Bota

Kush dhe ku është e keqja më e vogël?

kush dhe ku eshte e keqja me e vogel



































NGA ARIAN GALDINI LRE arian galdini

Ilir Meta ka disa muaj që bie në sy e bëhet viral e shpesh meme për shkak të ngjitjeve të tij mbi paralele e maja, por edhe duke bërë stërvitje kudo e ngado nga natyra në palestër e deri në zyrë. Ai vetë e arsyeton sjelljen e tij si mesazh pozitiv dhe proaktiv pune, shëndeti fizik dhe mobilizimi politik. Ka shumë që mendojnë se Meta ka humbur mendjen, është çmendur, e ka plot të tjerë që thonë se ai e ka strategji komunikimi të gjithë këtë rrokopujë kumtesh shpolitizimi të politikës së tij. Pak rëndësi ka. Ilir Meta është Ilir Meta dhe çfarëdo që të bëjë ai edhe sikur të bëhet i zi si Otello e të dalë vërdallë të kërkojë Jagot, askush nuk ka për ta ngatërruar me dikë tjetër. Ndërkohë, Sali Berisha sapo ka rimarrë me vendim gjykate, vulën, logon dhe partinë e tij. Tani energjia e tij po koagulohet e plotë që partinë e shpërndarë në 3 dynymsha me 7501 shin politik të pas 2013, ta rimbledhë në duart e pronarit të vetëm.

Ato 3 dynymsha politikë që nuk do t’i ribashkohen vullnetarisht, do shkallmohen me zjarr e flakë e mbillen me kripë, që kurrë më të mos japin fryte e të mbeten djerrë. Lulzim Basha po përpiqet të gjejë përveç 3 dynymshit të vetë edhe ndonjë metërkatror politik për të shpresuar në mbijetesën e tij. Enkelejd Alibeaj pretendon edhe ai 3 dynymshin e tij të cilin po e rrethon me shiritat ku shkruhet: këtu strehohen antiberishistët. Partitë e reja televizive janë në përpjekje që në mos t’ia dalin vetjakisht të krijojnë 3 dynymshin e tyre, të paktën ta provojnë së bashku. Tani për tani edhe këto parti të reja televizive janë ende nën iluzionin e garës me njëra tjetrën për të përcaktuar kujt i takon 3 dynymshi, derisa “mjeshtrat” që i nxjerrin çdo ditë e çdo natë nëpër studio televizive nga mëngjesi në mbrëmje e që prej muajsh i pompojnë nëpër anketime e sondazhe tu thonë të vërtetën e t’u tregojnë se ku duhet të shkojnë e çfarë duhet të bëjnë.

I quaj parti të reja televizive sepse çuditërisht, prej zgjedhjeve të 25 prilli 2021 e deri sot, janë mediat, gazetarët dhe analistët që përcaktojnë se kush janë partitë e reja, se kush janë konkurrentët rilevantë dhe jorilevantë dhe janë shefat politikë që paguajnë sondazhet ata që përcaktojnë se cilat parti duhen futur në sondazhe e anketime si parti të reja e cilët liderë politikë duhen futur në sondazhe e anketime si liderë të rinj. Pra, nuk është as realiteti praktik, as ai juridik, as ai faktik, as idetë, as përballja e as meritokracia ajo që përcakton rilevancën apo ekzistencën. Jo! Janë shefat politikë që porosisin edhe mediat, edhe sondazhet që japin e përcaktojnë vijën e sjelljes se cila duhet të konsiderohet Parti e re politike, parti rilevante, lider i ri politik apo lider rilevant…

Ndaj, nuk kam si i quaj ndryshe përveçse parti të reja televizive këto që i ofrohen publikut çdo ditë nga mediat e sondazhet me detyrim përcaktim. Interesante është se mediat i trajtojnë parti e reja televizive me kohë të barabartë e prezencë të barabartë televizive me PS – PD – PL. Jam kurioz, se çfarë e bën Regjimin 3 Palësh PS – PD – PL apo siç e quaj unë Klubin e Plaçkaxhinjve, kaq bujar e kaq zemërgjerë saqë t’ua lërë mediat 4 kanat të hapura të gjitha këtyre partive të reja televizive. Çne ky Klubi i Plaçkaxhinjve PS – PD – PL, që paska nën kontroll çdo media, çdo hapësirë televizive, nuk paska pikë fuqie e ngacmimi që tua ndalë zërin e praninë këtyre 4 Partive të Reja televizive?

