Kryeministri i Kosovës në Bruksel: Kërcënimet e Serbisë janë pengesë aktuale në progresin e vendit tonë

kryeministri i kosoves ne bruksel kercenimet e serbise jane pengese aktuale ne progresin e vendit tone
kryeministri i kosoves ne bruksel kercenimet e serbise jane pengese aktuale ne progresin e vendit tone

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se pengesat aktuale në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që sipas tij, vjen nga Serbia.

Këto komente Kurti i ka bërë në një takim që të premten e ka zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm për zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku kanë diskutuar për aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.

“Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që është proces i ndarë por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi. Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Kosova, me këtë, riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara. “Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, citohet të ketë thënë Kurti.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →