Me përfundimin e Lojërave Olimpike, Parisi po përgatitet të mbajë Lojërat Paralimpike. Më shumë se 4,000 atletë me aftësi të kufizuara së bashku me dhjetëra mijëra spektatorë do të ndjekin garat nga 28 gushti deri më 8 shtator. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant, autoritetet olimpike lavdërojnë Parisin për hapat që ka marrë për ta bërë qytetin me qasje për të gjithë. Aktivistët për të drejtat e këtij komuniteti megjithatë thonë se duhet bërë shumë më tepër, në të gjithë Francën, për të ndryshuar infrastrukturën dhe mentalitetin.
Dita e Franck Maille-s, një person me aftësi të kufizuara, fillon duke u nisur nga shtëpia e tij në periferi të Parisit në pjesën lindore të qytetit.
Stacioni i trenit afër shtëpisë së tij mund të përdoret me lehtësi nga personat me aftësi të kufizuara, por kapja e një treni periferik, i njohur në Francë me inicialet RER, nuk është një gjë e lehtë.
“Të kesh qasje nënkupton autonomi të plotë për të shkuar nga një vend tek tjetri. Kur njerëzit thonë se Parisi ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara, unë e di që kjo nuk është e vërtetë”, thotë për Zërin e Amerikës, zoti Maille.
Ai është ish-atlet paraolimpik i cili ka fituar katër medalje bronzi në not në Lojërat Verore të vitit 1988.
Tani ai po lufton për qasje.
Autoritetet franceze kanë punuar për t’i bërë lojërat verore të këtij viti me qasje për të gjithë. Ka anije dhe taksi të pajisura posaçërisht për përdoruesit e karrocave për personat me aftësi të kufizuara.
Autobusët, tramvajet dhe disa vendkalime rrugore janë projektuar për njerëzit që kanë probleme me lëvizjen, dëgjimin ose shikimin.
Bashkia e Parisit thotë se ndryshimet janë pjesë e një përpjekjeje më të madhe për ta bërë qytetin më të gjelbër dhe më të lehtë për të jetuar.
“Parisi ka bërë përparim të jashtëzakonshëm për të ofruar qasje për personat me aftësi të kufizuara. Ka ende gjëra për të përmirësuar, por ne kemi parë një ndryshim rrënjësor në terren”, thotë për Zërin e Amerikës, Nënkryetarja e Bashkisë së Parisit, Lamia el Aaraje.
Por vetëm një linjë e sistemit 100 vjeçar të metrosë së Parisit, i cili nuk menaxhohet nga qyteti, ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara.
Nëse një ashensor nuk punon, ata që përdorin karroca ngecin, së bashku me të tjerët që kanë nevojë për të.
“Trysninë që po ushtroj nuk e e bëj vetëm për vetën, por për të gjithë”, thotë ish atleti para-olimpik, Franck Maille.
Ai dhe aktivistë të tjerë thonë se lufta e tyre nuk është vetëm për ndryshimin e transportit, por edhe për fusha të tjera të jetës së përditshme.
“Kur tregojmë ligjet që kemi në Francë, shtetasit e vendeve të tjera, për shembull në Bruksel, thonë, ‘O Zot, ju keni ligje të pabesueshme që nuk i ka asnjë vend tjetër. Çështja e vetme është se ato nuk zbatohen”, thotë drejtori gjeneral i organizatës ‘Handicap APF’.
Përtej zbatimit të ligjeve, sipas aktivistëve, Franca duhet të zbatojë edhe slloganin e saj të barazisë.
“Njerëzit nuk i konsiderojnë personat me aftësi të kufizuara si qytetarë që mund të jetojnë të pavarur. Shoqëria nuk ka menduar për integrimin e personave me aftësi të kufizuara, për të patur qasje në gjithçka, si gjithë të tjerët”, thotë Presidenti i organizatës, ‘Handicap AFP’, Pascale Ribes.
Aktivisti Franck Maille beson se Franca po zhvillohet, por ka ende shumë punë për të bërë./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co