Bota nuk ka bërë mjaftueshëm për të arritur një armëpushim në Gaza, tha sot kryeministri irlandez Simon Harris, në Dublin.
Harris bëri thirrje për një rishikim urgjent të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, pasi ai tha se klauzolat e të drejtave të njeriut në paktin tregtar po shkeleshin.
“Unë i konsideroj skenat që po ndodhin në Lindjen e Mesme si groteske dhe pothuajse të paimagjinueshme për sa i përket shkallës së katastrofës”, tha kryeministri irlandez.
“Unë e kam quajtur luftë kundër fëmijëve, besoj se është kështu. Veprimet e Izraelit janë krejtësisht joproporcionale. Unë jam gjithashtu shumë i ndërgjegjshëm kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si tregtia, që bëhet në nivel të BE-së”, shtoi ai.
“Për të qenë i qartë, nuk besoj se bota, Bashkimi Evropian, ka bërë mjaftueshëm për të arritur një armëpushim”, tha Harris.
“Së bashku me kryeministrat e Spanjës dhe Sllovenisë, ne po bëjmë thirrje për rishikimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael”, tha ai.
“Shpresoj se kolegë të tjerë do të na bashkohen nëse këto bisedime nuk përparojnë në orët dhe ditët në vijim. Kjo është një masë shumë praktike që ne mund të ndërmarrim”, tha Harris.
“Çfarë mesazhi i dërgojmë botës kur kemi klauzola të të drejtave të njeriut në marrëveshjet e asociimit tregtar që duket se nuk zbatohen? Dua të them, ato nuk janë aty vetëm për ta bërë dokumentin më të gjatë – ato duhet të kenë kuptim”, tha ai.
I pyetur nëse marrëveshja duhej të pezullohej plotësisht, Harris tha se fillimisht Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael duhej të rishikohej.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co