Ministria e Brendshme publikoi dje listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e datës 11 maj 2025. Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Sipas Ministrisë së Brendshme ndër ta 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë dhe 1,081 shtetas janë të pa përfshirë, për shkak të dekriminalizimit.
Ndërsa numri i qendrave të votimit është 5,225. Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: zgjedhësit që jetojnë brenda vendit dhe zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
“Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së listës së zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndërkohë qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 majit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë të Brendshme.
Të përjashtuar nga ky proces bazuar dhe në Kodin Zgjedhor do të jenë qytetarët, të cilët për shkak të dekriminalizimit nuk do mund të votojnë partinë politike që simpatizojnë. Bëhet fjalë për 1.081 shtetas të përjashtuar nga ky proces. Me listimin e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme, ministria thotë se tashmë u takon 61 bashkive në vend të pajisin me infrastrukturë zgjedhore 5.225 qendra votimi. Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” shprehin po ashtu angazhimin për përmbushje të standardeve më të larta, të këtij procesi të rëndësishëm.
/Gazeta Panorama
–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot botasot.co