Dekarbonizimi nuk është thjesht një domosdoshmëri mjedisore, por një mundësi e madhe për inovacion dhe zhvillim ekonomik. Në shtator, Tirana u bë qendra e diskutimeve rajonale gjatë ditës së tretë të Konferencës Balkanomics, ku ekonomitë e Ballkanit Perëndimor morën një vëmendje të veçantë.
Nën moton e investimeve inteligjente, sipërmarrës, ekspertë dhe politikëbërës të profilit të lartë u mblodhën për të diskutuar aksesin në financa, politikat inovative ESG, dhe teknologjitë që po ndryshojnë ekonomitë e rajonit.
Me fokus në strategjitë që garantojnë rritje të qëndrueshme, konferenca përforcoi idenë se Ballkani Perëndimor ka potencial për t’u shndërruar në një motor zhvillimi ekonomik përmes zgjidhjeve të gjelbra dhe bashkëpunimeve strategjike.
Një nga panelet kryesore të diskutimit ishte ai mbi përpjekjet për Dekarbonizim në Evropë, me një fokus të veçantë në rolin e Shqipërisë në këtë proces. Dritan Nako, Ekspert Ligjor dhe Drejtor Juridik, CSR & Marrëdhëniet me Jashtë në Titan Albania, ndau perspektivat e tij mbi draft ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve në Shqipëri dhe mundësitë që industria vendase e prodhimit të çimentos ofron në realizimin e objektivave të Dekarbonizimit për Shqipërinë.
Nako theksoi se është e rëndësishme të lejohet importimi me qëllim bashkë-përpunimin e Lëndëve Djegëse Alternative dhe përdorimin e Lëndëve të Para Alternative në industrinë e çimentos, në kushtet ku në Shqipëri nuk ekzistojnë rryma të qendrueshme të këtyre materialeve dhe koha kur këto lënde do të jenë të disponueshme lokalisht është ende e largët ndërkohe që afatet për realizimin e objektivave te Dekarbonizimit po afrojnë me shpejtësi. Bashkimi Evropian ka përparuar me hapa mjaft të shpejtë.
Shembulli më i mirë dhe i afërt i cili u prezantua gjatë Konferencës ishte ai projektit për kapjen dhe depozitimin e CO2 nga TITAN Group International, projekt i financuar nga BE qe zbatohet në vendin fqinj grek.
Shqipëria ka mundësi të arrijë 40% të këtij objektivi vetëm përmes bashkë-përpunimit dhe zëvendësimit të lëndëve djegëse fosile me lëndë djegëse alternative në fabrikat ekzistuese të çimentos si dhe përdorimin e lëndëve të para alternative.
Këto lëndë përfshijnë mbetje jo të rrezikshme nga lista e gjelbër e Katalogut Evropian, si RDF/SRF (përbëra nga letër, plastikë, tekstil, dru dhe materiale inerte) dhe FLY ASH, një nënprodukt i qymyrit të pulverizuar në centralet elektrike të prodhimit.
Kjo zgjidhje paraqet tre avantazhe të rëndësishme: Së pari, nuk kërkon fonde nga Buxheti i Shtetit. Së dyti, ekziston tashmë infrastruktura teknologjike në vend (industria vendase e prodhimit te çimentos ), dhe përdorimi i lëndëve djegëse alternative është konsideruar një Praktikë më e Mirë Teknike për Dekarbonizim që nga vendimi 2013/163/KE. Së Treti, industria e çimentos është e gatshme të investojë në infrastrukturën shtesë të nevojshme për bashkë-përpunimin e lëndëve alternative.
Përtej Dekarbonizimit, kjo zgjidhje adreson edhe çështje si përdorimi efektiv i burimeve natyrore, operimi me eficense energjetike dhe optimizimi i kostos së prodhimit dhe rritja e konkurueshmërisë së produkteve vendase (çimento) për eksport, çka përkthehet në të ardhura te konsiderueshme për vendin.
Por edhe me më shumë rëndësi është fakti që nga pikëpamja mjedisore, nuk ka vend për shqetësime, pasi Byroja Evropiane e Integruar e Parandalimit dhe Kontrollit të Ndotjes ka pranuar në vitin 2010 procesin e prodhimit te çimentos si procesin më të përshtatshëm për bashkë-përpunimin e lëndëve djegëse alternative, nder te tjera edhe sepse ky është një proces i cili siguron rikuperim total të energjisë dhe përmbajtjes minerale të mbetjeve.
Përdorimi i RDF/SRF në industrinë e çimentos është gjithashtu pjesë e Strategjisë Kombëtare për Reduktimin e GHG, e miratuar në qershor 2019.