Çne studio televizive me moderatorë e analistë që qartazi janë të anësuar e në shërbim të Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, Erion Veliajt etj., nuk rreshtin së ftuari çdo ditë e çdo natë, nga mëngjesi në mbrëmje, nga emisionet e kuzhinës tek emisionet sportive, nga emisionet e bujqësisë tek emisionet e debatit politik, të paktën 3 nga liderët politikë të 4 partive të reja televizive?

Them 3 nga 4, sepse e vërteta është që Arlind Qorri dhe Lëvizja Bashkë janë më pak të promovuarit në media dhe e realisht Arlind Qorri me partinë e tij janë të vetmit të qartë doktrinalisht dhe filozofikisht në atë që po bëjnë. E veçoj Arlind Qorrin me kënaqësi, sepse ai është i vetmi nga liderët e rinj politikë që ka një vizion e qëllim politik bazuar në ide dhe i vetmi që ka njerëz realë sadoqofshin në partinë e tij politike. 3 të tjerët janë operacione të pastra marketingu. As kanë njerëz, as kanë ide, as kanë qëllime, as kanë doktrinë e aq më pak kanë arsyetim të ekzistencës së tyre. Këta ose thjesht e kanë kuptuar vetë, ose dikush u ka thënë se Klubi i të Vjetërve është në kaos e mund të krijohet hapësirë për ndonjë 3 dynymsh, ose vetë Klubi i Plaçkaxhinjve i ka krijuar, grazhduar e pompuar me ‘show’njerëzor e mediatik, që këta të zënë si pulla çdo pikë shfryrjeje të Topit të Madh të Regjimit. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe kaq shumë zemërgjerësi e zell mediatik për t’i promovuar pa pushim e këmbëngultësisht, duke u dhënë madje këtyre 3 liderëve të rinj të 3 partive të reja televizive, leje e licencë që të shajnë para e mbrapa këdo që kanë përballë e vërdallë. Ja ku jam unë, Arian Galdini, dikur i ftuar në çdo studio televizive e emision si pedagog apo si aktivist civil, ndërsa sot i dënuar me harresë. Ja ku jam unë, ideatori, nismëtari, themeluesi dhe kryetari i një partie të re politike që quhet LRE – Lëvizja e Re. Prej ditës që unë kam njoftuar krijimin e LRE në 24 tetor 2020, Arian Galdini dhe LRE, janë mohuar, ndaluar, censuruar, bllokuar, shpërfillur nga çdo media. Çudia qëndron tek uniformiteti mediatik në mohim e shpërfillje. Është hera e parë që një person politik a edhe publik po të doni, një drejtues i një partie politike, mohohet, ndalohet, bllokohet, censurohet njëlloj dhe kokëfortësisht edhe nga mediat qeveritare e të majta, edhe nga mediat opozitare e të djathta, edhe nga mediat e George Sorosit edhe Syri i Doktorit.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur një censurë e tillë, mohim i tillë, ndalim i tillë dhe dënim i tillë me harresë. Nuk e kam kuptuar kurrë se si mund të bien dakord e të jenë në një mendje për ta shpërfillur, mohuar, e ndaluar, e harruar Arian Galdinin, edhe Mero Baze edhe Çim Peka etj., etj.. E di që beteja ime kundër mafies farmaceutike dhe kundër mizorisë dhe korrupsionit në sistemin shëndetësor shqiptar në janar – mars 2015, më ka bërë shumë armiq e madje armiq të fortë e të mëdhenj, por gjithsesi, kaq shumë uniformizim në mohimin e ndalimin mediatik majtas e djathtas nuk e kam imagjinuar e as pritur kurrë. Jam bërë si Lasgush Poradeci, i cili ecte i mohuar nëpër qytetin e Pogradecit, ku të gjithë e shihnin, por askush nuk e dinte se kush ishte. Prej mohimit e ndalimit mediatik, jam kthyer në një luftëtar të vetmuar e harruar, të cilit pakkush ia di emrin dhe mendimet, veprimtaritë dhe idetë… Prej mohimit e ndalimit mediatik, eci çdo ditë në qytet duke takuar njerëz që më mbysin e drobisin me pyetjet: E kush je ti? E çfarë je ti? E kush të njeh ty? Po pse çfarë ke bërë ti? Etj., etj… Vetëm me 1 celular e 1 faqe “Facebook”-u, unë kam ndërtuar një ide, e cila ka ndërtuar një komunitet, i cili është kthyer në 1 parti politike. Ne si LRE jemi historia e 1 njeriu që nën diktaturën e harresës, shpërfilljes dhe mohimit, ia doli që vetëm me 1 celular e 1 faqe “Facebook”-u të krijojë 1 parti politike, e cila ka 4 vite që vepron, organizohet e reziston. E prapë shqiptarët nuk e dinë që Arian Galdini dhe LRE ekzistojnë. Kështu që afërmendsh, shqiptarët nuk mund të votojnë një njeri e një parti për të cilët as e kanë idenë se ekzistojnë. Ne nuk jemi në garë për vota. Ne jemi në qëndresë për idetë, vizionin, ekzistencën dhe dinjitetin tonë. Ne jemi nën sprovën e kohës e jo nën sprova elektorale. Sigurisht që kjo e vërtetë na bën atipikë dhe të paperceptueshëm nga qytetari i thjeshtë. Por, pa merak. Askush të mos na e qajë hallin, sepse ne nuk kërkojmë nga askush, asgjë, madje as që të na kuptojnë. Ne ekzistencën, vijimësinë dhe rezistencën tonë e kemi të bazuar tek vullneti ynë i përbashkët si Komunitet LRE. Sado kohë e mund e dështime të na duhen, ne nuk i bëhemi ngarkesë e shqetësim askujt, sepse as i kemi borxh askujt asgjë e as mbaheni nga taksat e shqiptarëve, nuk kemi pasur e as kemi asnjë pushtet të shqiptarëve, e as i kemi premtuar asgjë askujt.

