Lufta e Izraelit, UNRWA kërkon para në Bruksel për të ndihmuar palestinezët

lufta e izraelit unrwa kerkon para ne bruksel per te ndihmuar palestinezet
lufta e izraelit unrwa kerkon para ne bruksel per te ndihmuar palestinezet

Para takimit të Sekretarit të Përgjithshëm të UNRWA, Filipe Lazarini me ministrat e ndihmës për zhvillim të BE-së në Bruksel, ushtria izraelite bëri akuza të reja serioze kundër Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë (UNRWA). Një tunel i përdorur nga Hamasi për aktivitetet e inteligjencës thuhet se u gjet nën selinë e organizatës nëRripin e Gazës.Organizata militante islamike palestineze Hamas është cilësuar si organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe vende të tjera. Kreu i UNRWA mohon të ketë ditur për tunelin apo furnizimin e tij me energji elektrike nga selia e organizatës.

Përveç kësaj, ndërtesa e UNRWA nuk është përdorur që nga 12 tetori, menjëherë pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, kërkon dorëheqjen e Lazarinit. Në janar, lajmi për gjoja bashkëpunimin e dymbëdhjetë punonjësve të UNRWA me Hamasin tërhoqi shumë vëmendje.

Shumë pyetje të paqarta

Philippe Lazzarini, një diplomat me përvojë i OKB-së, ka udhëhequr Agjencinë UNRWA që nga viti 2020 detyrohet t’u përgjigjet tani disa pyetjeve të sikletshme. Paraardhësi i tij Pierre Krenbil dha dorëheqjen pas akuzave të shumta për nepotizëm dhe shpërdorim detyre.

Pasi dymbëdhjetë prej rreth 13,000 punonjësve të UNRWA-s në Rripin e Gazës u akuzuan për bashkëpunim me Hamasin, Kombet e Bashkuara larguan menjëherë dhjetë prej tyre, dy të tjerët nuk janë më gjallë. Një hetim i brendshëm i Kombeve të Bashkuara, i urdhëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, po vazhdon. Të gjithë përgjegjësit duhet të identifikohen. Sipas Agjencisë së OKB-së, qeveria izraelite nuk ka ofruar ende asnjë provë për pretendimin se dhjetë për qind e punonjësve të UNRWA janë të lidhur me terroristët e Hamasit.

Gjermania pezullon ndihmën, Spanja shton

Filipe Lazarini ishte në takime në Bruksel të hënën për t’i bërë thirrje BE-së dhe vendeve të saj anëtare që të vazhdojnë financimin e UNRWA-s. Nëntë shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, kanë pezulluar pagesat për organizatën humanitare deri në përfundimin e hetimit. Anëtarët e tjerë, si Irlanda dhe Belgjika, vazhdojnë të paguajnë. Spanja rriti madje kontributin e saj me 3.5 milionë euro, për të ofruar ndihmë të mëtejshme humanitare për popullsinë e Rripit të Gazës. Portugalia gjithashtu dëshiron të paguajë më shumë se më parë.

Bashkimi Evropian aktualisht nuk është duke ndarë mjete nga buxheti i tij, sepse deri në fund të muajit nuk ishin parashikuar shpenzime, bëri të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Borrell. Deri atëherë, një analizë e flukseve financiare të BE-së duhet të tregojë nëse paratë shkuan për terroristët dhe nëse bashkëpunimi me UNRWA do të vazhdojë. Nuk ka një qëndrim të njësuar të BE-së dhe vendeve anëtare të saj, u ankua ai. “Kjo nuk është mirë.”

Pas takimit jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në fillim të shkurtit, shefi i diplomacisë evropiane, Borrell tha se pagesat e ndihmës për palestinezët në Rripin e Gazës duhet patjetër të vazhdojnë. Sipas tij, UNRWA ushqen rreth dy milionë njerëz, jo vetëm në Rripin e Gazës, por edhe në Bregun Perëndimor, Jordani dhe Liban. Kryen edhe punë mjekësore dhe ofron arsim. “Kush mund ta zëvendësojë atë brenda natës?” pyeti Borrell. “UNRWA luan një rol kyç. Është e vërtetë që qeveria izraelite është shumë kritike ndaj UNRWA-s, jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën. Por ne nuk mund të ndëshkojmë dy milionë njerëz”.

Gjermania donatori i dytë më i madh

Gjermania është donatori i dytë më i madh i UNRWA me 202 milionë dollarë në vitin 2022. SHBA, e cila gjithashtu ka pezulluar pagesat, është donatori më i madh me 344 milionë dollarë. Në vend të tretë është Bashkimi Evropian, pra fondi i përbashkët i të gjitha shteteve anëtare me 114 milionë dollarë.

Pas akuzave, përveç disa vendeve anëtare të BE-së, edhe Japonia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja pezulluan pagesat. Kjo bëri që gjithsej 20 vende të botës të reagojnë ndaj akuzave. Ministrja Gjermane e Ndihmës për Zhvillim, Svenja Schulze supozon se financimi i UNRWA do të vazhdojë pasi të hetohet i gjithë rasti. “Nuk mund ta imagjinoj se nuk do të vazhdojmë të mbështesim duke pasur parasysh vuajtjet dhe shqetësimet që po ndodhin në atë rajon tani. Ne duhet të ndihmojmë. Është gjithashtu në interesin e Izraelit të ndihmojë njerëzit në atë rajon”, tha ajo.

Në një deklaratë për shtyp të enjten e kaluar, UNRWA njoftoi se nga fundi i muajit do të ketë vështirësi në ruajtjen e furnizimeve për popullatën e Rripit të Gazës, e cila është shkatërruar nga operacionet ushtarake izraelite. Organizata e ndihmës, e cila ka qenë përgjegjëse për refugjatët palestinezë për 75 vjet, nuk financohet nga buxheti i rregullt i OKB-së, por varet nga donacionet vjetore.

“Edhe pse UNRWA është mësuar me pasiguri financiare, ngjarjet e janarit paraqesin një nivel të ri rreziku. Nëse donatorët nuk vazhdojnë të paguajnë, agjencia mund të mbarojë pa burime deri në fund të shkurtit”, thuhet në uebsajtin e UNRWA. Pikërisht këtë dëshiron ta parandalojë Philippe Lazzarini me paraqitjen e tij në Bruksel./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →