Në kuadër të Kupës së Shqipërisë, data 3 prill rezervon takimet e fazës gjysmëfinale mes katër ekipeve që luajnë për një vend në finale. Kukësi pret Tiranën, rekordmene në këtë kompeticion me trofetë e fituar. Ky duel do të zhvillohet në “Kukës Arena” prej orës 15:00.
Në të njëjtën orë luhet edhe takimi tjetër gjysmëfinal i Kupës së Shqipërisë. Egnatia, fituese në fuqi e kupës, përballet me Vllazninë në Rrogozhinë. Ky trofe është mjaft i rëndësishëm për këto ekipe, pasi u jep mundësinë të luajnë në kualifikueset e Conference League.
Këtë sezon, Tirana vetëm me Kukësin deri tani ka pikët e plota. E kundërta është në përballjet e përgjithshme me 48 ndeshje, 21 të fituara nga Kukësi, 17 nga Tirana dhe 10 në barazim. Bardheblutë, gjithsesi, nuk kanë asnjë rezultat të keq ndaj verilindorëve që nga janari i 2023-it.
Tirana dhe Kukësi takimin e fundit në Kupën e Shqipërisë e kanë në 2 qershor 2019. Ka qenë finalja e Kupës së atij edicioni. Verilindorët ia dolën të ngrinin trofeun falë fitores 2-1, me bardheblutë e sapokthyer që Superiore. Gjithsesi, për Tiranën Kukësi ka qenë në shumë raste ters në kupë. Në tri përballje të tjera veç finales së fituar, në dy herë është kualifikuar Kukësi dhe një herë Tirana.
Edhe Egnatia është një “mace e zezë” për Vllazninë. Në 13 sfidat e zhvilluara që kur Egnatia është ngjitur në Superligë, shkodranët kanë fituar vetëm 2 herë, ndërsa janë eliminuar nga Kupa vitin e kaluar pikërisht nga rrogozhinasit. Për rastësi, dy ekipet kryesojnë kampionatin, pra një përballje kokë më kokë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co