Media jonë është vetëm 1 celular e 1 faqe “Facebook”-u. Financimi ynë janë vetë kontributi nga djersa e mundi ynë personal si anëtarë të komunitetit LRE. Pushteti dhe fuqia jonë është vetë përkushtimi ynë në këtë që ne e quajmë dhe ndjejmë si mision. Thjeshtësia e identikitit tonë politik është edhe siguria e rezistencës sonë. Të thëna këto, kthehemi tek pyetja: Kush dhe ku është e keqja më e vogël? Tek kushdo e kudo tjetër më sipër, përveçse tek LRE. Të gjithë të përmendurit më sipër nga Ilir Meta tek Sali Berisha, nga Lulzim Basha e Enkelejd Alibej e deri te partitë e reja televizive, janë e keqja më e vogël përballë Edi Ramës. Nuk ka më krahasim asnjëri prej tyre me Edi Ramën. Edi Rama nuk ka më mastar e peshore ta mbajë poshtë. Ka shkuar thellë e rëndshëm si e keqja më e madhe. Edi Rama e nisi në 2013 me grupin e strukturuar kriminal të deputetëve horra që çoi në Kuvend. E vijoi me grupin e strukturuar të kanabisit. Tani ka mbërritur në një pikë ku doktorët krijojnë grupe të strukturuara grabitqare për të shitur ilaçe, shërbime mjekësore dhe operacione, shefat dhe drejtorët e policisë porosisin vrasje, gjoba e rrëmbime, drejtori i shkollës artistike Jan Kukuzeli në Durrës u shet drogë nxënësve të tij etj., etj., etj… Po të lexosh përgjimet e “SkyEncrochat” të grupeve kriminale e t’i krahasosh me përgjimet e politikanëve apo doktorëve, nuk arrin dot të dallosh se kush janë më mediokër, mizorë, banalë e vulgarë. Duken njëlloj, në mos duken më keq doktorët dhe politikanët. Pika ku kemi arritur nuk ka më kthesë, por po na ulëret për të na thënë se e keqja më e madhe është Edi Rama dhe kështu nuk vazhdohet më sepse më keq do bëhet. Kush e ka zgjidhjen dhe votën shkurtazi e në kërkim të të keqes më të vogël, e ka zgjidhjen. Ju shqiptarë që zgjidhni mes të keqes më të madhe e të keqes më të vogël, nuk keni pse të vuani më mes dilemave. Edi Rama është e keqja më e madhe e gjithë të tjerët veç e veç dhe së bashku janë e keqja më e vogël. Ju shqiptarë që doni të keqen më të vogël, vërshoni në 11 korrik në protestën e opozitës së Sali Berishës. Ose keni edhe të tjerët që mund t’i mbështesni. Kush do një politikë ndryshe, jo të 3 dynymshit por të vetëdijësimit social, transformimit kulturor, me durim, rezistencë e afat të gjatë, na gjen mua dhe LRE në “Facebook”, “Youtube” dhe “Tik Tok”. Unë si Arian Galdini dhe ne si LRE nuk ju japim dot zgjidhje elektorale se jemi krejt të dobët, të papërfillshëm dhe të panjohur për t’ia dalë mbanë me vota. Por me 1 celular e 1 faqe “Facebook”- u, ne mund t’ju japim 1 të mirë dhe 1 qëllim.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts