Kryeministër si Edi Rama ka vetëm… Tirana!

kryeminister si edi rama ka vetem tirana

































Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

Gjatë afro 11 viteve të kryeministërllëkut të Edi Ramës, referuar apo me mbështetje te dosjeve voluminoze mbush me fakte korrupsioni të pafre, ka pasur shumë përfolje apo thashetheme, interpretime subjektive apo të sakta, për veprime dhe mosveprime të tij; për emërime dhe shkarkime zv.kryeministrash, ministrash, drejtorësh të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ambasadorësh dhe ambasadoreshash… Po kështu, edhe për deklarime “pa doganë” apo pa vetëkontroll dhe etikë diplomatike, sidomos gjatë samiteve të BE-së si dhe në kuadër të “Minishengenit Ballkanik” ose “Ballkanit të Hapur”; për fotot shumë miqësore dhe “vëllazërore” me Xhorxh dhe Alex Soros, me McGonigal, Yuri Kim, Escobar… e sorosianë të tjerë në DASH dhe Bruksel si dhe me Aleksandër Vuçiçin në Beograd, Tiranë, Ohër, Bruksel… Apo në Shqipëri, me bosë pushtetarë e biznesesh si Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Lefter Koka, Vangjush Dako, Shukri Xhelili, Safet Gjici, Viktor Çervenaku, Rahman Raja… Gjithashtu janë të shumta takimet dhe fotografitë e Edi Ramës edhe me disa të tjerë bosë shqiptarë, italianë (RAI 3, 2 qershor 2024) e nga shumë më larg si dhe “investitorë strategjikë” arabë, amerikanë, italianë (Massimo Dalema) me disa ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë socialisto-rilindas, që shkojnë rregullisht nëpër zyrat e SPAK, nënkuptueshëm jo si “kolegë” e miq për kafe apo një gotëz raki, konjak e verë të mirë e të shtrenjtë…!

Këtij “albumi voluminoz” me takime dhe fotografi mund t’i shtohen edhe ato me gjeneralin Florian Koldea, mik i ngushtë i Taulant Ballës dhe Edi Ramës, me përfolje edhe në media në Rumani për ortakllëk me bosë të trafikut të drogave, përfshirë edhe Sinaloan, një nga klanet meksikanë më të rrezikshëm në këtë fushë… Sipas gazetës rumune ‘EVZ’, të cilës i referohej më 13 qershor edhe “Syri.net”, gjenerali rumun ishte rekrutuar në këtë rrjet nga famëkeqi Dorian Duçka. Ndërmjetësja e kësaj historie të frikshme trafiku ishte e dashura e gjeneralit, e quajtur Marina Pandarof dhe e etiketuar në mënyrë figurative nga mediat rumune si “biondja fatale”.

Gazeta ka publikuar edhe një foto ku shfaqet gjenerali me të dashurën e tij, së bashku me mikun e Mc Gonigalit, të shumëku ndodhurin në skandale për llogari të Edi Ramës, ndoshta edhe një nga “varrmihësit” e karrierës politike të tij, Dorian Duçkën. Me këtë skandal të ri, nga shumëkush, shqiptar e ndërkombëtar, mund të thuhet me humor, se “meqenëse mbahet si “lider global” në fushat e politikës e të qeverisjes, Edi Rama është bërë me shtrirje globale edhe për skandale…!”

Ndërsa ish-bashkëluftëtarët e Edi Ramës në plot “beteja dhe farsa elektorale” apo skandale vuajnë dënimet për përgjegjësitë personale, edhe pse pisllëqet dhe punët korruptive i kanë kryer edhe nën hundën e shefit e pa harruar të shprehin mirënjohjen ndaj tij dhe partisë në formën e votave të blera e të vjedhura apo financiare, përsëri Edi Ramës nuk i hyn gjemb në këmbë…! Ndodh kjo “çudi”, edhe pse ai nuk mund të zhdukë erën e korrupsionit, të kanabisit, të plehrave të inceneratorëve, të betonit të kullave 35-40 katëshe, të asfaltit të rrugëve të reja, edhe nga duart dhe supet e tij…! Nuk mund t’i zhdukë lehtë e shpejt, as gjurmët e këmbëve dhe të prapanicave të tyre nëpër kabinetin e tij… Kur këto erëra po qelbin jo vetëm Shqipërinë e këto gjurmë kanë marrë dhen, çuditërisht “nuk i ndien dhe shikon” vetëm SPAK në mes të Tiranës dhe fare pranë me Kryeministrinë dhe Surrelin!?

Duke vijuar, Edi Rama është bombarduar në media dhe rrjete sociale, në Shqipëri, Kosovë, MV, Diasporë, me komente mospëlqyese dhe diskretituese edhe për pamjen e jashtme, veshjen, modelet dhe ngjyrat e tyre, për sytë dhe pjesët e nënsyve; për afeksione dhe maniera të tij, për kartelën e tij mjekësore, botuar së pari nga “gazeta e tij”, domethënë nga “Tema” e mikut të tij, Mero Baze… Si për t’i vënë kapakun, emrin apo vulën, dosjes apo “dashurisë” Vuçiç-Rama, kujtesa na sjell në mendje takimin e tyre të 1-2 shtatorit 2022, në Beograd, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, në të cilin Kryeministri i Shqipërisë la nam edhe për humorin e trashë apo talljet me popullin, vendin, shtetin, kombin, gjuhën… e vet… Në këtë “takim historik” Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, mes dehjes dhe euforisë, deklaroi se nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”, nënkuptueshëm falë edhe rolit dhe kontributit personal të Kryeministrit Edi Rama, “në këta 3 vjet kemi marrëdhëniet më të shkëlqyera me Shqipërinë…”!?

Natyrisht, ai ka të drejtë të ndjehet i lumtur edhe për faktin se në të njëjtën periudhë janë ftohur apo përkeqësuar raportet qeveritare e shtetërore Shqipëri-Kosovë dhe në planin individual Edi Rama-Albin Kurti-Vjosa Osmani!? Duke mos ia ngrënë hakun, Vuçiç është i sinqertë! Falë Edi Ramës ka rilindur “dashuria”, “vëllazëria”, “bashkimi”, “bashkëjetesa”… të ndërprera më 1948 mes shokëve Tito dhe Enver! Referuar jo vetëm kësaj deklarate, por gjithë dosjes rreth 26-vjeçare me veprime dhe deklarime të Edi Ramës, mund të mendohet dhe thuhet se për plot shqiptarë, Edi Rama “është shqiptar dhe antiserb sa dhe si Enveri e Ramizi”! Domethënë, shqiptar me fjalë, premtime, parulla, brohoritma mitingjesh, përralla, parada, këngë e valle, tallava më shumë turko-serbo-greke se sa shqiptare…!

Të gjithë atyre që e urrejnë, përbuzin, mallkojnë… jo subjektivisht, jo thjesht për motiv politik apo partiak, pra edhe jo pa të drejtë Edi Ramën, qysh kur erdhi nga trotuaret dhe koshat e plehrave të Parisit; për gjithçka ka bërë e thënë gjatë 13 viteve si kryebashkiak i Tiranës dhe në këta afro 11 vjet si kryeministër, mbi të gjitha me dështimet dhe skandalet në qeverisje, nxirjen e jetës e të Shqipërisë për rreth 1 milion shqiptarë të moshave të reja, ikur kryesisht në Gjermani dhe Angli, do t’u këshilloja fare shkurt: “mos ia vini re”, është një ish-basketbollist, më shumë stoli, për shkak të daljes me 5 personale brenda 15-20 minutave dhe një piktor pa… një kryevepër! Kaq di e këto bën…! Mos prisni prej tij që të bëjë punë edhe veprime, që t’ju lënë pa gojë e pa… mend! Në këto kushte, plot ndërkombëtarë që na i njohin dhe qajnë hallet me sinqeritet, referuar së fundmi veprimtarive dhe “fjalimeve historike” të tij më 10 qershor 2024 në Prishtinë dhe më 12 qershor 2024 në Tiranë, në “festimet” për 33 apo 83-vjetorin e PKSH-PPSHPSSH, lindur nga “mami serbe” e që i vunë mbi krye një “vëlla” të tyre, mund të na thonë me keqardhje të thellë: kryeministër si Edi Rama ka vetëm… Tirana!

Dhe kanë plotësisht të drejtë! Një ish-basketbollist dhe piktor i rëndomtë, me një të shkuar me “njolla” të pafshishme, mund të bëhej kryeministër, vetëm në një vend e nga një popull, prej 80 vjetësh, të çudirave apo “të çuditshëm”, të eksperimenteve të palogjikshëm e çnjerëzor me atë, lehtësisht apo vullnetarisht të mashtrueshëm e të manipulueshëm…! Për më tepër, që duke qenë si vend e si popull ndër më të varfrit, me nivelet më të ulëta të pagave, pensioneve, mbështetjes sociale e paradoksalisht, me çmimet ndër më të lartat, në Evropë e krejt botën, për t’u ngjitur sa më shpejt ca më lart, duhej të kishte si kryetar qeverie një ekonomistfinancier, ndër më të mirin jo në vend, por në glob!? Në këtë listë të gjatë çudirash dhe marrëzish vetëmohuese allashqiptare, masivisht karakteristike të popullit gjase të majtë, dy nga më të mëdhatë dhe absurdet mund të jenë partishmëria majtiste apo enveriste dhe durimi përtej njerëzor për të pritur edhe shumë mandate të tjera apo 80 vjet të tjerë t’i përjetojnë premtimet përralleske të partisë së zemrës dhe të kryetarëve të saj!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →