Vllaznia ka pësuar një humbje turpëruese të enjten e 18 korrikut në stadiumin “Loro Boriçi”, që ishte ndeshja e kthimit e turit të parë të Ligës së Europës ndaj islandezëve të Valurit.
Barazimi 2-2 në Reikjavik, në ndeshjen e parë, i ngrohu shpresat e dashamirësve të futbollit shkodran, të cilët sfiduan edhe temperaturat e larta. Ata qenë të shumtë në stadium me shpresën se do të shijonin kualifikimin, por skuadra e trajnerit Tomas Brdariç doli jashtë çdo parashikimi dhe pritshmërie duke dështuar në mënyrë spektakolare kundër Valurit, paraqitje e cila pasqyrohet nga humbja 4-0.
Kishin kaluar plot 17 vite që tifozët shkodranë nuk kishin përjetuar një humbje kaq të thellë shtëpie në Europë. Pikërisht bëhet fjalë për korrikun e 2007-ës, ku në Kupën Intertoto në ndeshjen e kthimit mundeshin 4-0 në “Loro Boriçi” nga turqit e Trabzonsporit. Ëndrrat e shkodranëve u shuan shumë shpejt të enjten, pasi për tri minuta pësojnë dy gola, pikërisht në minutat 13 dhe 16. Ndërsa me golin e tretë të shënuar nga islandezët në minutën e 36-të gjithçka u në “mision i pamundur” dhe tifozët të zhgënjyer nisën zbrazjen e tribunave. Ndërsa humbja u vulos në minutën e 67-të me golin e katërt të Valurit duke vulosur “natën e zezë” europiane të Vllaznisë.
Humbja mund të konsiderohet e pranueshme kur luan mirë, mundohesh, krijon raste, apo kundërshtari është i një niveli shumë më të lartë. Asnjë nga këta komponentë nuk u panë të Vllaznia e 18 korrikut. Ajo që e rëndon shumë këtë disfatë dhe i vë para bankës së të akuzuarve kuqblutë kanë të mbajnë me mënyrën sesi u pësuan të katër golat, që ishin gabime fatale dhe amatoreske në mbroje, duke i bëra dhurata islandezëve.
Statistikat tregojnë që në këtë takim skuadra e trajnerit Brdariç nuk kreu asnjë gjuajtje brenda kuadratit të portës së Valurit, ndërsa mbrojtja shkodrane dukej shumë e lodhur dhe e këputur, sidomos dyshja e qendrës.
REAGIMI I KLUBIT- Që pas ndeshjes në kampin shkodran ka pllakosur heshtja. Asnjë drejtues apo lojtar nuk ka dalë të tregojë se çfarë ndodhi me ekipin që pësoi atë turpërim, cilat ishin shkaqet apo thjesht për kortezi t’u kërkonin falje atyre mijëra tifozëve që u djersitën në shkallët e stadiumit, më shumë sesa disa lojtarë në fushën e lojës. Vetëm trajneri pas ndeshjes ka kërkuar falje. Klubi është mjaftuar me një postim të thatë në faqen zyrtare në “Facebook”, ku pranon që paraqitja e skuadrës nuk ishte në lartësinë e duhur, përkundër atmosferës festive të krijuar nga tifozët e pranishëm, të cilët padyshim meritojnë shumë më shumë nga skuadra e tyre e zemrës.
Ja postimi i klubit: “Rrugëtimi jonë në Europë për këtë sezon u mbyll. Përkundër atmosferës fantastike në stadium, paraqitja e skuadrës nuk ishte në lartësinë e duhur”. Edhe pse harxhuan disa fjalë, klubi sërish nuk e ka parë të arsyeshme që t’u kërkojë falje tifozëve shkodranët, të cilët treguan se kur bëhet fjalë për Vllazninë ata janë gjithnjë prezent në stadium. Madje tifozëria shkodrane është për notën 10 në këtë tur të parë të skuadrave shqiptare në Europë, pasi e përkrahën ekipin në Islandën e largët, si dhe prezenca e tyre në shtëpi ishte disa herë më e madhe se ajo që kryen klubet e tjera vendase. Postimin e mësipërm klubi e kishte shoqëruar edhe me disa foto nga ndeshja dhe atmosfera në tribuna. Më domethënësja se në çfarë situate ndodhet aktualisht Vllaznia mund të ilustrohet me foton e një tifozi që kishte hapur një shall të skuadrës. Nga pakujdesia, tifozi e kishte kthyer shallin mbrapsht dhe mbishkrimi “Vllaznia” ishe me kokë poshtë. E përgjithshmja kjo është: Vllaznia është me kokën poshtë. Kjo ka të bëjë vetë me atë që u pa në fushë, pasi shkaqet dhe pasojat e humbjes së turpshme me islandezët ka nevojë për analiza të hollësishme dhe hetime.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co