot, në vitin 2024, kemi më pak se 85 mijë studentë dhe mbi 960 programe, të dy cikleve që ofrohen në universitetet tona, sipas zv. ministres së arsimit. Ndërsa numri i studentëve në këto vite ka rënë me 61%, numri i programeve të studimit është rritur me më shumë se 72%. Sot vetëm në universitetet e rretheve kemi 555 programe, pa përfshirë ato profesionale dyvjeçare, që i ndjekin rreth 32 mijë studentë.

KONCEPTIM I GABUAR I PROGRAMEVE BACHELOR

Bachelor është diplomë universitare ku studiohet një program sipas zgjedhjes së studentit. Programi bachelor u ofron studentëve gjerësi dijesh të një fushe të përgjithshme duke u dhënë atyre fleksibilitetin për të zgjedhur nga shumë drejtime të ndryshme për të ardhmen e tyre. Pra, ky program ofron studime të përgjithshme ku më pas, në programet master, studenti zgjedh drejtimin e specializimit. Programi nuk specializon në fushë. E thënë në mënyrë divulgative, ai që mbaron këtë program quhet kandidat për dhëndër. Sipas këtij përcaktimi, programet bachelor, numri i të cilëve i kalon 300, janë konceptuar në mënyrë të gabuar. Sot këto programe janë përzierje e disa fushave, të paharmonizuara dhe të ngarkuara me lëndë krejt të panevojshme. Për ilustrim, po sjellim disa programe në dy fusha, Gjuhë gjermane dhe angleze, Histori dhe gjuhë gjermane, Gjeografi dhe gjuhë italiane, Informatikë dhe anglisht, për të mos vazhduar me të tjerë.

Konceptimi i programi bachelor me specializim në dy fusha, me kohëzgjatje tre vjet siguron përgatitje të sipërfaqshme të studentit, po të shtojmë këtu që në shumicën e programeve zhvillohen lëndë që nuk kanë lidhje me fushën. Më konkretisht, në një program informatikë-anglisht, ka lëndë të tilla si hyrje në ekonomi, histori civilizimi, sjellje organizative, sociologji, bazat e menaxhimit, komunikimi në publik, pedagogji/mësimdhënie. Të tillë programe me përzierje të pakuptimtë të lëndëve, të tipit ‘mishmash’ gjen jo pak në universitetet tona.

Që programet bachelor të jenë të efektshëm, në shërbim të përgatitjes së studentëve për karrierën, konceptimi lipset të bëhet i gjerë, me fokus në dy aspekte të përgjithshme, por jo vetëm. E para në pajisjen me shprehitë e përgjithshme intelektuale në disiplina të tilla si shkrimi dhe studimi akademik, logjika dhe të menduarit kritik, bazat e hulumtimit, gjuha e huaj për qëllime specifike të fushës etj. Aspekti i dytë ka të bëjë më bazat teorike fundamentale të fushës, si psh., Sociologji, Psikologji, Gjuhësi, Shkenca politike, Matematikë, Ekonomi etj. E parë në këtë këndvështrim është e nevojshme që këto programe të rikonceptohen me qëllim që t’u shërbejnë studentëve mëpas në programet e ciklit të dytë, master.

Masterat shkencorë larg të qenit të tillë

Këto mastera janë të shumtë në numër, krahasuar me ato profesionalë, ndonëse këto vite ka një prirje drejt programeve të tilla dhe atyre dy-vjeçare. Diploma master përgatit të diplomuarit në avancimin e një karriere në një fushë të caktuar. Kjo përgatitje ka dy elemente thelbësorë, bazat e hulumtimit të thelluar edhe studime teorike fundamentale e doktrinare të fushës.

Por edhe këto programe, njëjtë si ato bachelor, në shumicën prej tyre janë larg të qenit shkencor. Në më të shumtën e rasteve ato janë me lëndë që nuk përbëjnë studime të thelluara, të paharmonizuara dhe në përgjithësi hulumtimi shkencor është tejet sipërfaqësor, pa dobi për studentët. Rezultat i kësaj përgatitjeje të dobët janë temat e diplomave të studentëve që kur i lexon ndjen keqardhje për ta, në shumicën e rasteve nuk zotërojnë shprehitë konceptimit dhe të shkruarit e një punimi akademik. Të shkruarit është pasaporta e çdo intelektuali. Shprehitë e hulumtimit shkencor formohen në shkollë dhe vazhdojnë në universitet. Të ndash hulumtimin shkencor nga mësimi, sikurse po ndodh me projektligjin për shkencën, do të thotë se në shkolla dhe universitete do të zhvillohet vetëm mësim, e nëse ndodh, atëherë dështimi në misionin e tyre është i sigurtë.

Universitetet janë përballë sfidës së rikonceptimit të kurrikulës sipas prioriteteve kërkimore me nevojat ekonomike të vendit, për të siguruar që të diplomuarit të jenë të përgatitur mirë për tregun konkurrues të punës dhe në zhvillim dinamik. Kjo qasje është vendimtare për rritjen ekonomike dhe shfrytëzimin maksimal të potencialit të kapitalit njerëzor.

Teknologjia digjitale pothuaj inekzistente

Epoka digjitale ku po jetojmë pashmangërisht kërkon përdorimin e teknologjisë. Digjitalizimi pothuaj është inekzistent në universitetet publike. Pajisja e zyrave dhe sallave me Internet apo Wi-Fi është e pamjaftueshme. Sot Interneti me bandë të gjerë lipset të jetë i pranishëm në çdo kënd të godinave universitare, në shërbim të studentëve dhe të personelit akademik. Pajisjet digjitale janë pjesë e rëndësishme e veprimtarisë akademike, por ato janë të pakta dhe në më të shumtën e rasteve jofunksionale. Teknologjia është e kushtueshme, por e domosdoshme për mjediset universitare, pasi një pjesë e materialeve dhe e metodologjisë së punës kanë në themel digjitalizimin. Koha na thërret për veprim, jo retorikë e publicitet me foto në rrjetet sociale apo në faqet zyrtare të institucioneve, për të na dëshmuar të kundërtën e realitetit.

BIBLIOTEKAT NË MAGAZINA LIBRASH

Pjesa më e rëndësishme e çdo universiteti është edhe biblioteka, koncepti dhe mënyra e funksionit të të cilave ka ndryshuar ndjeshëm. Krahas librave, në shërbim të veprimtarisë akademike dhe hulumtimit shkencor, pjesë e pandashme e saj është edhe teknologjia. Biblioteka universitare e Vilniusit, Lituani, të cilën kam pasur rastin ta vizitoj, nuk mbyllet por qëndron hapur 24/7, ka mjedise të bollshme, funksionale dhe shërbime profesionale. I referohem një vendi me të kaluar të ngjashme si ne dhe jo Perëndimit. Tek ne Universiteti i Tiranës, më i vjetri dhe më i madhi i vendit, nuk ka bibliotekë. Tirana e ndërtimeve të pandalshme dhe e kullave që lartësohen çdo ditë nuk ka bibliotekë universitare. Bibliotekat në të vërtetë janë magazina librash. Universitetet shpenzojnë shuma të konsiderueshme për sigurinë e objekteve, për rikonstruksione e godina të reja etj., kur numri i studentëve zvogëlohet, ndërsa për libra shumat janë të pakon siderueshme, për të mos thënë që ka edhe prej tyre që prej vitesh nuk kanë blerë as edhe një libër. Me këto shpenzime që nuk shkojnë te studentët, llogaritja e kostos së studimeve është fiktive.

Metodologji e vjetëruar e mësimdhënies

Në auditorët e universiteteve, në përgjithësi mbizotëron një stil i vjetëruar i mësimdhënies, me leksione si dikur, të ngarkuar me informacione të vjetëruara e të padobishme, me përshkrime të thata të cilat sjellin bezdi te studentët dhe i bëjnë të painteresuar. Auditori lipset të gjallojë nga situatat, diskutimet, pjesëmarrja proaktive e studentëve të cilët janë të lirë të debatojnë deri edhe të kundërshtojnë pikëpamjet e profesorit në auditor, bazuar në argumente. Universitetet janë shtretër të mendimit intelektual dhe është model arkaik që studenti të trajtohet si papagall.

PËRFUNDIM

Situata e universiteteve publike është dramatike. Si pasojë e rënies së ndjeshme të numrit të studentëve, shumë programe studimi jashtë Tiranës janë mbyllur, 95 të tjerë rrezikojnë të mbyllen, 91 programe kanë nga një deri nëntë studentë, programet që u përcaktuan prioritare, nga 24 gjithsej, 21 prej tyre rrezikohen. Në total rrezikojnë të mbyllen, rreth 37% e programeve. Me këtë ritëm deri në fund të këtij dhjetëvjeçari auditorët e këtyre universiteteve do të jenë bosh. Titullarët e ministrisë së arsimit, përpara se t’u bëjnë thirrje të rinjve të studiojnë në Shqipëri, duhet t’u japin përgjigje pyetjes: “Pse 94 % e të rinjve të anketuar që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri”? Atëherë do të kuptojmë se kriza e universiteteve nuk janë vetëm studentët./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →