Mohammed Deif thuhet se është vrarë në një sulm ajror në Gaza më 13 korrik, por ushtria izraelitë këtë gjë e ka bërë të ditur vetëm të enjten, 1 gusht.
Deif ka udhëhequr brigadat Izz al-Din al-Qassam, krahun ushtarak të grupit ekstremist të Hamasit.
Ai ishte i njohur për palestinezët si “Mjeshtri”, ndërsa për izraelitët si “Macja me nëntë jetë”.
Autoritetet izraelite e kishin burgosur në vitin 1989, pas së cilës ai formoi brigadat al-Qassam me synimin që t’i kapte ushtarët e Izraelit.
Pas lirimit, ai ndihmoi në projektimin e ndërtimit të tuneleve që i çonin luftëtarët e Hamasit nga Gaza brenda Izraelit, raportoi BBC.
Deif ishte një nga burrat më të kërkuar të Izraelit, i akuzuar për planifikim dhe mbikëqyrje të vënieve të bombave në autobusë më 1996 që vranë dhjetëra izraelitë dhe për përfshirje në kapjen dhe vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990.
Izraeli e burgosi në vitin 2000, por ai u arratis në fillim të kryengritjes së dytë palestineze.
Që nga atëherë, ai u largua pa asnjë gjurmë. Janë të njohura tri fotografi të tij, një prej të cilave ai është i maskuar dhe në tjetrën shihet vetëm si hije.
Tentim vrasjet më serioze ndaj tij ndodhën në vitin 2002: Deif mbijetoi, por humbi njërin sy. Izraeli thotë se ai po ashtu kishte humbur një këmbë dhe njërën dorë, dhe se ai kishte vështirësi në të folur.
Forcat e sigurisë së Izraelit sërish dështuan ta vrisnin Deifin gjatë një sulmi më 2014 në Rripin e Gazës, por ia vranë gruan dhe dy fëmijët e tij.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co