Shefi i spiunëve të Rusisë ka vizituar Phenianin më herët gjatë javës për të diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, raportoi më 28 mars agjencia shtetërore e lajmeve verikoreane, KCNA. Vizita e Sergei Naryshkin, kreut të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), u zhvillua në kohën kur të dyja shtetet po thellojnë raportet, përderisa po vazhdon lufta e Moskës kundër Ukrainës. Sipas medias verikoreane, Naryshkin, gjatë vizitës së zhvilluar nga 25 deri më 27 mars u takua me ministrin për Siguri Shtetërore të Koresë së Veriut, Ri Chang Dae.
Zyrtarët kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit “për të përballuar lëvizjet gjithnjë e në rritje të spiunimit dhe komplotit nga forcat armike”, raportoi KCNA. Rusia dhe Koreja e Veriut janë nën sanksione të ashpra botërore, Moska për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe Pheniani për shkak të testimeve të armëve bërthamore. Shtatorin e vitit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, mbajtën një samit në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjatë këtij samiti, Kim deklaroi se marrëdhëniet me Rusinë ishin “prioriteti numër një” i shtetit të tij.
Më pas, Shtetet e Bashkuara pretenduan se Pheniani kishte nisur të furnizonte Moskën me armë. Ndërkaq, më herët gjatë këtij muaji, Koreja e Jugut vlerësoi se Koreja e Veriut kishte dërguar rreth 7.000 kontejnerë me armë në Rusi, që Moska t’i përdorë ato në luftën kundër Ukrainës. Seuli tha se dërgesat me armë nisën në korrikun e vitit të kaluar. Uashingtoni dhe ekspertët kanë thënë se Pheniani po kërkon nga Moska ndihmë ushtarake, sikurse teknologji për satelitët, në mënyrë që të përditësojë pajisjet e tij ushtarake të epokës sovjetike.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co