Bota

Kultura juridike, reforma e vërtetë në drejtësi, tranzicioni dhe drejtësia

kultura juridike reforma e vertete ne drejtesi tranzicioni dhe drejtesia

































NGA GELANDA SHKURTAJ Gelanda-SHKURTAJ-e1606808685848

Në tranzicionin post-dik taturë, kalvari i drejtësisë ka njohur tri etapa që kanë shënjuar udhëtimin e tij drejt altarit të paarritur “ligji i barabartë për të gjithë”. E para ishte ajo doktrinare, ku Shqipëria rrëzoi Montesquie-n dhe Hobs-in dhe pranoi dogmën Trockiste që pronën ta kishte vetëm shteti. Eksperimenti i parë social në llojin e vet, këtë çmenduri dogmatike e gdhendi te fytyrat e palosura dhe barqet ulëritës nga varfëria në vitin e largët ’91. Ajo, tanimë anëtare e “familjes socialiste të së drejtës”, një artific ky juridik që suprimoi pronën private sipas modelit të bllokut sovjetik, duhet të bënte kthesën e madhe. Divorci ideologjik u barazua me vitin zero në drejtësi, u grisën librat e vjetër dhe u kopjuan shëmtuar kodet europianë. Brezat e mëpasshëm të magjistratëve, formimin akademik e morën nëpër kafene, ku midis një “kaçurreli” dhe një tjetri, modeli i moralit edukativ ishte gjyqtari i pasuruar. Kështu, aspirata e vetme e të rinjve ishte: si të bëhemi juristë? Rezultati: vendi me padrejtësinë më të madhe kishte numrin më të madh të juristëve, madje edhe si diplomë të dytë, fjala vjen edhe parukiere, edhe juriste, apo Miss-e edhe juriste, apo shoferë dhe juristë e kështu me radhë.

Etapa e dytë përkoi me atë që në zhargonin ironizues quhet “shkolla e plepave”. Përshtatur ky definicion nga vendndodhja në të njëjtin vend të shkollës në Durrës, ajo përfaqësoi modelin më mediokër të formimit në jurisprudencë. Duke sfiduar çdo program studimor perëndimor, ajo nxori juristë në vetëm gjashtë muaj, ku për një kurrikul universitare nuk do të mjaftonin as pesë vjet. Kështu, u formua plejada e magjistratëve të ardhshëm, që morën në dorë fatin e pronës, të qytetarëve dhe të shtetit. Thonë së një doktor i keq të merr jetën, e një jurist i keq të shkatërron jetën. Abandonimi enkas i një shkolle të mendimit juridik, ku të kishte baza të moralit dhe të së drejtës, u bënë vela te keqorientimit të kësaj shkolle në një realitet social kaotik. Gurin e fundit në varrin e dijes juridike (e jo vetëm) e dha ligji që ndryshoi pagat në Shqipëri sipas gradave dhe titujve akademikë. Shkopi magjik i Andersenit u bë realitet. Nga darka në të ngrysur, vendi me gjyqësorin më të korruptuar u mbush me dhjetëra doktorë dhe profesorë. Ideali i tyre për drejtësinë në këtë vend, niste te vetëpëlqimi dhe mbaronte tek portofoli.

Frytet e këtij produkti, mbarështuar nga fabrikat e prodhimit të juristëve, ose shkurt universitetet post ’90 çuan në një borxh të shtetit shqiptar, për mungesë të procesit të rregullt ligjor, përafërsisht qindramilionë euro. Fjala më e përdorur në fjalorin shqip-shqip është korrupsion, ku përtej definicionit në Kodin Penal, në perceptim të shqipëruar do të thotë: duhet të paguash për të marrë atë që do, e drejtë apo e padrejtë qoftë. Politika ra dakord se kishte nevojë për një reformë, jo e dhimbsur për drejtësinë e mohuar, por udhëzimi i ndërkombëtarëve, për të pasur një balancë politik në rajon, kërkonte një Shqipëri të pastër nga korrupsioni i gjyqësorit. Magjistratura po rrezikonte krijimin e një pushteti të pavarur jo vetëm nga gjyqësori, por edhe nga ligjvënësit e jo më pak edhe nga ekzekutivi.

REFORMA

Terreni social dhe preludi i një kolapsi ligjor kishin lypsur prej vitesh një reformë, që do të thoshte diçka të re për të zgjidhur një problem me emrin korrupsion në gjyqësor. Dhe ja ku erdhi etapa e tretë, ose ajo që do të mbetet gjatë në historinë e institucioneve politike shqiptare si reforma në drejtësi. Për të legjitimuar këtë reformë u krijuan institucione e ligje të posaçme, u hoqën shumë magjistratë për mosjustifikim të pasurisë e u lanë po aq në punë edhe pse nuk justifikonin shuma akoma më të mëdha. Pati aspekte të saj, siç ishte fjala vjen tërheqja vullnetare e magjistratëve nga procesi i kontrollit (vetting-u), që edhe sot duhen stigmatizuar për nga pa pjekuria me të cilin u vendosën. Dhe kjo do të ishte teza më favorizuese pa aluduar në teori ku, kjo procedurë legjitimoi paratë e vjedhura të magjistratëve, duke i “vrarë” barkun të mos punojnë më në organet e drejtësisë.

