Liga Arabe u bëri thirrje SHBA-së dhe vendeve të Bashkimit Evropian që të ndalin eksportin e armëve dhe municioneve në Izrael. Liga Arabe zhvilloi takim të jashtëzakonshëm në nivel të përfaqësuesve të përhershëm për të diskutuar mbi zhvillimet në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite ka vazhduar sulmet e saj për më shumë se 200 ditë. Sipas agjencisë zyrtare egjiptiane të lajmeve MENA, Liga Arabe dënoi ashpër “vazhdimin e krimit të agresionit dhe gjenocidit nga Izraeli kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Xhaminë Al-Aksa”. Duke paralajmëruar se qëllimi i ushtrisë izraelite për të sulmuar qytetin Rafah do të nënkuptojë masakër të re kundër popullit palestinez, Liga Arabe kërkoi që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të marrë edhe një herë vendim në përputhje me nenet në kapitullin7 të Kartës së OKB-së e cila siguron që Izraeli të zbatojë armëpushimin dhe të garantojë hyrjen e ndihmës humanitare.
Po ashtu Liga Arabe dënoi edhe veton e SHBA-së ndaj aplikimit të Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB. Liga Arabe njoftoi se vetoja tregoi se SHBA-ja ka dështuar në përmbushjen e kërkesave dhe parimeve të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe shtoi se kjo bie ndesh me deklaratën e saj që mbështet zgjidhjen me dy shtete. Këshilli u bëri thirrje “SHBA-së dhe vendeve të BE-së që të ndalojnë eksportimin e armëve dhe municioneve në Izrael dhe të ndalojnë financimin e prodhimit të mjeteve ajrore pa pilot që Izraeli përdor në krimin e gjenocidit kundër popullit palestinez”.
Duke u bërë thirrje “të gjitha vendeve që nuk e njohin shtetin e Palestinës që ta njohin atë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të shpëtojnë mundësinë e paqes në rajon dhe në botë dhe të garantojnë sigurinë dhe stabilitetin”, Liga Arabe kërkoi kryerjen e një hetimi të pavarur nga Institucionet ndërkombëtare të drejtësisë në lidhje me varret masive të zbuluara në spitalet Al Shifa dhe “Nasser” në Rripin e Gazës. Më 22 prill, Palestina i bëri thirrje Ligës Arabe që të mblidhet urgjentisht për të diskutuar “krimet gjenocidale” kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës.
(A.A/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co