Kurti viziton Ulpianën antike: Kjo pasuri paraqet potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit

kurti viziton ulpianen antike kjo pasuri paraqet potencial te jashtezakonshem per zhvillimin e turizmit
kurti viziton ulpianen antike kjo pasuri paraqet potencial te jashtezakonshem per zhvillimin e turizmit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar Ulpianën antike, aty ku në vitin e kaluar është zbuluar një mbishkrim i Perandorit Justinian, që tregon lidhjen e tij me Dardaninë.

Në këtë vend janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike të drejtuara nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës. Kurti shprehet se kjo pasuri paraqet një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit.

“Në Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565), që tregon lidhjen e tij me Dardaninë, ishim për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequr nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.

Pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë. Këto simbolika i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse  zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.

Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.

E kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.

Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synojmë funksionalizimin e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.

Pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit. Arkeologët e arkeologet e reja paraqesin gjeneratën pasuese të cilët do të vazhdojnë me hulumtimin në Ulpianë e lokalitete tjera arkeologjike në vendin tonë.

Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare”, shkruan Kurti.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →