Bindës apo jo, ka një gjë të sigurt në Serinë A: Interi që fiton. Duke dominuar apo me pragmatizëm, duke vuajtur apo duke shkatërruar rivalët, formacioni i Simone Inzagit është rikthyer që të fitojë ndeshjet një pas një në kampionat, siç nuk ndodhte prej kohësh.Kështu është mënyra më e mirë e mundshme për të mbyllur vitin. Katër fitore radhazi kanë mundësuar Lautaro Martinezin me shokë që të mbajnë ritmin e Atalantës, por mbi të gjitha i kanë konfirmuar trajnerit dëshirën që janë ambiciozë dhe që skuadrën e vënë përpara individit. Por në këtë film të bukur për t’u parë të zikaltërvë, aktori kryesor nuk është ai që të gjithë prisnin.
Lautaro Martinez, edhe kundër Komos ka vazhduar me thatësirën e golit, diçka e pashpjegueshme dhe befasuese. Por në klub dhe trajneri nuk janë aspak të shqetësuar. Përkundrazi, ovacioni në momentin e zëvendësimit kundër Komos është konfirmimi që do të shënojë patjetër shumë shpejt. Madje rezultatet tek Interi janë duke ardhur edhe kur rendimenti i kapitenit nuk është aspak i duhuri.
Protagonistët e tjerë janë duke udhëhequr skuadrën në kampionat, teksa tani vëmendja e madhe është në Superkupë dhe ëndrra e madhe në Champions. Në veçanti, Çalhanoglu dhe Turam në vitin 2024 kanë treguar me paraqitjet e tyre të jashtëzakonshme duke e marrë përdore këtë skuadër. Nuk e kanë ngritur zërin, por punojnë në heshtje. Me asistin kundër Karlos Augustos nga goditja e këndit kundër Komos, Çalhanoglu vazhdon të tregojë në fushë mendimin e tij se është një nga mesfushorët më të mirë të Europës (më i miri, për ta thënë siç do turku) duke arritur kuotën e 150 pjesëmarrjeve në gol, mes rrjetave dhe asisteve në të gjithë karrierën e tij në 5 kampionatet kryesore të Europës.
Një statistikë që e vendos në të njëjtën tavolinë si De Bryjne, Rojs, Di Maria dhe Paje. Pavarësisht se ai luan pak më i tërhequr se kolegët e tij vazhdon të jetë vendimtar edhe në sulm në sezonet e fundit. Dhe Turam? Në 5 minutat e luajtura pa Lautaro Martinezin, ku gjatë ndeshjes provoi ta shërbente shokun e repartit, vendosi që të çante portën me një goditje të fortë.
Dhe në vitin 2024, francezi ka marrë pjesë në 22 gola me 18 gola dhe 4 asiste duke mbajtur ritmin e surprizës tjetër të këtij sezoni, De Kejtelar. Një duel talentesh që do të vazhdojë gjatë edhe në kampionat. Interi është duke kaluar një moment shumë pozitiv dhe tani është në pritje të kapitenit të tij Lautaro Martinez…
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL