Mançester Junajtid dëshiron të ndërtojë një stadium të ri me kapacitet 100.000 vende për të zëvendësuar “Old Trafford” dhe do të shpallë planet e tij deri në fund të vitit.
Projekti prej 2 miliardë paundësh mund të përfundojë deri në vitin 2030, duke eklipsuar “Wembley”-n si stadiumin më të madh në vend dhe duke e bërë atë të dytin më të madh në Europë pas “Camp Nou”- t të rinovuar të Barcelonës me 105.000 vende. Klubi i “Djajve të Kuq” duhet ende të marrë një vendim përfundimtar nëse do të rindërtojë apo rikonstruktojë “Old Trafford”, por është e qartë prej disa kohësh se ata ndajnë vizionin e bashkëpronarit Sër Xhim Retklif për të shkatërruar shtëpinë e tyre prej 114 vitesh dhe për të ndërtuar një stadium të ri në tokën ngjitur. Klubi nuk mund të përballojë të paguajë të gjitha kostot e tij vetë, qoftë edhe me mbështetjen e Retklif dhe pronarëve të shumicës së aksioneve, familjes Glejzër.
Shitja e të drejtave të emrit është duke u shqyrtuar, megjithëse Junajtid insiston që tifozët do të konsultohen për atë proces. Klubi po shikon mundësitë e financimit publik-privat për stadiumin e ri dhe rigjenerimin më të gjerë të zonës përreth “Old Trafford”, e njohur si rajoni i stadiumit, një tokë në pronësi të klubit. Kryeministri i ri i Britanisë, Sër Keir Starmer ka treguar tashmë se ai do të jetë i hapur për bisedime rreth mbështetjes së qeverisë për lidhjet e transportit. Junajtid vlerëson se kostoja e rindërtimit të “Old Trafford” mund të kalojë mbi 2 miliardë paundët,- siç ishte rasti me rindërtimin e “Bernabeu”-t që i kushtoi Realit të Madridit 2.4 miliardë paund, por përfitimet komerciale të një stadiumi të ri janë më të mëdha në krahasim me përmirësimin e impiantit ekzistues, që shkon me një kosto rreth 1.1 miliardë paund.
Gjithashtu, kjo do t’i lejonte skuadrës të vazhdonte të luante në “Old Trafford”, ndërsa stadiumi i ri ndërtohej në vendin fqinj, duke shmangur mungesën e tifozëve dhe duke siguruar që klubi të vazhdojë të gjenerojë të ardhura nga 75.000 vendet e shitura. Junajtid ka bërë një anketë me 30.000 tifozë mbi preferencën e tyre (stadium i ri apo rikonstruksion i “Old Trafford”), me votën që thuhet të jetë rreth 50-50. Retklif dëshiron një vendim deri në fund të vitit, por kuptohet që grupi i punës në “Old Trafford”, i cili është takuar katër herë deri më tani nën udhëheqjen e Lord Ko, po fokusohet kryesisht në ndërtimin e një stadiumi të ri. Drejtuesit e Junajtid e pranojnë rëndësinë e ruajtjes së statusit të “Old Trafford” si stadiumi më i madh i klubeve në vend për vitet në vijim. Ai është më i vogël vetëm sesa stadiumi kombëtar i “Wembley”-t, prej 90 mijë vendesh.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co