Në një situatë tjetër ndoshta barazimi me Dinamon edhe mund të kënaqte Kukësin.
Mirëpo, mënyra sesi shkoi dhe për më tepër në këtë moment të kampionatit, ka bërë që në kampin verilindor ky barazim të ketë shijen e një humbjeje dhe të mos i ketë lënë aspak të kënaqur. Një pikë që thuajse nuk i ka vlejtur thuajse fare, sepse rivali i saj më i afërt që mbante pozicionin e “play-out”-it, Laçi, ka fituar dhe është shkëputur edhe me tej në renditje, duke shuar shpresat e bluve për të synuar këtë pozicion.
Të njëjtën gjë e bëri edhe Erzeni dje, duke i zhytur akoma më shumë në fund verilindorët. Për këtë arsye, kjo pikë më shumë i ka afruar drejt rënies sesa qëndrimit të besuarit e Bledar Devollit. Gjithsesi, edhe nëse do të merrnin tri pikët, sërish në këto ujëra do të mbeteshin, por të paktën nuk do të lejonin rivalët që të thellonin më shumë diferencën. Në lojë kanë mbetur edhe 18 pikë dhe së paku Kukësi duhet t’i fitojë të gjitha sfidat që kanë mbetur për të shpresuar më pas tek mbijetesa. Në këto momente jo gjithçka është në dorën e tyre, pasi duhet të shpresojë nga ana tjetër që edhe rivalët të gabojnë për të pasur në fund shanset që t’i arrijë në renditje.
NUK DORËZOHEN – Megjithatë, blutë nuk kanë ndërmend të dorëzohen për aq kohë sa matematika do t’ua lejojë dhe këtë e kanë treguar në këto ndeshjet e fundit, me lojërat dhe rezultatet që kanë qenë të mira. Nëse i fiton të gjitha sfidat e mbetura, Kukësi shkon në kuotën e 43 pikëve, praktikisht një kufi që i jep shpresë për mbijetesën. Ky do të jetë edhe motivi për të mos u dorëzuar, për më tepër që tani kanë një kalendar edhe disi më të lehtë dhe janë mundësitë reale për të fituar ndaj kujtdo.
Nga gjashtë ndeshjet që kanë mbetur, vetëm Partizani është pjesë e “Final 4”, ndërsa pesë skuadrat e tjera janë me poshtë, praktikisht kundërshtarë direkte të bluve. Për këtë arsye, asgjë nuk duket e pamundur për t’i fituar të gjitha sfidat që kanë mbetur, edhe pse misioni nuk do të jetë i lehtë.
Ndeshja e radhës është ndaj bardhebluve të Tiranës, rivali i tyre në gjysmëfinale të Kupës. Pak ditë më parë verilindorët fituan pastër 2 me 0 në Kupë dhe të njëjtën gjë do të përpiqen që të përsërisin edhe në kampionat, edhe pse sfida kësaj here luhet në transfertë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co