Do të duhet të kalojë kohë për të pasur një shije në lidhje me atë çfarë ajo solli të mirë, nuk bëri, apo çfarë do të duhet të bënte për të ardhmen. Kjo reformë e iniciuar nga ndërkombëtarët dhe e mundësuar po nga mbështetja e tyre nuk ka asnjë mëdyshje se pati për qëllim pastrimin e gjyqësorit dhe prerjen e kanaleve nga ku politika të mundej të ndërhynte në vendimmarrjen e tij. Gjithsesi, në distancën e tetë viteve, ajo çfarë çdo qytetar i këtij vendi duhet të analizojë, është se reforma nuk erdhi as si një nevojë apo shkallë ndërgjegjësimi nga ana e klasës politike për t’u thënë ndal padrejtësive që pësonin qytetarët dhe as nga ana e këtyre të fundit, për t’i thënë ndal korrupsionit. Lënia e përgjegjësisë në kahun e ndërkombëtarëve, në një prizëm koherent dhe pragmatik, është edhe një mjet justifikues për të thënë se drejtësinë “na e kërkojë ata”, duke “larë” duart në risqe apo haqe personale, që mund të përsëriten në kahe të kundërta.

Përtej kriticizmave të justifikuar që një risi sjellë në politikë, reforma sot ka dhënë një mesazh të qartë: miti i pandëshkueshmërisë ka rënë. Sinjali është i qartë se gjithkush që shkel ligjin, herët apo vonë do të ketë një ndëshkim. Por po ashtu në lidhje me këtë reformë edhe shqetësimet nuk janë të pakta. Procesi i ndëshkimit nuk konkludohet tek akuza, përkundrazi ajo është vetëm fillimi i një procesi të mirëfilltë ligjor, që do të ketë ose nuk do të ketë të dënuar, bazuar mbi ligjet e së drejtës materiale dhe asaj procedurale. Pra, jo për faj të reformës, akoma nuk janë parë vendime përfundimtare të ndëshkueshmërisë. Së dyti, duke qenë se reforma është një proces i pazakontë, e implementuar në pak kohë çfarë do të ndodhë kur afatet e saj do të mbarojnë? Pra, e thënë më ndryshe, kur ndërkombëtarët të mos ndërmarrin më reforma dhe kur shqiptarët të mbeten vetëm përballë kriminelëve, a do të jenë vallë të zotë që të përballin kriminalitetin me gjyqtarë dhe politikanë të korruptuar?

KULTURA JURIDIKE

Nëse dikush do të pyeste nëse SPAK apo reforma janë mjetet më të mira për të vendosur drejtësinë në Shqipëri, përgjigja do ishte skeptike. Edhe SPAK edhe reforma në drejtësi janë mjete të përkohshme që po japin një shembull, por që këto modele të mbahen, puna nuk mbyllet këtu. Drejtësia është një proces moral, shoqëror, ligjor dhe politik që nis nga baza, komuniteti dhe përfundon deri te vendimmarrja e ligjeve që do të kontrollojnë jetën e qytetarëve. Shqipëria, për nga vështirësia në të cilën ka përfunduar me korrupsionin në drejtësi, nëse do të kishte qenë e zonja vetë, do të kishte nxjerrë ndonjë Falcone apo Borsellino, që t’i tregonin korrupsionit dhëmbët. Por të tillë vetëmohues epoka jonë nuk solli në dritë. Ka një seri pyetjesh që duhet të dimë përgjigjen përpara mbylljes së misionit të ndërkombëtarëve.

Cili do të jetë mekanizmi që do të përdorë politika e re shqiptare, për të luftuar korrupsionin në drejtësi? A do të jetë vallë qytetari shqiptar objektiv në gjykimin se, përtej dëshirës së tij politike, do të distancohet nga lidershipi i korruptuar? Do të jemi në atë shkallë të ndërgjegjësimit ku do të dimë të dallojmë të mirën nga e keqja duke mos përzier interesin personal, por atë shoqëror dhe kombëtar? Shumë kombe ecin edhe sot në ato modele demokracish, që ne ju admirojmë veshjet, vilat apo spitalet, por nuk shohim përtej sipërfaqes për të hyrë sado pak në pyetjen se cilat janë shtyllat apo parimet që i mbajnë këto shoqëri të pacenuara në integritetin e tyre moral? Kur çështja shkon te gjyqësori, për ata, besimi në ligj është i barabartë me besimin në Zot.

Kur ligji bëhet traditë dhe kjo traditë jeton gjatë në një komunitet, ky i fundit krijon besimin tek shteti, gjyqësori dhe institucionet e tij. Ky është konsolidimi i shtetit të së drejtës. Pikërisht në këtë moment, shumë aspekte të raportimit të individit me institucionet në tërësi dhe me ligjin në veçanti, krijohen mbi mirëbesimin reciprok dhe mos anashkalimin e ndëshkimit. Në këtë moment përforcohet ajo mënyrë të sjelluri, e cila në shumë vende të civilizuara quhet ndryshe edhe kulturë juridike. Në një gjuhë më afër të përditshmes, kultura juridike është besimi te ligji dhe mos shkelja e tij, jo sepse individi duhet të frikësohet nga pasojat, por sepse individi duhet të besojë se ligji ka brenda të drejtën që ai komunitet njeh, respekton dhe dëshiron.

Nëse ndëshkueshmëria ndaj korrupsionit nuk vjen si një ndërgjegjësim i vetë njerëzve, për t’u distancuar me të, nuk ka reformë apo SPAK që mund të vërë drejtësinë në këtë vend. Rrethi i mbyllur i fajit ka një fill që duhet kapur dhe ai fill nis me veten e zgjerohet me komunitetin. Të kuptosh se korrupsioni nuk duhet përkrahur është një proces që nis me heqjen dorë nga privilegjet personale. Nëse heqja dorë nuk kuptohet si një sakrificë për të mirën e të gjithëve, të paktën le të kuptohet si një sakrificë në emër të kujtesës, për të mos u harruar nga brezat që do të vijnë.

Autorja: Lektore e së drejtës

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts