NGA UVIL ZAJMI/ Në vazhdim të rrëfimit për Zoja Ignatova, studentes e diplomuar me medalje argjendi në matematikë në Leningrad, pedagogen ruse të Universitetit të Tiranës, nga mbledhja e Moskës e 81 partive, te ftohja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, si e përjetoi ajo dhe familja e saj në Tiranë e Leningrad. Refuzimi i vizës dhe telegrami urgjent “ktheu se ke djalin sëmurë”. Momenti kur papritur, pas disa letrave anonime, intrigave, kurthit të ngritur e të sajuar në televizion, me vendim të organizatës së partisë, familja Bozgo do të transferohet në Elbasan, me Fuadin punëtor në Metalurgjik. “Kam nostalgji për Tiranën dhe këngën “Për ty atdhe” të Mentor Xhemalit”-shprehet për Zoja “Panorama”. Çfarë ishte “Shkalla e Psherëtimave”, një tjetër histori e përjetuar, një ngjarje për skenarë filmash.
Znj, Bozgo, jemi në një moment kur acarohen marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik?
Më 1960, tetor-nëntor në Moskë u zhvillua Kongresi i 61 partive të Kampit Socialist, ku mori pjesë edhe një delegacion shqiptar, me Enver Hoxhën. Unë nuk isha aspak e interesuar, pak dija, ndryshe Fuadi që si punonjës i radios, kishte informacion të plotë për situatën e krijuar, por që nuk e përcillte te mua. Edhe në Tiranë, asgjë nuk bëhej publike, nuk kishte komente. Siç ju thashë, pas kërkesës që kisha bërë për të shkuar në Rusi, ajo m’u refuzua, sigurisht e motivuar edhe nga këto rrethana, kështu e gjykuam.
Vitin 1961, për një problem, duhet të niseni, të ktheheni në Leningrad?
Në pranverë të vitit 1961 mora lajmin se im atë nuk është mirë. Bisedova në telefon me mamanë dhe më tha se është sëmurë me kancer. Vendosa të nisesha dhe doja të merrja Arturin me vete, që ishte 3 vjeç. Fuadi vajti të interesohej, takoi Fiqeret Shehun dhe i foli për problemin, dhe që unë doja të merrja edhe djalin me vete, nuk ka problem i tha ajo.
Ka refuzim, dyshime për udhëtimin tuaj?
Për mua nuk kishte asnjë pengesë, pasi unë kisha akoma pasaportën me shtetësi ruse, të cilën e kam mbajtur deri në vitin 1964, kur mora atë shqiptare. Ishim të sigurt se edhe për Arturin nuk do kishte problem, por ata e refuzuan kategorikisht. Përgjigja që i thanë Fuadit ishte: “Gruaja juaj mund të shkojë, por jo me djalin. Nëse nuk mund ta mbash ti djalin, e marrim ne përsipër”. Ata menduan se po iki e do të marr djalin me vete e nuk do të kthehem më.
TAKIMI I PARË ME FAMILJEN, POR KA NJË “URDHËR” QË VJEN NGA TIRANA
Por, vetëm 1 muaj qëndrova dhe u ktheva. Nisur nga situata e krijuar, një atmosferë politike e tensionuar, tashmë ishin bërë publike marrëdhënie, qëndrimet, Fuadi më dërgoi një telegram “urgjent”, me disa vija të kuqe, ku më shkruante “Zoja, ktheu shpejt se Arturi është sëmurë”. E kuptova, u nisa menjëherë pa e parë mirë babain kur pas 20 ditësh ai ndërroi jetë. Kujtoj se vuajti shumë kur më përcolli. Ka qenë verë kur mbërrita në Rinas.
Cila ishte atmosfera me gratë ruse pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve?
Pas vitit 1961, situata me gratë ruse, por jo vetëm, u tensionua. Shqipëria u izolua për të gjithë të huajt, ato të kampit socialist në veçanti dhe gratë bullgare, hungareze, rumune, ceke polake shiheshin me tjetër sy. Filluan internimet. Unë isha e kujdesshme, korrekte në punë, kudo. Ndërsa me familjen flisja rrallë në telefon, kryesisht me mamanë, gjithmonë ndërmjet centralit, me biseda që ndërpriteshin e përgjoheshin. Shkëmbenim letra, më dërgonte ndonjë pako me veshje për fëmijët.
Si erdhi transferimi në Elbasan?
Ndërsa Fuadi, që ishte njëri nga themeluesit kryesorë të televizionit shqiptar, përgjegjës i redaksisë së kulturës në televizion, njëkohësisht dhe nëndrejtor. Ka qenë marsi i 1974, papritur e njoftuan se do transferohej për në Elbasan. Nga sa u informuam atëherë, shkak u bën disa letra anonime që shkonin në Drejtorinë e Radios nga punonjës të saj.
Dhe cilat ishin pasojat?
Në atë periudhë u bë spastrimi i madh i padeklaruar në Tiranë i familjeve me gra të huaja, duke lënë shumë pak të tilla në Tiranë. Gjithashtu, me pretekstin e qarkullimit, me motivacionin që kuadrot të shkonin për disa kohë në prodhim, që ishte një internim modern i asaj kohe, për t’i larguan nga kryeqyteti. Ishte një kurth, plot thashetheme, intriga që thurën ndaj Fuadit dhe pas një mbledhjeje partie i dhanë si dënim, duke e dërguar në prodhim në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan.
Krijohet një situatë e padëshiruar edhe për familjen tuaj?
Ka qenë viti 1974, sigurisht, ishte një befasi e madhe. U ndodhëm të papërgatitur. Në pak kohë, Fuadi u nis për në Elbasan, ndërsa unë me fëmijët qëndrova në Tiranë. Banonim në një apartament, në një pallat në rrugën “Konferenca e Pezës”. Kujtoj, komshinjtë, njerëz shumë të dashur, kishim marrëdhënia mjaft mira. Më respektonin, veçanërisht mua si e huaj. Periudha të vështira, njerëzit kishin frikë, nuk flisnin detyroheshin të aprovonin çdo udhëzim, çdo fjalë që thoshte titullari.
Si vijonte bashkëjetesa familjare, ndonëse të ndarë në dy qytete?
Në ato fillime Fuadi vinte në Tiranë të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në darkë nisej për në Elbasan. Edhe pse atë e transferuan, unë vazhdoja të jepja mësim në Universitet në Tiranë. Një vit e gjysmë, apo dy vjet vazhdoi kjo situatë, kur më thirri, ‘Zoja eja edhe ti se që të marr shtëpi, duhet të jem me familjen këtu’. Në mars të 1976 vajta edhe unë. Fuati po kalonte momente të vështira, punonte në Metalurgji. Mendoni, nga zyra në televizion, në një repart me punë të rëndë, çfarë ndryshimi. Ra shumë moralisht. Unë isha e vendosur që çfarëdo t’i ndodhte, do të qëndroja në krah e pranë tij. Ndërkohë Fuadi vazhdonte jetonte në një konvikt me punonjësit e Metalurgjikut.
Jeta e re në Elbasan, jo e lehtë në ato fillime për ju?
Në Elbasan më pritën mirë. Njerëz të urtë elbasanasit, familjarë, të lidhur me njëri-tjetrin. Kohën e parë siç ju thashë, jetova në hotel “Parku”. Mua më sistemuan me punë si mësuese e matematikë në shkollën e mesme “Dhaskal Todri”. Sigurisht që filloi një përndjekje për familjen time. Një ndjesi lodhëse, kufizuese, për mua, Fuadin, fëmijët. Në Tiranë si të huaj, në Elbasan si jabanxhinj, pasi të qenit vendës dhe të ardhur kishte një tjetër vështrim, trajtim, deri politik. Pse i sollën këtu, cili është motivi? Kjo edhe vite më vonë, gjithmonë të huaj, edhe kur shkuam në Greqi, Amerikë.
Po me fëmijët, si vepruat me djalin dhe vajzën?
Ishte e vështirë. Nga darkat, mbrëmjet së bashku, gjithçka ndryshoi në pak kohë. Sidomos me Dianën e vogël, që ajo të mos kuptonte asgjë, se i mungonte familja. Djali, Arturi, qëndroi në Tiranë, ishte nxënës dhe konviktor në Politeknikum, viti i tretë. Kur mbaroi, më 1977-tën, qëndroi te halla e tij disa muaj, pastaj erdhi në Elbasan, për stazhin njëvjeçar shkollor. Më pas u nis për të kryer shërbimin ushtarak. Dianën e mbajti vjehrra, Donika halla tjetër, por pas një viti u bashkuam në Elbasan, në hotel tek unë. Dianën e kisha nxënëse në gjimnaz, ishim bashkë, pasi vetëm ai gjimnaz ishte. Mbaja një qëndrim korrekt ndaj saj, ashtu si me të gjithë nxënësit e tjerë. Pas së mesmes, Diana përfundoi fakultetin, e caktuan me punë në Belsh, si mësues matematike.
Më në fund, një apartament në një pallat ku nuk jeni vetëm?
Me vështirësi dhe kohë më vonë na dhanë një apartament në një pallat që për koincidencë, në një hyrje ishim disa familje të “transferuara” nga Tirana, si ajo e prof. Bedri Dedjes, Odise Grillos, Telemak Xhaxhos, Muhamet Ndritës, të gjithë intelektualë. Një pallat pesëkatësh, jo i vjetër, në lagjen “Çlirimi”, te Xhamia e Nazires, një hyrje kati i parë, dy dhoma e një kuzhinë.
Një jetë, pastaj vite, ju bashkon një hyrje?
Po e vërtetë, dhe që lidhet me atë pallat, me disa nga familjet që jetonin aty. Takoheshim, komunikonim, shiheshim në sy, por pa asnjë koment, cili ishte realisht motivi pse ndodheshim aty. Një qëndrim, si fajtorë, pa faj. Me shpresën për një rikthim të shpejtë, por jo, përkundrazi, për të gjithë ne banorët jabanxhinj të ardhur të asaj hyrjeje.
Znj. Bozgo, ka një përcaktim të denjë për skenar filmash?
Kur dikush nga gratë e miqve që na vizitonte, kur erdhi te shkalla jonë, nisur nga familjet tona, që banonim aty, u shpreh: “Shkalla e psherëtimave të Tiranës”, një thënie që mbeti dhe na shoqëroi në vite. Pikërisht në atë pallat, kujtoj prag atmosferën e Vitit të Ri, kur mblidheshin komshinj dhe shikonin si ia përgatitja unë sallatën ruse.
Përjetoni një pritje që nuk ka fund?
Ditët, muajt kalonin, rrinim me shpresën, duke pritur se një ditë do të na njoftonin për të ardhur në vitin 1976, kur tashmë ishte vendosur përfundimisht qëndrimi ynë në Elbasan dhe nuk kishte kthim në Tiranë, Fuadi filloi punë si kryeredaktor i gazetës “Metalurgu” dhe më pas drejtor i Pallatit të Kulturës të Metalurgjikut.
Ka një tjetër angazhim për ju?
Shqipen fillova të flas shumë mirë. Madje edhe gjuhën letrare, duke korrigjuar edhe fëmijët. Për një kohë edhe përktheja pa fund. Deri edhe veprat e Enver Hoxhës kam përkthyer, me redaktimin e Fuadit. Sigurisht që darkave, një kohë të mirë ia kushtoja familjes, kryesisht fëmijëve.
Një jetë e kaluar me lëndën e matematikës të pandarë?
Gjatë jetës kam punuar me shumë përkushtim. Jam përpjekur të edukoj, nxjerr nxënës të përgatitur, studentë të formuar, të aftë në këtë lëndë. Ky ishte një qëllim që i kisha vënë vetes që kur erdha. Lëndën e matematikës e dashuroja, i kam kushtuar shumë kohë. Nuk flija natën, sepse korrigjoja provimet, përgatitesha për të nesërmen.
Një kontribut i madh, deri në konkurrimet kombëtare?
Kujtoj se në olimpiadën e matematikës, nxënësit e gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan përfaqësoheshin e paraqiteshin shumë mirë, ishin tejet të përgatitur. Disa nga nxënësit e mi zunë vendet e para. Edhe sot më kujtojnë, mbajnë kontakte me mua. Po kështu edhe me studentët e Inxhinierisë, Mercologjisë ruajnë një vlerësim të madh dhe që më vjen shumë mirë.
Një mirënjohje që vijon në vite?
Kujtoj dy ish-nxënësit e mi në Elbasan, fitues të olimpiadave të matematikës, Fioralba Cakoni, që punon në Universitetin e Nju Jorkut, në programet e kozmosit dhe Sokrat Mici, në informatikë. Studentët nuk më harrojnë, më respektojnë edhe sot. Ndërsa nga nipërit e mi, është djali motrës sot inxhinier në Moskë, të cilin e kam ndihmuar, kur u lejuan mundësitë, gjatë udhëtimeve të mia në Rusi.
Po me gratë e tjera ruse, si vepronit, kishit marrëdhënie?
Kisha mjaft shoqe ruse dhe me to ruaja miqësinë, me disa prej tyre në Elbasan, por edhe me ato në Tiranë. Ndonëse mjete e udhëtimit, mënyrat e komunikimit nuk ishin si sot. Dhe që duhej bërë kujdes.
A komunikoje me familjen në Rusi?
Ndonëse në vitin 1964 morra shtetësi dhe pasaportën shqiptare, nga 1961-shi nuk jam parë me familjen. Kishin pak informacion, vetëm nga letërkëmbimet, ndonjë foto. Në vitin 1987, kur erdhi telegrami për gjendjen e mamasë, e sëmurë, Fuadi vajti tek Ramiz Alia për t’i dhënë mundësi, që Zoja të shkonte në Rusi, pasi kishte filluar afrimiteti ndërmjet dy shteteve, por akoma jo me ambasada. Të shkonte për të gjetur e parë të ëmën ende gjallë për herë të fundit mbas 30 vjetësh. Por Ramizi i tha: “Fuad, të kuptoj dhe më vjen shumë keq, por në qoftë se e lejojmë Zojën të shkojë, do të na mbysin me kërkesa dhe të tjerët”.
Jeni përsëri përballë një situatë, e ngjashme si shumë vite më parë?
Pas pak kohe, mamaja më vdiq dhe motra Valentina më dërgon një telegram bashkë me “njoftimin” zyrtar nga Leningradi, që të shkoja në varrim, por ishte e pamundur. I ktheva një telegram ngushëllimi, por mora përgjigje se personat nuk gjenden. Mendova se kanë ndryshuar adresë, por duke ruajtur një numër të vjetër telefoni, i rashë dhe më doli Jelena, motra tjetër. Kështu u rikthyen lidhjet.
Kur do të jetë kthimi juaj në Moskë?
Pas një gjysmë shekulli. Viti 1990, në Shqipëri ende nuk kishte ambasadë ruse. Ishim disa shoqe, të gjitha gra ruse, pasi morëm vizën hungareze, gjykuam se gjatë kohës së pritjes në aeroport do të dilnim e të merenin vizën, atë ruse në ambasadën Çeke në Budapest. Por, koha nuk na premtoi dhe ashtu i kemi hipur avionit pa vizë ruse, “po na kthyen, le të na kthejnë thamë”.
Jeni në një aeroport, nostalgji e kujtime pa fund?
Po, e vërtetë. Rikthehesha në atë aeroport nga i cili isha larguar gjysmë shekulli më parë. Nga i cili kisha lënë vendlindjen për të ardhur në Tiranë. Sigurisht që shumë gjëra ishin ndryshuar. Kisha emocion. Pesë metra më larg ishte motra, e njoha nga fotot, bashkë me vëllain. Organet vendëse na mbajtën pesë orë, pastaj dolëm, u përqafuam, vëllai hapi një shampanjë dhe shpërndau çokollata. U larguam me veturën e tij dhe atë natë e kalova te nipi. Kjo ishte hera e parë. Më pas shkova edhe disa herë në Rusi, si përkthyese me menaxherë e biznesmenë, por edhe me Shoqatën Ruso-Shqiptare.
Pas largimit nga Elbasani, si vazhdoi jeta juaj?
Deri më 1997 kemi jetuar në Elbasan. Erdhëm në Tiranë, jetonim në një apartament te “Komuna e Parisit”. Arturi dhe Diana u larguan në Greqi, në Athinë. Të martuar me nga dy fëmijë. Në Greqi edhe unë qëndrova disa vite, duke organizuar kurse për fëmijët shqiptarë. Diana më vonë u transferua në Nju Jork, ku banon, punon me familjen e saj. Shkoja, kthehesha nga Athina, Nju Jorku, çmallesha me ta, nipërit.
Ka një kërkesë prej tyre, por pak ndryshe në gjykimin tuaj?
Më luteshin vazhdimisht si Arturi, edhe Diana që të qëndroja me ta, pranë tyre. Kishin nevojë për dashurinë time, atë të prindit, pasi të tilla i kishim marrëdhëniet. Por, vendimi im ishte në shtëpinë time në Tiranë, atë doja. Unë jepja leksione, ndërsa Fuadi gatuante, kështu i kishim ndarë detyrat.
Vjen 2013, një vit i trishtë, për ju?
Mbetet një vit shumë i trishtuar për mua. Papritur, shëndeti i Fuadit nisi të kishte pak probleme. Një kollë, një shqetësim, shkuam dhe u vizituam. Mjeku nuk u shfaq entuziast, përkundrazi. Pirja e duhanit në vite kishte lënë pasoja në mushkëri. Vuajti për një kohë të shkurtër. Fuadi vdiq më 15 maj 2013. Pas largimit të tij nga jeta, ndarjes përgjithmonë me të, jetoj e vetme, por ai më mungon shumë. Ka lënë disa dorëshkrime, kujtime, që më emocionojnë kur i lexoj, më kthejnë tek ai, më duket sikur jam duke komunikuar, biseduar me të. Sidomos për situatën e krijuar në televizion më 1974, gjithçka çfarë ndodhi me dënimin e tij.
Po me Leningradin, vendlindjen tuaj, çfarë kishte mbetur?
Në Rusi kam vetëm motrën e vëllain, por nuk lëviz shumë. Arturi dhe Diana e kanë harruar rusishten. Ndërsa ky është viti i parë që jam në “pension” dhe nuk jap mësime, pasi kam pak problem me shikimin, ndonëse lexoj, studioj, shoh televizor, që mbeten pasionet e mia. Gjithmonë jam në kujdesin e të afërmve të Fuadit. Flisni me shumë nostalgji, vlerësim për Tiranën? Në Tiranë ndjehem mjaft mirë, një qytet që më ka pritur me dashuri. Më ka pëlqyer, vazhdon të më pëlqejë. Ashtu siç më pëlqen edhe kënga “Për ty atdhe” e Mentor Xhemalit, që e dëgjoj me shumë emocion. Znj. Bozgo, më treguat për disa takime që ju kanë emocionuar? Po, dhe jo vetëm në Tiranë, Elbasan, në Shqipëri, por edhe jashtë vendit deri në Amerikë, ku unë shkoj se kam vajzën. Në një rast, në Nju Jork jam takuar me një ish-nxënësen time në gjimnazin e Elbasanit, në periudhën kur u transferova atje. Më vjen mirë që e ruajnë konsideratën, respektin dhe vlerësimin. Po kështu edhe unë për ta. Më rikthejnë mbrapa në kohë, që tregon se edhe pse ka shumë vite që kanë kaluar, kënaqësie, raportet, marrëdhëniet mësues, pedagog nxënësstudentë mbeten dhe kjo ka vlerë, janë kujtime të pazëvendësueshme. Më jep një kënaqësi të veçantë, këtë e ndjej edhe sot kur takohem me ta. Më vjen shumë mirë kur shoh se kanë arritur nivele të larta në punën profesionale të tyre. Më duket sikur kam edhe një kontribut modest në këtë drejtim. PS Nuk e kisha menduar e ndërsa përgatisja materialin dhe kohën e përshtatshme për botim, pa e ditur se ato do të ishin bisedat e fundit me Zojën, atë grua fisnike. E lamë të takoheshim kur të vinte nga Amerika, ndoshta për të shtuar ndonjë detaj tjetër, që mund t’i kujtohej. E ndërsa prisja telefonatën e saj, ishte Elvira, që më njoftoi se Zoja kishte ndërruar jetë vetëm pak kohë pasi kishte ardhur në Tiranë. Ishte qershor i vitit të kaluar, u trondita, më erdhi shumë keq. Por, janë Diana, Arturi, fëmijët me të cilët ruaj miqësinë, komunikimin. Njerëz korrektë, të sjellshëm, të edukuar dhe shumë të lidhur në ato rikthime, kujtimet e adoleshencës sonë kur banonin në pallatin 114.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co